MENU
klinika

Sadik Bejko

Faik Ballanca, in memoriam

15.09.2018 - 10:48

Kur mendoj sot për Faik Ballancën, kam parasysh një mbresë thatësire (veti kjo e zërit të tij) që shpërndante përreth emocion, temperament, flakë, por me të tilla shpërthime që sikur nuk shkonin me atë shtat, me atë fytyrë ngjyrë gruri të mprehtë e të ftikur, me atë fizionomi rinie dhe si të një bime- s’them dot druri- të vetmuar në një breg të rrahur me erë.

Sytë e zinj shprehës e të ngrohtë, hunda e hollë por e spikatur, gjendja e tij e tensionuar, gjëmb e tendosur, nervoze do të thoje, ishin të rehatuara në ca veshje të bukura për kohën e që e vinin në shenjë për sqimë e shije, në plot kujdesje të rreptë, në lozonjari dhe seriozitet njëherësh. Ishte trup pakët, krahë hollë, molla e Adamit shkëputej sqep e mprehtë sikur do t’ia shqyente atë qafë të lakuar nën një lëkurë të hollë e të lëmuar, por seç kishte një hije sigurie, vullneti dhe vetëpërmbajtjeje, një vetëpërmbajtje kjo e përkorë, e prerë, e patëmetë, ama e tillë që të krijonte vetvetiu distancë. Herë herë më bëhej se ai qarkohej nga një harkim terrësie… që më trembte.

Veç zëri i tij në atë fytyrë me rreptësi e krenari, me atë gojën e vogël kryeneçe -sikur buzët i merrnin majuca të mprehta kur fliste- ky zë pra kishte dhe thyerjet e ëmbëlsisë. Pa ta shihje kur merrte zjarr: si një adoleshent, si një xhind i ëmbël e shumë vetëkërkues në të lartën, në të drejtën, që pandehte me mendjen top se i zotëronte dhe donte t’i impononte –qoftë dhe vetëm duke i shpallur në të kotë, a duke ua shpallur fortë të tjerëve. Nuk bënte përpjekje për të të afruar. As të largonte. Ai kishte personalitet. Po, e kishte atë prerjen e vaçantë dhe kjo i mjaftonte, e dinte se e kishte, vetvetiu. Dhe kaq.

Nuk kam qenë ndër miqtë e tij.

Faiku nuk ishte nga ata që kishin zënë radhën për të pasur miq kudo e kurdoherë në çdo cep rruge. Në llafomaninë e atyre letrarëve që ajo kohë i krijoi me shumicë e që i gjeje kudo nëpër Tiranë- të kulturuar, gjysmë të kulturuar, nga klasa punëtore, entusiaztë, sherretë, të dyshimtë, ëndërrimtarë, të përhershëm klubhanesh, të pirë nga pak- Faiku kishte shijen e veçimit disi nazik, do të thoje. Ai ashtu i hekurosur, i pastër, me hundën disi përpjetë shpejtonte sikur me shalët e tij si dy gërshëra të holla dinte veç të ecte, të priste ajrin. S’e lodhte kjo lloj tendosjeje e pandërprerë vallë? E një prirje prej malësori për mos ta dhënë kurrë zemrën në pëllëmbë të dorës, një prirje për të qenë burrë e burrëror para kohe.

Djalë profesori që kishte një shtëpi me kopsht në kryeqytet, student i mirë, jo bjerrakohës, me gjuhë të huaja, madje dinte gjermanisht ( një gjuhë pak e përhapur tek ne), botonte tregime të bukura (kur të tjerët e nisnin me poezi), djalë përsëmbari që mëtonte të ishte dikushi. Thoshin se në shtëpi kishte dhomë më vete për studim, dhomë pune. Kjo për kohën ishte me të vërtetë e tepërt; jo shumë, po shumë herë më përtej se sa e tepërt.

