MENU
klinika

Rekomandimet në “vesh të shurdhër”

Dossier/ Bankat, ku “çalon” konkurrenca

20.09.2018 - 10:52

Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur një hetim të përgjithshëm, ku evidentuar shumë problematika të mirëfunksionimit të konkurrencës në sistemin bankar. Konkluzionet janë reflektuar në një sërë rekomandimesh për bankat dhe Bankën e Shqipërisë, por që të gjitha, deri tani, kanë rënë në “vesh të shurdhër”.

Autoriteti vëren se bankat shpesh aplikojnë kosto bllokuese për lëvizjen e klientëve dhe zgjidhjen e kontratave. Nga analiza e hetimit të përgjithshën, janë vënë re kosto shumë të larta për të lëvizur nga një bankë në tjetrën, si një mundësi për të rritur konkurrencën në treg.

Në kushtet e një tregu të maturuar, kjo ka krijuar bllokimin e klientëve dhe si rezultat pamundësinë për t’u rritur bankat e vogla, gjë e cila është vënë re edhe nga përgjigjet e pyetësorëve gjatë hetimit. Sipas Autoritetit, për të rritur nivelin e konkurrencës në treg dhe rritjes së mundësisë së zgjedhjes konsumatore, bankat duhet të krijojnë lehtësira për lëvizshmërinë e klientëve duke ulur kostot “bllokuese”: të tilla janë kostot që e detyrojnë klientin të qëndrojë pranë një banke si komisione për mbyllje llogarie, kosto shtesë në rast të transferimit të pagës nga një bankë në një bankë tjetër, përsa i përket produkteve të lidhura me llogarinë rrjedhëse (karta elektronike dhe overdraft), penalitete për mbylljen para kohe të kredisë, humbjen e interesit në rast të mbylljes para afatit të një depozite me afat, kosto administrative për klientin si kohë, rimbushje formularësh, përgatitje dokumentacioni, etj. Autoriteti rekomandon që bankat duhet të rrisin gjithashtu transparencën, duke i bërë më të kuptueshme këto kosto për klientin. Sidoqoftë, ky rekomandim nuk përmban ndonjë zgjidhje konkrete për sa i takon mënyrës sesi mund të kufizohen kostot, të cilat Autoriteti vetë i vlerëson si bllokuese. Zgjidhja ligjore mund të ishte një rekomandim i drejtpërdrejtë për Bankën e Shqipërisë, për të vendosur kufizime në penalitetet që aplikohen nga bankat për mbylljen e parakohshme të një marrëdhënieje kontraktore; por, në këtë pikë, Autoriteti është treguar i matur. Në komentet e saj zyrtare për këtë rekomandim, Banka e Shqipërisë vë në dukje se prej vitesh po ndërhyn me masa konkrete nëpërmjet ndryshimeve dhe përmirësimeve ligjore dhe rregullative duke synuar përafrimin me legjislacionin e BE dhe acquis communitaire, nëpërmjet inspektimeve ne vend dhe nga jashtë me rekomandimet përkatëse, si dhe nëpërmjet edukimit dhe informimit të publikut.

E vetmja ndërhyrje konkrete e rekomanduar nga Autoriteti i Konkurrencës është ndryshimi në Rregulloren e Bankës se Shqipërisë “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”, në nenin 5, pika 4 të saj, të shtohet një paragraf i cili të përcaktojë të drejtën e klientit për të hequr dorë nga kontrata, brenda një afati të caktuar nga njoftimi dhe pa asnjë kosto shtesë, në qoftë se ai nuk është dakord me ndryshimet e bëra, për ato raste kur nuk parashikohet kjo e drejtë e klientit në kontratë. Ky rekomandim i referohet sidomos kontratave për depozitat apo për llogaritë bankare.

Nëse në kontratat e kredisë banka nuk mund të aplikojë ndryshime të njëanshme, e njëjta gjë nuk vlen për produktet apo shërbimet e tjera. Për shembull, banka mund të ndryshojë në çdo moment interesin e depozitës apo komisionin mbi llogarinë, duke qenë e detyruar vetëm ta njoftojë klientin, por pa pasur nevojë për miratimin e  tij. Autoriteti i Konkurrencës sugjeron që, në rastet kur kushtet e aplikuara nga banka ndryshojnë, klienti të ketë të drejtë të mbyllë depozitën apo llogarinë pa penalitete.

