Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati pati sot një vizitë zyrtare në Maqedoni. Ai takoi Kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zav ku dhe biseduan për zhvillimet më të fundit politike në Maqedoni dhe rajon.
Bushati vlerësoi lidershipin politik të kryeministrit Zaev, i cili ka ndërmarrë një qasje të re ndaj fqinjëve për të drejtuar vendin drejt anëtarësimit të plotë në BE dhe NATO.
Ministri Ditmir Bushati, i bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë që t votonin pro Marrëvëshjes së Prespës në Referendumin e datës 30 shtator, pasi vetëm kështu sipas tij i hapet rruga prespektivës euro-atlantike.
“Është detyrë historike e çdo qytetari shqiptar në Maqedoni dhe në diasporë të votojnë masivisht dhe t’i thonë PO Marrëveshjes në Referendum. Po ashtu, është mision jetik i të gjithë spektrit politik shqiptar të shfaqë unitet për të mobilizuar votën masive shqiptare më datë 30 shtator”, theksoi Bushati.
Bushati dhe Zaev folën edhe për hyrjen në fuqi sa më shpejt të Ligjit të Gjuhëve. Zyrtarët shprehën bindjen se zbatimi në kohën e duhur e Ligjit të Gjuhëve dhe krijimi i shpejtë i mekanizmave të monitorimit siguron një qasje më të drejtë ndaj shqiptarëve dhe përfshirjen e tyre në qeverisjen e mirë, politikat e zhvillimit dhe ndërtimin e një shoqërie të orientuar drejt Europës.
Qeveria shqiptare dhe ajo maqedonase kanë zhvilluar për herë të parë edhe një mbledhje të përbashkët në Pogradec. Me këtë rast, kryeministri Zaev siguroi se pala maqedonase po punon për përgatitjet e mbledhjes së dytë që do zhvillohet në Maqedoni.
Pas takimit me Zaev, ministri Bushati vazhdoi më pas një sërë takimesh me zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të spektrit politik shqiptar në Maqedoni.