MENU
klinika

Aspektet më intime të vdekjes

Çfarë ndodh me trupin kur vdesim

15.09.2018 - 14:42

Në projektin fotografik “About Dying”, artistja daneze Cathrine Ertmann nxjerr në pah vdekjen në detajet më të fshehta e intime.

Një prezantim i natyrshëm dhe i qetë i fundit të jetë. Autopsi, kremime dhe veçanti të trupit të mpakur nga vdekja që shpesh alternohen me skena të forta për syrin e zakonshëm por gjithsesi të karakterizuara nga një shfaqje e natyrshme dhe e respektueshme e të vdekurve.

Po cilat janë arsyet që e shtyjnë një artiste të kërkojë dhe rrëfejë përmes objektivit jetën e përtejme? Normalizimi i vdekjes është çelsi për të interpretuar këto imazhe.

Pra nuk është më tabù por një ngjarje natyrale që duhet t’i motivojë njerëzit që ta shijojnë më shumë jetën pa u vënë përpara nga ankthet dhe frikërat.
Një pjesë e mirë e fotove të Cathrine Ertmann janë shkrepur në morgun e spitalit të Universitetit të Aarhus, qyteti i dytë më i populluar i Danimarkës. Në imazhet e paraqitura fotografja nxjerr në pah qetësinë e vdekjes, si një kalim i thjeshtë pas jetës.

“Të punoja për projektin About Dying më transmetoi shumë paqe. Vdekja Nuk është kaq e frikshme siç besojnë shumë njerëz. Përkundrazi, është një eksperiencë thuajse e qetë. Tek shihja kufomat kuptova se trupi s’është gjë tjetër veç një lloj zhgualli që mbajmë veshur gjatë jetës” thotë fotografja. “Kam pasur rast të shoh nga afër çdo të thotë të humbasësh një njeri të dashur. Një eksperiencë që më ndihmoi pas humbjes së nënës sime.”

Një nga fotot tregon një trup brenda furrit të një krematori, të përfshirë nga flakët.

Është një imazh i fortë, thuajse i dalë nga ferri. Një foto që kontraston me të tjerat. Ndoshta e vetmja që nuk transmeton paqen e sipërpërmendur. Për artisten thjesht tregon një proces. Është veç një trup, veç kocka, shpirti ka fluturuar lart.