MENU
klinika

Java e Trashëgimisë Kulturore

Edukimi përmes Kulturës

28.09.2018 - 15:02

Me rastin e 29 Shtatorit, “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore” dhe të “Javës Europiane të Trashëgimisë Kulturore”, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Drejtorinë e Turizmit e të Trashëgimisë Kulturore të Bashkisë Tiranë, realizoi projektin “Muzeu lëvizës” dhe shkoi në shkollën 9-vjeçare “Feti Vogli” në Njësinë Administrative Baldushk.

Një autobus i zakonshëm u kthye në një ekspozitë ku nxënësit u njohën me historikun e disa prej objekteve të trashëgimisë kulturore. Ekspozita e “Muzeut Lëvizës” përmbante riprodhime nga koleksionet muzeore të ruajtura në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, të cilat i përkasin periudhave të ndryshme historike.

Nxënesit vizituan ekspozitën e improvizuar brenda autobusit dhe u shprehën se kjo mënyrë organizimi ishte ora mësimore që ata do të parapëlqenin. Gjithashtu, ata u bënë pjesë e një prej aktiviteteve edukative të Muzeut Historik Kombëtar me titull “Arkeologu i vogël”.

Ky aktivitet synoi përfshirjen e komuniteteve në zhvillimin e politikave kulturore, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës kulturore në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë. Nёpёrmjet këtij projekti synohet që, koleksioni tё bёhet i njohur pёr njё publik mё tё gjerё, pёr tё bёrë njё lidhje mё domethёnёse me objektin, nё tё njёjtёn kohё duke kontribuar nё forcimin e identitetit tё muzeut, duke përfshirë bashkëpunimin me qytetarët, komunitetin e shoqërinë në ndërgjegjësimin e të rinjve për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të “Javës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore” do të zhvillojë një sërë aktivitetesh, mes tyre ekspozita të objekteve dhe pikturave më me vlerë nga fondi I Muzeut Historik Kombëtar, të cilat do të shpërndahen në të gjithë muzetë e qytetit, përfshi këtu Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, Muzeun e Fotografisë “Marubi” dhe Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Folklorike.

Të shtunën, datë 29 shtator, Muzeu Historik Kombëtar do të çelë për publikun ekspozitën “Trashëgimia Kulturore shqiptare nëpër botë”. 29 shtatori do të jetë dita kur do të mund të kujtojmë trashëgiminë kombëtare shqiptare, pjesë e trashëgimisë europiane, ku të gjitha vlerat e saj materiale e shpirtërore bëhensë bashku për t’u përcjellë brezave si dëshmi e identitetit kulturor dhe europian.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN