Numri i pasagjerëve në transportin ajror këtë vit ka arritur pothuajsë në dy milionë. Tregu i transporti ajror të pasagjerëve gjatë tetë muajve të parë të vitit është rritur me mbi 14%. Ky treg po merr shtysë nga rritja rekord e numrit të turistëve gjatë sezonit veror.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, vetëm për gushtin numri i pasagjerëve nga Aeroporti i Tiranës arriti në 376 mijë, me një rritje 15% krahasuar me një vit më parë.
Statistikat zyrtare tregojnë se për tetë muajt e parë të këtij viti, Shqipërinë e vizituan 4.4 milionë shtetas të huaj, në rritje me 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa daljet e shqiptarëve jashtë vendit arritën në 3.6 milionë, në rritje me 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu i transportit ajror të pasagjerëve po rritet për të shtatin vit radhazi dhe potencialet janë ende të mëdha. Ndërkohë që pritet hyrja në treg operatorit Air Albania, ende duket larg nisja e fluturimeve nga aeroporte të tjerë veç atij të Tiranës.
Aeroporti i Kukësit pritet të jepet me koncesion te dy operatorë privatë, megjithatë, gara ende nuk është hapur zyrtarisht. Që nga fillimi i vitit qeveria po negocion gjithashtu me disa kompani turke për ndërtimin e një aeroporti në Vlorë, por deri tani nuk ka asnjë informacion lidhur me ecurinë e diskutimeve.
Ndërkohë, kompania që menaxhon Aeroportin e Tiranës po realizon fitime gjithnjë e më të larta. Vitin e kaluar, TIA arriti një fitim neto prej rreth 18 milionë eurosh.