MENU
klinika

Rritje nga kredia e KESH

Borxhi i jashtëm, 8.1 mld euro

12.09.2018 - 15:49

Borxhi i jashtëm i ekonomisë shqiptare kaloi pragun e 8 miliardë eurove në mesin e këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, stoku total i detyrimeve që sektori publik dhe privat në Shqipëri ka ndaj kreditorëve jo rezidentë u rrit me 162 milionë euro në tre muaj.

Rritja gjatë tremujorit të dytë ka ardhur në pjesën më të madhe nga rritja e borxhit të bizneseve, me 125 milionë euro më shumë. Besohet se efektin kryesor e ka dhënë kredia e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Kjo kredi u mor me qëllim zëvendësimin e overdrafteve që KESH kishte pranë bankave tregtare në Shqipëri, me interesa më të ulëta. Pjesa tjetër e rritjes së borxhit të jashtëm erdhi nga sektori bankar, që e rriti stokun e detyrimeve të jashtme me 42 milionë euro. Ndërkohë, qeveria shqiptare e uli lehtë ekspozimin në borxhe jashtë vendit, me 7 milionë euro më pak krahasuar me tremujorin e parë.

Në vitet e fundit, rritja e borxhit të jashtëm të ekonomisë shqiptare ka qenë mjaft e moderuar dhe e përqendruar sidomos te qeveria shqiptare. Sektori bankar dhe ai privat përgjithësisht nuk ka pasur nevojë për linja financimi nga jashtë, edhe sepse tregu i brendshëm ka qenë përgjithësisht mjaft likuid. Qeveria mban 43% të totalit të borxhit të jashtëm, e ndjekur nga sektori bankar me 17.5% dhe nga sektori privat jo bankar me 17.3%.