MENU
klinika

Intervista

Dren Abazi: Unë jam kitaristi që këndoj

23.09.2018 - 10:20

Nga Ilnisa Agolli/

Ka shumë mënyra për të dëgjuar muzikën e tij: të jesh i ulur në një kolltuk duke lexuar një libër, duke ecur, duke puthur, duke nisur një tjetër ditë apo përgjatë punës dhe mbrëmjeve, nga ato romantiket deri tek ato të ftohtat vetmitare me një gotë përpara.

Po flasim për Dren Abazin, këngëtarin që duket sikur na thërret përmes çdo kënge duke na krijuar mundësinë për të zbuluar një tjetër shteg pas diçkaje që na mundon dhe gjetur kështu përgjigje të shumë pyetjeve tona, të cilat jo pak na vërtiten në mendje.

Me një kapele në kokë dhe sytë plot dëshirë ai flet për muzikën e tij për Konica.al ndërsa e ndajnë vetëm pak ditë nga koncerti recital që do të mbajë në amfiteatrin e Tiranës më datën 27 shtator. Dreni është artisti dhe “Mbreti natës” që do të na ngjethë jo vetëm me zërin por mbi të gjitha me atë të cilën ai e quan “qënie të gjallë” : kitarën.

⁃ Cili ka qenë impakti parë me këtë instrument? Çfarë është kitara për ty?

D. Abazi: Kitara për mua është instrumenti i parë që kam mësuar të luaj. Ai me të cilin jam rritur dhe rrethuar. Kam lindur në një familje ku im atë ishte kitarist shumë i njohur në vitet ’80-të në Kosovë, kjo në periudhën e artë të rock-skenës në Prishtinë e cila asokohe ishte e ndikuar fuqishëm prej skenës Jugosllave. Unë mbi të gjitha jam kitarist dhe jo këngëtar. Kitara është shumë e rëndësishme në jetën time dhe një instrument që në muzikën që prodhoj ka një vend tejet të madh.

⁃ Përse po kthehesh prapë në Tiranë?

D. Abazi: Tirana është një çerdhe nga e cila unë shtegtoj tërë kohën për t’u rikthyer gjithmonë. Zakonisht pohoj shpesh se në Prishtinë kam shtëpinë por në Tiranë kam zemrën. Është e çuditshme si kjo Tiranë më fal gjithëherë momente të jashtëzakonshme dhe e di që janë vështira të përshkruhen këto ndjesi? Por ajo që me mbush plot është publiku i Tiranës i cili më ka mbështetur, emocionuar dhe përkrahur sa herë unë kthehem. Kur nuk jam këtu, e vërej shpesh mungesën që më lë Tirana pavarësisht se koha kalon.

E ndjej gjithmonë. Ndërsa sa i përket datës 27 shtator për koncertin që do të zhvillohet, ishte një ide e Bashkisë së Tiranës dhe organizatorëve të tjerë të APR-së të Amfiteatrit të Tiranës dhe assesi nuk munda ta refuzoja këtë ftesë.

Më ka rastitur përpara 10-të vjetësh ta shoh atë park në mjerim dhe rrënim, ndërsa tani jam i lumtur që i është kthyer Liqenit Artificial me magjinë e humbur. Besoj se edhe koha është ideale dhe e veçanta e kthimit tim këtë herë është se do të vij me një orkestër të madhe të përbërë prej 15-të vetash. Do të luaj një BEST OFF , midis albumit të ri dhe atij të vjetër. Andaj mendoj se si “open-air” koncert do të jetë një mbrëmje mjaft e këndshme.

⁃ Je ndër të rrallët artistë që thuajse të gjithë e njohin repertorin tënd, duke u bazuar kjo dhe në koncertin tënd të fundit në Tiranë. Si ndjehesh kur publiku këndon bashkë me ty të gjitha këngët?

D. Abazi: Sepse muzika që bëj nuk është komerciale në sensin që e dëgjojnë 90-të përqind e njerëzve. Ky është një kompliment shumë i bukur për mua. Por kuantiteti gjithsesi nuk nënkupton kualitet. Megjithëse, sa i përket kësaj më vjen mirë nëse është kështu, por le të mos harrojmë se gjithësecili artist e ka publikun e vetë. Normalisht, vlen të theksohet se publiku këtu është shumë i edukuar edhe besoj se përpara se të shkojë në një opera, koncert apo shfaqje teatrale informohet mirë.

