MENU
klinika

Almanak

Çfarë ka ndodhur më 3 shtator?

03.09.2018 - 09:11

301 – San Marino, një prej vendeve më të vogla në botë dhe Republika më e vjetër ende në ekzistencë u themelua nga Shën Marinus i Arbas – një gurgdhendës nga ishulli Rab (Arb, Arban) i Ilirisë, pranë Kroacisë së sotme.

Një gojëdhënë thotë se, kur ishulli u pushtua nga romakët, Marinus iku për t’i shpëtuar persekutimit për bindjet e tij të krishtera. Pasi u shugurua prift nga peshkopi i Riminit, Marinus, i pakënaqur edhe me shtetin papnor, shkoi në Monte Titano për të jetuar si vetmitar (heremit). Atje ai ndërtoi një faltore dhe një manastir rreth të cilit u rrit shteti i San Marinos. Sipas legjendës, Marinus vdiq në dimrin e vitit 366 dhe fjalët e tij të fundit ishin: ‘Relinquo vos liberos ab utroque homine’ – Ju lë të lirë nga të dy burrat – Perandori dhe Papa. Ky pohim i lirisë ka qenë gjithmonë frymëzimi i kësaj republike me popullsi rreth 30 mijë banorë, në një sipëfaqe prej 61 km katrorësh.

1783 – Lufta Revolucionare Amerikane përfundon me nënshkrimin e Traktatit të Parisit midis Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe. Pika kryesore e traktatit thekson se Mbretëria Britanike i njeh Shtetet e Bashkuara si vend të lirë, sovran dhe të pavarur dhe heq dorë nga çdo pretendim territorial dhe trashëgimi pronësie.

1875- Ferdinand Porsche, inxhinieri dhe themeluesi i makinave Porsche, lindi më 3 shtator të vitit 1873 në Maffersdorf, Austri.

Ai filloi karrierën e tij tek kompania Daimler, dhe arriti të ngrihej në funksionin e drejtorit të përgjithshëm. U largua nga detyra në vitin 1931, për të projektuar makinat e tij sportive dhe të garave. Ndoshta projekti i tij më i famshëm ishte ideja e Hitlerit për “makinat popullore”, Volkswageni. Porsche, së bashku me djalin e tij, ishte përgjegjës për planet fillestare për Volkswagenin. Bashkëpunimi me Hitlerin i kushtoi atij shtrenjtë, ai u arrestua nga francezët, pas Luftës së Dytë Botërore, dhe u mbajt për disa vjet përpara se të lirohej.

1939- Fillon Lufta e Dytë Botërore. Si përgjigje për pushtimin e Polonisë nga Hitleri, Britania dhe Franca, të dyja aleate të vendit të pushtuar, i shpallën luftë Gjermanisë, duke filluar Luftën e Dytë Botërore.

Viktima e parë u bë anija britanike e linjës oqeanike, Athenia, e cila u fundos nga nëndetësja gjermane U-30, që e mendoi anijen britanike një anije luftarake. Në anije kishte më shumë se 1.100 pasagjerë, 112 prej të cilëve humbën jetën, midis tyre 28 amerikanë. Presidenti Ruzvelt, ndonëse ishte i shqetësuar nga tragjedia, deklaroi se Amerika nuk do të dërgonte ushtrinë e saj në Europë. Shtetet e Bashkuara do të qëndronin neutralë për disa vite.

Britania, nga ana e saj, si fillim, hodhi mbi Gjermani 13 ton fletëpalosjeve propagandistike kundër nazistëve. Më 4 shtator, ata filluan të bombardonin anijet gjermane, duke u shkaktuar humbje të mëdha. Ata gjithashtu synonin të mos dëmtonin civilët gjermanë. Ushtria gjermane, sigurisht, nuk ishte kaq e frenuar. Franca, pas dy javësh, do të fillonte një sulm kundër kufirit perëndimor gjerman. Përpjekja e tyre u dobësua në një korridor të ngushtë prej 250 km , që të çonte në frontin gjerman, i rrethuar nga kufijtë e Luksemburgut dhe Belgjikës, të dyja vende neutrale. Gjermanët minuan korridorin, duke ndaluar sulmin francez.

1914 – I këshilluar nga përfaqësuesit e fuqive të mëdha, Princ Vidi largohet nga Shqipëria, duke e lënë vendin pas vetëm gjashtë muajsh për shkak të kundërshtimit ndaj sundimit të tij.

1920 – Merr fund Lufta e Vlorës – Trupat italiane tërhiqen nga Vlora duke ruajtur vetëm kontrollin e ishullit Sazan, ndërsa forcat vullnetare shqiptarë hyjnë triumfalisht në qytetin e çliruar.

1944 – Ana Frank dhe familja e saj transportohen me tren nga kampi tranzit Westerbork për në kampin e përqëndrimit Auschwitz, ku mbërrijnë 3 ditë më vonë.

Lindur në Frankfurt të Gjermanisë, Ana e kaloi shumicën e jetës së saj 15 vjecare në afërsi të Amsterdamit, Holandë. Ana Frank vdiq në kamp përqëndrimi më 1944. Ajo fitoi famë ndërkombëtare në vitin 1947, kur ditari i saj u gjet dhe u botua. Në ‘të Ana Frank dokumenton se si kishte jetuar e fshehur gjatë pushtimit gjerman të Holandës në Luftën e Dytë Botërore.

2004 – Kriza e pengjeve në Beslan të Osetisë veriore përfundon me vdekjen e mbi 300 njerëzve, më shumë se gjysma e të cilëve ishin fëmijë.