MENU
klinika

Meshkujt

Botërori i Volejbollit, tani spektakli i garantuar!

26.09.2018 - 11:26

Ka përfunduar edhe faza e dytë e Botërorit të Volejbollit për meshkuj dhe nga kjo e mërkurë, pesë skuadrat më të forta në glob, si dhe Serbia, që pozicionohet në vendin e 11 në klasifikimin e përgjithshëm të FIVB, do të fillojnë sulmin drejt titullit. Pas dy fazave të para në grupe, edhe raundi i tretë do të vijojë përsëri me të njëjtën formulë.

Tani bëhet fjalë për “Final Six”, pra për gjashtë skuadrat përfaqësuese më të mira të këtij botërori, të cilat janë ndarë në dy grupe me nga tre ekipe. Në Grupin I bëjnë pjesë dy skuadrat më të mira në planet, Brazili me Shtetet e Bashkuara, dhe bashkë me to edhe Rusia, ndërsa në Grupin J luajnë Italia, Polonia dhe Serbia.

Për të përcaktuar edhe katër ekipet e fundit, që do të shkojnë në “final four”, mbeten edhe vetëm gjashtë ndeshje, të cilat do të luhen që të gjitha në Torino, në “Pala Alpitour”, pallat sporti me kapacitet maksimal prej 15.807 spektatorësh. Takimi hapës i kësaj faze është Brazil – Rusi, ndeshje që do të luhet në orën 17:00.

Brazili kryeson renditjen botërore dhe ka fituar 3 nga 4 kampionatet e fundit, gjithsesi kampionët olimpikë të Rio De Janeiro-s duket sikur kanë humbur diçka nga shkëlqimi i mëparshëm. Katër vjet më pare, në Katowice, Brazili u mund në finale 3-1 nga Polonia, gjithsesi, këtë here, duke patur parasysh konkurrencën e lartë, nënkampionët në fuqi rrezikojnë për të mos shkuar fare në finale.

Rusia paraqitet në këtë aktivitet me statusin e skuadrës kampione në fuqi të Eeropës, megjithatë 6 herë kampionët e botës kryesojnë gjithashtu 7-4 edhe bilancin e përgjithshëm ndërmjet tyre, bilanc ku natyrisht përfshihen edhe ndeshjet që “verdhjeshilët” kanë zhvilluar ndaj Bashkimit Sovjetik.

Rusia paraqitet në këtë duel me 6 fitore dhe 2 humbje, sidoqoftë bëhet fjalë për disfata të pësuara në fazën hapëse të grupeve, me Shtetet e Bashkuara 3-1 dhe Serbinë me rezultatin 3-2, pasi në Grupin E, ekipi i drejtuar nga Sergey Shlyapnikov i mundi të gjithë kundërshtarët me radhë, përfshirë madje edhe vetë Italinë, pra vendin organizator, ku për hir të së vërtetës

Rusia humbi edhe dy setet e vetme të raundit të dytë. Në krahun tjetër, me përjashtim të humbjes 3-1 me Holandën në Grupin B, “galaktikët” i fituan që të tri takimet në Grupin F, duke përmbysur madje disavantazhin 2-0 ndaj Belgjikës, ndeshje ku në fakt “canarinhos” humbën edhe dy setet e vëtm të këaj faze.

Rusia ka dominuar sfidat e para ndërmjet dy vendeve, duke mos njohur humbje në shtatë përballjet e para që kanë patur në kampionatet botërore, por në fakt është Brazili që ka fituar katër takimet e fundit në këtë kompeticion nga vitit 1994 e mbrapa, për më tepër edhe në Olimpiadën e Rios Brazili e mposhti Rusinë pastër me shifrat 3-0.

Po këtë të mërkurë, të gjithë të apasionuarit do të kenë mundësinë për të ndjekur në Supersport edhe takimin Itali – Serbi. “Të kaltrit” e organizojnë botërorin për herë të tretë në histori, prandaj është e kuptueshme që skuadra e Gianlorenzo Blenginit është favorite për t’u kualifikuar në fazën gjysmëfinale.

Sigurisht që Italia ka përfituar edhe nga kalendari tepër i lehtë, sidoqoftë, pasi dominuan Grupin A të vetmen disfatë në këtë botëror “azzurri”-t e pësuan me rezultatin 3-2 në Grupin E nga Rusia, ku vendasve u mjaftonte thjesht fitimi i dy seteve për të garantuar vendin e parë në grup.

Ndërkaq humbjen e vetme në Grupin C skuadra e Nikola Grbic e pësoi me shifrat 3-2 nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa në Grupin H Serbia, ndonëse u mund thellë 3-0 nga Polonia u kualifikua falë fitores dramatike 3-2 ndaj Francës, ku volejbollistët serbë u anuluan plot tre “match point” “gjelave”.

Italia ka humbur 5 nga 6 përballjet me Serbinë në Kupën e Botës, gjithsesi “të kaltërit” kanë fituar duelin më të rëndësishëm ndërmjet tyre, atë të vitit 1998 në Japoni, ku Italia e Bebetos fitoi pastër 3-0, duke koleksionuar titullin e tretë botëror radhazi, sidoqoftë botërori i nipon i dy dekadave më parë përfaqëson njëkohësisht edhe arritjen më të madhe të vendit nga Ballkani në historinë e këtij kompeticioni.