Djelmoshat e rinj, moshatarët e tij që dergjeshin e rraseshin të larë e të palarë në dhomat kolektive të konvikteve spartane të atëhershme, e që lektiseshin pas politikës, gazetave, poezisë, çorapegrisur dhe xhepashpuar, të djegur për një vendpune në Tiranë e që do të rekrutoheshin e kullufiteshin lehtësisht nga politika, këta djem që kishin shijuar botimet e para të shkrimeve në gazeta, do të mendonin se Faiku për nga rrangu, jetesa, shijet ishte një i përkëdhelur, për të mos thënë disi, pak… borgjes.

Politika, në mos për kullufitje, të duhej për mbështetje dhe Faiku (edhe Fairu?) shpejt a vonë do t’i përsillej atij litari që s’i shpëtoje dot. Por Faiku i edukuar, ishte sa me personalitet të formuar, aq edhe i sigurt për të ardhmen në letërsi, aq edhe me atë “thyerjen” e vrullin e së qeshurës që e nxirrte nga kopsitja, karfosja e përpiktë e veshjeve të tij. Kështu midis vetëpërmbajtjes dhe karakterit shpërthyes, midis seriozitetit dhe ëmbëlsisë, ai njeri të bëhej i pranueshëm për të mos thënë, se në plotërinë e tij, të zgjonte respekt. Edhe tregimet e tij kështu i rridhnin, të përkora, plot emocione si shpërthimet me sytha të marsit, të lastarëve të rinj me fryte nga nën lëvoret e forta të drurëve në kopshtet e shtëpive tradicionale tiranase. Po jo, ai nuk ishte fare çun Tirone. Jo, tironsi, me atë: ku rafsha mos u vrafsha, me atë: ne me lazëm, mër jahu, nuk i shkonte fare Faikut ambicioz, Faikut të fortë.

Ishte dibran në origjinë. Dhe në rrembat e tregimeve të tij kishte një damar të një mademi tjetër: kishte pak histori, pak epikë, një lëng i trashë si rrjedhë tunxhi drejt prej rapsodive me jehe prej Kosove a prej Suli vinte në tregimet e tij në një prozë poetike të përmbajtur ngrohtë, një rapsodi në prozë me detajin impresionist, detajin simbol, me ritmin e përpiktë të prozës e poezisë, me detajin përsëritës lajtmotiv, me gjetjen narrative, gjetje që dhe sot i bëjnë të paharruara disa nga tregimet e tij.

Mjerisht iku shpejt e tragjikisht. Ra në rrugë e sipër, papritur, drejt e në gojën e fatkobit të vet. Askush nuk e priste…Ishte 5 marsi i viti 1977. Vetvrasjet e shkrimtarëve në letërsinë shqipe mbase fillojnë me atë.

Mbas plenumit famëkeq, Plenumit të katërt, 1973, kur shumë të tjerë e pësuan, Faikut sikur po i ecte. Zuri punë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Madje u zgjodh anëtar i Kryesisë. Por atë shpejt e çuan të bëjë stazhin e partisë në kantieret e Veriut.

Më kanë thënë se atje nuk e ndjente veten mirë. Këto i kam me të dëgjuar se nuk isha më në Tiranë.

Atëherë shumë shkrimtarë e artistë nga kryeqyteti i dërgonin në bazë. Të njihnin jetën. Të edukoheshin në radhët e klasës punëtore etj etj. Të bënin në prodhim stazhin e partisë.

Një artist i njohur, pasi u tremb e i shkau mendja nga grykat e galerive ngjethëse nëntokësore, i pyeti minatorët se si e ndienin veten ata në këto mëngë të lemerisura balte, terri, lagështie dhe ere të rëndë prej kalbësie, ndotjeje e gazesh heluese nëntokësore. Minatori iu përgjegj: ne jemi këtu… ne hyjmë këtu si në koridorin e shtëpisë. Dhe kjo u bë tekst kënge:

Në galerinë e thellë të minierës

Ne hyjm’ si n’ koridorin e shtëpisë

Disi ndryshe ishte jashtë mimniere. Por prapë po ai pisllëk, po ajo ngushtësi zotëronte dhe në banesat e minatorëve, dhe në zymtësinë e jetës te mjediset e përditshme ‘proletare’ jashtë galerive të minierave.

Një artist tjetër, i shtruar me të ngrënat më të mira të atëhershme me shokët e partisë, shtangu tek pa minatorët e zhyer e të shqyer, që u lëshuan nga miniera drejt e në mensë dhe të uritur e nën djersë e nën llum, siç ishin, morën në duart e ndotura nga ato kulaçkat më të lira që i hanin nevojtarët e ushtarët e një populli në uri të përhershme, Kulaçka pesëlekëshe që i quanim ingrenazhe. Artisti u prek dhe gjithë patetikë si në dramat e realizmit socialist, zëfortë si nga skena u bërtiti: “Minatorë, unë ju adhuroj ju, ju më frymëzoni. Folni, a keni ndonjë nevojë. Ja përse unë jam këtu, folni!”

Nevojë? Ata ishin bërllok, vetë personifikimi i gjallë i një mali me nevoja e halle kurrë të zgjidhshme. Kjo proçkë, ndërsa mbllaçiteshin e pinin, i nervozoi e i vuri në pozitë shokët e partisë e të tryezës së artistit të njohur.

Në Fierzën e atëhershme në mensa nuk kishte lugë. Ato lugë alumini që përdridheshin e nxiheshin menjeherë dhe që në zbor i mbanim në xhepin e vogël të xhaketës ushtarake, ato lugë të pikëllimta, punëtorët sa ua vije në pjatë, i vidhnin dhe në mensat e kantiereve duhet të haje me dorë. Punëtorët “heroikë” që me veprat e tyre po mundnin imperializmin dhe revizionizmin na i vidhnin lugët. Një poet këtë që punëtori përballë teje që kishe ardhur nga Tirana, ndërpriste të ngrënët dhe të jepte të haje me lugën që e mbante në xhep, e shndërroi në një poezi.

A e kishte atë rezervë force për të gënjyer ai Faiku i drejtë, a e kishte atë vrer hipokrizie e cinizmi ai Faiku i brishtë e i rritur me dhomë më vehte, mundte ai që këtë realitet të prishur në themel, ta shndërronte në një poezi të lartë, në më të lartën e poezisë optimiste, siç kërkohej? Kjo mbase donte një tjetër brumë. Të çonin në kantier që të shkruaje vepra, reportazhe të shëndosha, të ndritshme, të partishme. Që për njerëz hallexhinj të thoshe janë njerëz të lumtur dhe heroikë.

Nuk di ç’ ndodhi tek ai sedërliu i pandreqshëm. Nuk është se ai nuk dinte të sillej e të konformohej, të ishte bujar dhe i gjendshëm, të ishte i dobishëm me inelegjencën dhe intuitën që s’e linte kurrë në baltë. Dhe në jetën e përditshme bëje si bëje dhe mund ta gjeje një qëndrim të pranueshëm, po në atë jetën tjetër, në atë prej krijuesi do të lije vallë që ndohtësira të ta fuste dorën thellë? Njeriu, artisti në veçanti, është lehtësisht i prishshëm. Sidomos disa prej nesh nuk duhet t’i çosh deri te një farë caku që… këputet e nuk mban më. Sa të fillojë rrokullima te njeriu… Në ato vite do të kishte dhe vevrasje të tjera artistësh: poeti Viktor Qurku, piktori Edison Gjergo- ky i fundit pasi u dënua dhe u burgos si artist. Edhe këta “me probleme nervore”.

Unë vetëm sa po hamendësoj për Faikun: nuk i njoh rrethanat e tjera. Thashethemet nuk dua t’i besoj…As ato poezitë lehtësisht të fabrikueshme që botohen sot lart e poshtë..

Pa e pasur mik, kam pasur dobësi për Faikun, kam pasur respekt për integritetin e tij si shkrimtar dhe si njeri.

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët