10.09.2018 - 14:44
Leku e nisi me humbje javën në kursin e këmbimit valutor. Kursi me euron ngelet më i qëndrueshmi, ndonëse sërish monedha europiane regjistroi një rritje shumë të lehtë dhe u këmbye të hënën në vlerën e 126.51 lekëve. Kjo qëndrueshmëri lidhet edhe me ndikimin e ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, që prej tre muajsh ka vendosur të mbajë nën kontroll kursin, në funksion të objektivit të inflacionit.
Ndërkohë, leku është zhvlerësuar në përmasa më të ndjeshme ndaj valutave të tjera të rëndësishme, dollarit amerikan dhe paundit britanik. Ky zhvlerësim është pasqyrim direkt i ecurisë së kursit të këtyre monedhave ndaj euros.