MENU
klinika

Hanah Arendt

Filozofja kundër totalitarizmit

12.09.2018 - 14:56

Hanah Arendti është një nga filozofet më të përkushtuara kundër totalitarizmit dhe regjimit nazist në përgjithësi. Ajo është gjithashtu filozofia e vetme në shumësinë e filozofëve meshkuj.

Hanah Arendti u lind në Hanover më 14 tetor 1906. Duke filluar nga mosha pesë vjeçe, fëmijërinë e kaloi në Konigsberg. I ati i vdiq si pasojë e një sëmundjeje të gjatë, kur ajo ishte vetëm shtatë vjeç. Arendti krijoi poezitë e saj të para në fund të shkollës së mesme në një lice për vajzat.

Pas maturës, më 1924, filloi në Margurg studimet në filozofi, teologji dhe greqisht, por dashuria për filozofinë ishte e pandalshme nga ajo që ndiente për profesorin e saj, Martin Hajdegerin, me gjithë shtatëmbëdhjetë vitet që i ndanin.

Kjo lidhje e fshehtë-Hajdegeri ishte i martuar dhe baba i familjes-vazhdoi deri në nisjen e Arendit për në Haidelberg. Më 1928, ajo mbaroi cursus-in e saj filozofik pranë Karl Jaspersit, me një tezë mbi konceptin e dashurisë të Shën Agustinit.

Në Haidelberg, u takua me Kurt Blummenfeldin, një nga teoricinët sionistë më me rëndësi të Gjermanisë, që u bë ‘’udhëheqësi i saj në fushën politike’’.

Më 1929 u martua me filozofin Gutner Stern dhe filloi –falë një burse të Shoqërisë së Ndihmave të Shkencës Gjermane-një studim mbi biografinë e shkrimtares Rahel Varnhagen, që e përfundoi gjatë mërgimit të saj Parisien më 1938.

Më 1933, Hanah Arendti u arrestua për një farë kohe nga gestapoja, pastaj u lëshua; ajo gjeti strehë në Francë, por qëndroi pa kombësi ligjore deri në marrjen e nënshtetësisë amerikane, më 1951. Në Paris, punoi për një organziatë që ndihmonin refugjatët hebrenj të emigronin në Palestinë.

Më 1936, iu njoh me Hainrish Blusherin (1899-1970) me të cilin u martua më 1940. Në fund të majit të atij viti, u internua administravisht me shumë të tjerë në kampin e Gursit, në jug të Francës, prej nga arriti të arratisej në fund të një muaji.

Në prill 1941, emigroi në Shtetet e Bashkuara me nënën dhe të shoqin dhe u vendos në Njy Jork. Gjatë tre viteve që pasuan, bashkëpunoi në gazetën gjermane Der Aufbau.

Ajo ishte gjithashtu kryelektore në botimet Salman Schocken dhe drejtonte Jewish Cultural Reconstruction Organization, kushtuar ruajtjes së trashëgimisë kulturore hebreje.

Vepra e saj në tri vëllime Zanafillat e Totalitarizmit, i siguroi një famë të madhe. Duke filluar nga viti 1953 dha mësime në universitetet e Pristonit, Kembrixhit, Çikagos dhe Berklit. Korespodente e New Yorker në procesin e Adolf Aikman në Jerusalem.

Sprovë mbi banalitetin e së keqes (1963), Hanah Arendti mori shumë vlerësime, ndër të cilët çmimin Lesing dhënë nga qyteti i Hamburgut. Ajo vdiq më 4 dhjetor 1975 në Njy Jork.

‘’Të mendosh pa parmak’’-kështu e ka cilësuar mënyrën e saj për të filozofuar Anah Arendti. Në të vërtetë është fjala për të menduar në një epokë ku nuk kishte më qartësi natyrore tek të cilat mund të kapeshe.

Në gjysmën e parë të shekullit të XX, idetë e iluministëve-liri, dinjitet njerëzor, humanizëm- ishin shkelur me këmbë nga racizmi dhe antisemitizmi i lëvizjeve fashiste, si dhe nga terrori stalinian ndaj gjithë ‘’elementëve borgjezë’’ dhe komunistëve ‘’deviatorë’’.

Morali dhe shkenca ‘’nacionaliste’’ ose e ashtuquatura ‘’pikëpamje e klasës’’ ishin vendosur tek të vërtetat e shpallura universale nga iluminsitët dhe te ligji moral i përbashkët. Por për ç’arsye humbën vlerat e shoqërisë borgjeze?

Për ç’arsye filozofia dhe shkenca e shekujve XVIII dhe XIX nuk vlejnë më? Në veprën e saj më të njohur, Zanafillat e totalitarizmit, botuar në 1951, Arendti u përpoq t’i jepte një përgjigje politiko-filozofike kësaj pyetjeje, nëpëmjet një iventari historiko-fenomenologjik.

Teza e saj qendrore është se ekzistenca e njeriut modern është shenjuar nga një ‘’humbje e botës’’, çka shkakton atë të vetëdijes së vetes dhe që për pasojë e bën të manipulueshme. Atëherë ajo ‘’vihet në rresht’’, ‘’uniformëzohet’’ (gleichgescaltet).

Arendti i fillon kërkimet me dukurinë e masës së antisemitizmit, që e dëboi nga Gjermania sepse ishte hebreje dhe e çoi te holokausti, katastrofa më e llahtarshme e qytetërimit modern.