Të nxitet e-banking dhe kartat lokale

Autoriteti i Konkurrencës ka adresuar disa rekomandime që lidhen me nxitjen e instrumenteve të pagesave në distancë, si një mënyrë për nxitjen e konkurrencës dhe uljen e kostove për bankat dhe klientët. Autoriteti çmon se janë të nevojshme iniciativat për promovimin e shërbimit të internet banking nga Banka e Shqipërisë, duke modernizuar sistemin e pagesave. Megjithatë, Banka e Shqipërisë shprehet se adoptimi i shërbimeve të e-banking është zgjedhje e vetë bankave, duke pasur parasysh edhe faktin që këto shërbime  kanë kosto të larta, që lidhen me investimet në teknologji , si dhe me sigurinë dhe integrimin e tyre me sistemet e brendshme informative të bankave. Për shkak të kostove, shërbimet e e-banking janë më pak të përballueshme nga bankat e vogla.

Autoriteti i Konkurrencës rekomandon gjithashtu stimulimin e kartave lokale, me kosto më të ulëta se  kartat e skemave ndërkombëtare MasterCard apo Visa etj, që do të mundësonin më shumë përdorim dhe pranim të pagesave, pasi kostot do të ishin më të ulëta për bankat, rrjedhimisht edhe për klientët. Nxitja e skemave lokale do të rriste dhe presionin konkurrencial të bankave më të vogla, ndaj bankave të tjera prezente në këtë treg, të cilat kanë një fuqi ekonomike më të madhe dhe mundësinë për t’i subvencionuar këto produkte. Gjithashtu, mbështetur edhe nga sugjerimet e dhëna nga bankat në lidhje me nxitjen e skemës së pagesave nëpërmjet kartave, Autoriteti vlerëson se lind nevoja e një kuadri rregullativ nga institucionet dhe organet shtetërore që të synojnë uljen apo limitimin e përdorimit të transaksioneve cash, rregullimin e tregut lidhur me pagesat me karta, vendosja e një rregulli për bizneset për kalimin e një pjese të xhiros me anë të kartave ose ndryshe rritja e numrit të pikave të shitjes që pranojnë pagesa me kartë. Ndërsa nga ana e kërkesës, lind nevoja e edukimit të konsumatorëve, tregtarëve, bizneseve, mbi lehtësinë, shpejtësinë dhe sigurinë e përdorimit të kartave.

 Ombdusman për klientët e bankave

Autoriteti i Konkurrencës ka përsëritur rekomandimin për krijimin e një strukture të veçantë, për mbrojten e të drejtave të klientëve në raport me bankat tregtare. Më konkretisht, Autoriteti i rekomandon Komisionit të Mbrojtjes Konsumatore propozimin e nismës ligjore për ngritjen e një strukture të veçantë (Ombdusman) për mbrojtjen e konsumatorëve nga abuzimet e mundshme të sistemit bankar.

Ombdusman për klientët e bankave duhet të ngrihet si një autoritet publik në shqyrtimin e ankesave të klientëve në lidhje me produkte të ndryshme të ofruara nga bankat e nivelit të dytë. Ky rekomandim i Autoritetit të Konkurrencës mbështetet edhe nga Banka e Shqipërisë. Sipas komentit zyrtar të BSH, ekzistenca e një autoriteti të tillë publik, do të promovonte të drejtat e konsumatorëve. Ky mision mund te realizohet nëpërmjet kompetencës së këtij autoriteti publik, të pavarur nga Banka e Shqipërisë, për urdhërimin e kryerjes se verifikimeve apo hetimeve tek bankat tregtare. Autoriteti mund të luajë një rol të rëndësishëm në grumbullimin dhe në përhapjen e informacionit, lidhur me të drejtat e klientëve të bankave dhe edukimin e tyre, por, edhe duke propozuar zgjidhje konkrete të problemeve të sjella nga konsumatorët, përmes instrumenteve me natyrë ligjore. Autoriteti rekomandon gjithashtu ndërmarrjen e nismës nga Shoqata Shqiptare e Bankave për krijimin e një kodi të sjelljes së bankave dhe subjekteve financiare ndaj klientëve të tyre, me qëllim rritjen e transparencës në shërbimet dhe produktet që ato u ofrojnë klientëve. Ky rekomandim mbështetet plotësisht edhe nga Banka e Shqipërisë.