⁃ Po ti a shkon në opera?

D. Abazi: Të them të drejtën kam 5-6 vjet pa shkuar në opera, por më pëlqen shumë muzika klasike dhe në kohë të lirë në gati 90-të përqind të rasteve, e dëgjoj atë.

⁃ Të frymëzon?

Mbi të gjitha më qetëson, sado dramatike mund të jetë. Mua, muzika klasike më jep një ndjenjë supreme.

⁃ Po përgjithësisht çfarë dëgjon?

Më pëlqen shumë të dëgjoj muzikë instrumentale që këtu i thonë: orkestrale. Më pëlqejnë “soundtrack” të filmave të ndryshëm. Këto kohë po dëgjoj shumë kolonën zanore të filmit “Cinema Paradiso” të Giuseppe Tornatore-s me kompozitor. Ennio Morricone. Për mua, mbetet THE BEST.

⁃ Ke menduar ndonjëherë të luash në një film? Se je dhe shumë i bukur!

Kam luajtur në fakt në një film dhe kam bërë muzikë për shumë filma të shkurtër.

⁃ Nga repertori që do të këndosh më 27 shtator, ke ndonjë peng rreth ndonjë kënge? Në sensin kur I kthehesh muzikës tënde çfarë të kujtohet se mungon apo të ishte bërë më mire?

D. Abazi: Normalisht mendoj se shumë këngë, veçanërisht nga ana interpretative që i kam kënduar para shumë vitesh, tani dua t’i këndoj disi më ndryshe se njeriu vjen duke u pjekur, dihet botërisht ( qesh ). Edhe mendoj se kohët e fundit kam mësuar të këndoj më mirë, se nuk është se kam ditur shumë të këndoj. Kam qenë shumë i fokusuar në kitarë. Një farë kohe ushtrohesha edhe 10-të orë në ditë. Kam qenë i obsesionuar pas saj.

⁃ Do të dëshiroja të ndaleshim pak tek tekstet. Një prej elementeve më të rëndësishëm të muzikës. Ç’më thua?

D. Abazi: Absolutisht. Rëndësia e tekstit është e jashtëzakonshme. Sidoqoftë, një tekst i bukur me një melodi të zbehtë, humbet. Nëse do të rendisja komponentët që e bëjnë një këngë si produkt të suksesshëm janë: vija melodike (kryesorja), teksti dhe më pas ritmi. Unë fjalën e dua edhe tekstet i trajtoj me shumë seriozitet. E trajtoj tematikën me një qasje po të këtillë.

⁃ Çfarë është ajo që të ngacmon përpara se të shkruash. Kur shkruan?

D. Abazi: Më merr shumë kohë kjo gjë. Fjala, vargu, historia. S’e mohoj, nuk jam shumë i talentuar për këtë pjesë. Unë mund t’i kem tekstet e bukura sikundër thonë, por shpenzoj shumë kohë që ato të marrin formën që unë dua. Gjë tē cilën nuk mund ta them për meloditë. Jam në gjendje të bëj 10-të në ditë.

⁃ Në fillim teksti dhe pastaj muzika, apo anasjelltas? Si duhet të funksionojë?

D. Abazi: Jo, muzika më pas teksti sepse ka shumë rëndësi ndjesia që të jep melodia.

⁃ A ndikohesh tek realiteti yt sa i takon kësaj pjese?

D. Abazi: Gjithësecili tekst ka diçka nga personalja jonë, por jo çdo gjë është e njëjtë në atë që zhvillohet aty. Ndikohem edhe nga histori që dëgjoj, njerëz të ndryshëm që takoj apo filma dhe tregime që lexoj.

⁃ Fjala vjen, le të ndalemi pak tek MBRETI I NATËS. Na e tregoni pak historinë, duket se e do shumë këtë këngë derisa dhe koncerti vjen me të njëjtin titull të këngës.

D. Abazi: Kënga “Mbreti i natës” është mbase e vetmja që nuk është tipike dashurie. Është kënga ime e preferuar. Është si të thuash “modus- një mënyrë jetese”. Një lloj autokritike, një vizatim i vetvetes apo një gjendje e lirë që gjithësecili nga ne e gjen veten apo jo?

⁃ Unë do të thoja të gjithë! Faleminderit.