Një nga artistët më të dashur në Itali, i lindur në Milano të Italisë më 6 janar të vitit 1938, Adriano Celentano ka qenë i suksesshëm si në film ashtu dhe në muzikë. I frymëzuar nga rock-u i Elvis Presley-t, ai këndoi si anëtar i Rock Boys nga viti 1957, por dhe si idhulli tradicional i italianëve me baladat e mirënjohura romantike.
Celentano arriti të pushtojë publikun italian, por edhe më gjerë. Arriti kreun e listës muzikore italiane me debutimin në këngët solo “Il Tuo Bacio e Come Un Skirt” në vitin 1959; arriti po të njëjtin sukses me “24000 Baci” në vitin 1961; “Il Ragazzo Della Via Gluck” (1966), e cila ishte një këngë që ishte si një kulm artistik për Celentanon. Kënga u përkthye dhe u realizua në 18 gjuhë. Gjithashtu, një sukeses i madh ishte dhe kënga Prisencolinensinainciol në 1972.
Albumet e Celentanos u përqafuan menjëherë nga publiku italian. Albumi i tij debutues, “Non Mi Dir”, arriti në krye të listave muzikore të Italisë më 1965. Albumi i tij “Soli” qëndroi në krye të listave muzikore për plot 58 javë gjatë viteve 1978-1979. Megjithëse e la muzikën për gati dy dekada për t’u përqëndruar në karrierën e tij si aktor, Celentano më vonë u rikthye në karrierën e tij të hershme.
Albumi i tij i parë kur iu rikthye muzikës, “Mina + Celentano”, ishte hiti i vitit 1998, ndërsa albumi i tij i dytë, “Francamente Me Ne Infischio” (1999), bazuar në shfaqjet televizive të cilat këngëtari i drejtonte vet, kaloi disa javë në krye të listave muzikore italiane. “Esco di Rado – E Parlo Ancora Meno”, albumi i tretë që kur Celentano u kthye në muzikë, shiti më shumë se 600.000 kopje përpara publikimit.
Celentano ndërthuri gjatë gjithë jetës së tij artistike, karrierën muzikore me atë kinematografike. Si aktor, ai bëri debutimin e tij në filma si “Dai, Johnny, Dai”, “I Ragazzi del Jukebox”, “I Frenetici” në 1959 dhe “La Dolce Vita” një film klasik i mrekullueshëm i regjisorit Federico Fellini. Shfaqjet e tij të mëvonshme në ekran përfshijnë role në filma të tillë si: “The Sin”, “Rugantino”, “Give Me Five”, “Il Bisbetico Domato”, dhe “Segni Parsticolari: Bellissimo”.
Celentano nuk u mjaftua të ishte vetëm një aktor i shkëlqyer, shkoi më tej duke qenë producent dhe regjisor në filma të tillë si: “Yuppi Du”, “L’atra Meta Del Cielo” dhe “Geppo Il Folle”. Përvoja e tij e parë në botën e spektaklit televiziv erdhi në fund të vitit 1987 kur ai pranoi të drejtonte “Fantastico 8”.