 

Klienti të zgjedhë vetë noterin dhe vlerësuesin

Një problematikë e njohur për shumë kredimarrës të sistemit bankar është zgjedhja e palëve të treta që kryejnë shërbime të lidhura me kredinë. Këtu përfshihen noterët, që kryejnë noterizimin e kontratave të kredisë apo vlerësuesit e pronës së lënë si kolateral. Nga hetimi i përgjithshëm, ka rezultuar se ende sot shumë banka i drejtojnë klientët te një listë e paracaktuar noterësh, të zgjedhur prej tyre. Autoriteti i Konkurrencës rekomandon që klienti duhet të zgjedhë lirshëm noterin, pa kufizime nga banka.

Gjithashtu, rekomandohet që të gjitha bankat duhet t’i mundësojnë klientit që të zgjedhë një vlerësues nga një listë paraprake e miratuar nga vetë banka, me qëllim zgjedhjen e shërbimit më të mirë për të, bazuar në koston e vlerësimit dhe afatin kohor të përfundimit të tij, dhe jo të zgjedhë banka vetë, siç ndodh me shumicën e rasteve.

Sigurimi i kredisë, bankat dhe BSH kundërshtojnë rekomandimin

Një çështje e ngjashme, por që ka ngjallur më shumë debate mes palëve, është ajo e përzgjedhjes së shoqërisë që kryen sigurimin e jetës së kredimarrësit dhe pronës së lënë si kolateral. Autoriteti i Konkurrencës risjell në vëmendje rekomandimin e muajit maj të këtij viti, ku është shprehur se bankat e nivelit të dytë, ndërmjetësit financiarë dhe të gjitha shoqëritë e licensuara në sektorin financiar kanë detyrimin t’u sigurojnë klientëve lirinë e zgjedhjes së shoqërisë së sigurimit për çdo kontratë, duke hequr klauzolat e ekskluzivitetit apo ato përjashtuese. Por, ky rekomandim kundërshtohet nga bankat, me argumentin se policat e sigurimit shërbejnë si mjet për zbutjen e riskut të bankave, në kuadër të praktikave për menaxhimin e rrezikut të kredisë. Rrjedhimisht, bankat gjykojnë se ato duhet të jenë të lira të përzgjedhin, bazuar në analiza të thelluara, shoqëritë e sigurimit me të cilat do të bashkëpunojnë. Ky këndvështrim mbështetet edhe nga Banka e Shqipërsë, që sugjeron si një kompromis evitimin e ekskluzivitetit të plotë, por edhe dhënien e një të drejte zgjedhjeje për klientët. BSH propozon që klienti të ketë mundësinë të zgjedhë në një listë të kompanive të sigurimit, të miratuar paraprakisht nga banka.

Alernativat e investimit

Në kushtet kur tregu i depozitave po përballet me normat me të ulëta të interesave në vitet e fundit, Autoriteti i Konkurrencës i rekomandon Bankës së Shqipërisë që, nëpërmjet mekanizmave të saj informues, t’u krijojë kushte dhe mundësi klientëve për orientimin e tyre drejt instrumentave të tjerë financiarë më fitimprurës. Sipas rekomandimit, parë në këndvështrimin e ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, orientimi i klientëve drejt instrumenteve të tjera financiare brenda sistemit bankar, si Bono thesari, Obligacione, apo produkte të reja të sistemit, do të rrisë konkurrencën mes bankave nëpërmjet politikave më favorizuese për klientin, do të shtojë mundësitë e zgjedhjes së konsumatorëve dhe do të siguronte më tepër të ardhura për klientin nga instrumentet investues me fitimprurëse brenda sistemit bankar.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë e ka pritur me rezerva këtë rekomandim. Sipas saj, promovimi i alternativave investuese për klientët jashtë sistemit bankar duke “iu larguar” depozitave, konsiderohet “delikat”. Banka e Shqipërisë shprehet se ajo ka si objektiv të saj stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit bankar dhe do të promovojë në çdo kohë kanalizimin dhe përdorimin e produkteve dhe shërbimeve nëpërmjet sistemit bankar e financiar nga ana konsumatorëve.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN