MENU
klinika

Teatri “Migjeni”

Drama erotike u prit me sallën gjysëm bosh

15.09.2018 - 16:03

Mbrëmjen e së Premtes, u ngjit në skenën e Teatrit “Migjeni” drama e shumëdiskutuar “Rrethi” me regji të austriakut Alois Galle, shkruar nga autori Artur Shcnitzler. Një shfaqje erotike, ku hyrja në teatër lejohej vetëm për moshat +18 vjeç, solli mjaft diskutime në Shkodër nëse duhej shfaqur apo jo. Gjithsesi në natën e parë, “Migjeni” ishte i mbushur vetëm në masën 25 – 30% të tij. Për regjisorin Alois Galle ky ishte një sukses:

“Më pëlqeu mënyra se si u interpretua megjithëse ka gjithmonë nevojë për përmirësime. Spektatorët mu duken të kënaqur dhe aktorët interpretuan mjaft mirë. Besoj se është momenti që kudo në botë njerëzit të përballen me realitetin dhe ta pranojnë atë”.


Ndërkohe aktorja Ina Gjonçi pranon se tradhëtia në çift dhe marrëdhëniet pa dashuri, janë të pranishme në çdo ditë të jetës sonë:

“Jam e kënaqur me interpretimin dhe me mikpritjen në Shkodër. Ky është një qytet artdashës dhe skena të tilla nuk besoj se duhet të përbëjnë problem. Në fund të fundit, ky është realiteti i sotëm. Gënjeshtra, tradhëti, pabësi tek çiftet prandaj kjo shfaqje godet këto fenomene”. – shton ajo.

Përgjigjen nëse kjo shfaqje erotike do të mirëpritet mirëfilli nga qytetarët shkodranë do ta mësojmë në natën e dytë dhe të tretë të kësaj shfaqje, nëse publiku do të mbush plotësisht sallën apo jo.

Përgatiti: K.ZH.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Teatri “Migjeni”

Shfaqja që provokon rëndë