Tregu i telekomunikacioneve po kalon përmes një evolucioni të rëndësishëm, në modelin e vendeve më të zhvilluara. Konkurrenca mes operatorëve po zhvendoset nga ofrimi i tarifave sa më të lira, tek përfshirja e sa më shumë shërbimeve kundrejt një pagese të arsyeshme për klientin. Gjithashtu, me një shoqëri të mbështetur gjithnjë e më shumë te interneti dhe përmbajtja video me cilësi të lartë, sfida është rritja e kapaciteteve dhe cilësisë së shërbimit përmes investimeve të vazhdueshme.
Redion Zefi, drejtor operacional në kompaninë “Digicom”, thotë se nevoja e lartë për investime do të sjellë një proces përqendrimi të tregjeve në më pak operatorë, por edhe një konvergjencë, që do t’i çojë operatorët e shërbimeve të lëvizshme të operojnë edhe përmes rrjeteve fikse, qoftë nëpërmjet investimeve direkte apo blerjes së kompanive ekzistuese.
“Lufta kryesore në telekomunikacion, në tregjet e zhvilluara, deri para pak vitesh u përqendrua tek çmimet e ulëta, fokus që e ndjekin shumë kompani në Shqipëri, por nga eksperienca e ecurisë së këtyre tregjeve, u kuptua që në telekomunikacion ka gjithmonë nevojë për zhvillim; ky i fundit kërkon investime dhe kompani të shëndetshme financiarisht që t’i përballojë këto investime. Duke luftuar me çmimin u harrua se, një kuotë e tarifës mujore që paguan çdo abonent alokohet për investime dhe zhvillim, e rrjedhimisht u arrit në një pikë, ku tregu ishte i detyruar që të përditësonte ofertat, në mënyrë që të përballoheshin kostot. Këto mund të shihen mjaft mirë, pasi shumë operatorë të mëdhenj në botë janë detyruar që të bashkohen, ose të shiten, në mënyrë që të mbijetojnë,” thotë ai.
Zefi shprehet se tregu vetë po e sjell një përqendrim të tillë, pasi rreth 90% e klientëve kanë zgjedhur mes 6 operatorëve, nga mbi 100 operatorë të regjistruar.
Pjesa më e madhe e operatorëve të regjistruar dhe të licencuar për të ofruar shërbime telekomunikacioni nuk kanë stafin e mjaftueshëm, e as fokusin në ndjekjen e tregut, e për rrjedhojë nuk kanë mundësi që të kryejnë investimet e nevojshme. Sipas tij, operatorët, të cilët sot ofrojnë tarifa shumë të ulëta janë, ose në faliment, ose në një bilanc negativ, që së shpejti, do t’i dërgojë drejt një zgjedhjeje të vështirë.
Bashkimi Europian po aktualizon një plan që, brenda vitit 2020, çdo banor i Bashkimit Europian duhet te ketë qasje në internetin me brez të gjerë. Për këtë, ka krijuar lehtësira ligjore dhe fiskale për kompanitë, si edhe ka alokuar një fond prej 15 miliardë eurosh dhe mundësuar kredi nga Banka Europiane e Investimeve, me 5.6 miliardë euro të tjera.
Një gjë e tillë ka vendosur në lëvizje operatorët që të zhvillojnë teknologjinë aktuale, të investojnë në zonat më të thella. Pa këto suporte, edhe në vendet e zhvilluara, përqendrimi i investimeve alokohet vetëm në zonat e populluara, pasi kanë mundësi kthimi për investimin e kryer. Lehtësimet fiskale nga ana e shtetit do nxisnin shumë operatorë që të shtrijnë rrjetin e shërbimeve, akoma më gjerë. Investimet në teknologji the informacion janë duke shtuar gjithmonë e më shumë vende të reja pune dhe nxitur të rinjtë, që të krijojnë “start-up”-e.