Nga Andreas Dushi
Për tri netë radhazi në teatrin “Migjeni” të Shkodrës u vu në skenë drama “Rrethi” e autorit Arthur Schnitzler nën regjinë e austriakut Alois Gallé. E përbërë nga dhjetë dialogje, ku në fundin e secilit aktrohej kryerja e një akti seksual i çdo forme, drama nuk u mirëprit apsak nga publiku shkodran.
Që në natën e premierës teari ishte i mbushur vetëm 30%, për të vijuar me dy netët e tjera ku nuk ishin më tepër se 30 vetë në sallën që zë sëpaku edhe njëzetë herë aq. Për të kuptuar arsyen e kësaj braktisjeje thuajse totale, le të zbërthejmë pak dramën.
Ajo është shkruar 100 vjet më parë dhe pas premierës në Vjenë e Berlin, nuk është lejuar të luhet sërish në teatër. Ndalimi përligjej nga skenat e forta erotike e seksuale të cilat kalonin në vulgaritet, diçka që shoqëria austriake e asaj kohe dhe ajo shqiptare e ditëve tona nuk mund ta pranojë.
Sipas drejtoreshës së teatrit, regjisorit dhe aktorëve, drama duhet parë si një lloj “revulocioni” i cili sjell një qasje të re në skenat shqiptare, por a kanë shqiptarët vërtetë nevojë për të tilla risi? Kjo gjë duket se merr përgjigje duke parë sallën e boshatisur.
Ndonëse që më parë thuhej se drama kishte “konotacione të forta erotike”, publiku që zinte ato pak karrige në sallën e boshatisur nuk ishte në moshë të re. Kështu ndodh edhe kur bëhet fjalë për të tjera shfaqje: Mosha mesatare e publikut është mbi 45 vjeç. Dhe kjo është më problematike se një dramë e destinuar të dështonjë akoma pa u vënë në skenë.
Rruga nga qendra e Shkodrës deri në teatër është e mbushur me lokale në të katër anët. Asnjë tryezë e lirë. Djem të rinj të cilët konsumojnë kryesisht kafe dhe vënë ndonjë skedinë, ose burra të moshuar, me gjasë të martuar të cilët hanë qofte e rrëkëllejnë birrë apo raki. Nëse dikur, kur dilje nga teatri e dëgjoje publikun të fliste për dramën e shfaqur, tani veshi të kap kombinime skedinash dhe rezultate ndeshjesh.
Në të djathtë të teatrit “Migjeni” ndodhen dy lokale. Ditën e shtunë, aty kishte “MUZIK (pa ë në fund) Live” ku këngëtarë “të njohur” performonin për publikun shkodran. Këngëtarët “e njohur” në të vërtetë ishin një djalë dhe një vajzë, pjesë e minoriteteve etnike të cilët këndonin tallava të pastër, aq sa mund të jetë e pastër tallavaja.
E çuditshme! Të dy lokalet ishin plot. Kishte nga ata të rinj që rrinin në këmbë në pritje të një vendi. Ose të tjerë që mbështeteshin ku të mundnin dhe nuk rrinin pa shijuar tallavanë.
Në të tillë vend është e vështirë të bësh art kur kafenetë dhe tallavaja janë duke zënë shtigjet e njerëzve drejt teatrit, edhe pse duhet thënë se vulgariteti i dramës “Rrethi” nuk i la asnjë shteg artit tek Migjeni!