Në shoqërinë e masës moderne, shpjegon ajo, dallimet e vjetra klasore u zhdukën gjerësisht dhe barazia themelore e të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë mund të diskutohet vetëm nëse pabarazia shprehet si pabarazi ‘’natyrore’’, domethene raciale.

’’Turma e atyre që u ‘’deklasuan’’ në procesin e zhvillimit kapitalist u mbërthye tek ideja raciste e pabarazisë ‘’natyrore’’ e një grupi shoqëror –ai i hebrenjëve –me qëllim që të siguronte vetë përkatësinë e tij te ‘’populli’’.

Hebrenjtë qenë vulosur, pra, nga një shenjë e veçantë dhe ‘’vegjëlia’’ u përpoq t’i përjashtonte përmes forcës së ‘’trupës së vegjëlisë’’. Arendti i drejtohet teorisë së imperializmit, të përpunuar nga Roza Luksemburgu, për të shpjeguar zanafilën e kësaj ‘’vegjëlie’’ ajo qe produkt i kapitalizmit, që privonte nga funksioni i tyre një numër të madh personash falë një industrie përherë e më efikase, ndërkohë që kapitali i tepërt e bënte objekt të kërkimit sistematik të mundësive të reja, më të vlefshme.

Elitat kapitaliste kërkuan të instrumentalizonin turmën e të deklasuarve dhe të papunëve në funksion të objektivave të tyre: pushtimi i tregjeve të reja nëpërmjet aventurës koloniale dhe shtrirjes luftarake. Por atje ku mungonte ‘’valvula’’ e eksportimit të popullsisë drejt kolonive, si në Gjermani, kjo turmë u bë aq e fuqishme sa ‘’rrugaçët’’, që ishin shpallur shefa të saj, e ‘’shtrënguan’’shoqërinë e mirë’’ të bisedonte me ta si i barabarti me të barabartin. Lëvizja e masës së vegjëlisë kishte qëllim vetëm të impnohej.

Terrori dhe kampet e shfarosjes u bënë objekt i saj sublime, duke vërtetuar se uniformiteti i plotë përligj gjithmonë përjashtimin e individit si subjekt i vetëdijshëm i vetvetes dhe, në fund të fundit, zhdukjen e tij fizike dhe morale.

Mizoritë e nazistëve u bënë të mundshme sepse individë të veçuar, në dobi të një makinerie burokratike, hoqën dorë të jepnin gjykime morale në Jerusalem, në procesin e Adolf Aikmanit, njërit prej oficerëve gjermanë, organizatorëve të ‘’zgjidhjes finale’’ që syononte t’i shkulte hebrenjtë nga Europa.

Aikmani nuk kishte qenë një vrasës për ‘’motive të ulta’’ të zakonshme, por për mungesë mendimi. ‘’Banaliteti i së keqes’’ i vidhet çdo gjykimi moral, përderisa nuk përmban asnjë mendim moral.

Përmes kësaj analize të totalitarizmit, Arendti zbaton në mënyrë shumë konkrete dhe politike teknikën fenomenologjike dhe ekzistencialiste, së cilës i kishte mbetur besnike që nga koha e studimeve pranë Martin Haidegerit.

Ndërsa ky i fundit përmendte me fjalë të koklavitura ‘’harresën –e qenies’’ (Seinsver gessenbeit) të njeriut modern, Arendti tregoi, me anën e një kërkimi shoqëroro-historik të detajuar, se ç’kuptonte me ‘’humbje të botës’’ të këtij njeriu modern.

Te kushti i njeriut modern (1958) ajo u përpoq të përcaktonte shkaqet e thella të procesit historik që çonte në ‘’humbjen e botës’’ së shoqërisë të masës moderne, pra në totalitarizëm, prandaj ajo sugjeroi të ndiqej një rrugë nëpërmjet së cilës ky proces i kobshëm mund të përmbysej.

Zbrazëtia e kuptimit të së tanishmes vjen nga fakti se, në kohët moderne, paraqitjet e praxis shoqëror ndodhen përherë e më tepër të kufizuara në prodhimin e gjërave material nëpërmjet punës shoqërore, Karl Marksi e kishte zbuluar këtë, por pa paraqitur zgjidhje të vërtetë të ndërrimit.

Mirëpo kjo zgjidhje do të mund të frymëzohej, sipas Arendit, nga shembulli i shoqërisë së lashtë greke: veprimtaria politike ishte aty në qendër të vetëdijes së përgjithshme, ndërkohë që puna ishte një gjë shumë më pak e çmuar dhe e lënë gjerësisht në sferën vetjake.

Në lirinë e debatit politik, grekët vendosnin gjithmonë, në çdo diskutim, për një të ardhme të hapur dhe të mbushur me rreziqe, por edhe me premtime.

Ripërshtatja e kësaj sfere politike të jetës aktive ia vlente mundimin, me qëllim që njerëzit të mësonin sërish ta përballonin gjithçka bashkarisht me vetëdije të plotë dhe jo si Aikmanit.

Arendti, me shpresën e këtij rifitimi politik përshëndeti me entuziazëm të gjitha kryengritjet spontane të masave, deri te maji Parisian i vitit 1968.

Në veprën e saj të fundit, mbetur e papërfunduar, ajo kundërvinte ‘vita active vita contemplativa’, duke qenë e mendimit se, të mendosh, të duash dhe të gjykosh përbëjnë mënyrat e ‘’soditjes’’ së botës për një qenie njerëzore.

Dhe vita contemplative është për të gjithashtu politike, për sa kohë që ajo zbulohet para së gjithash në kërkim të gjykimit, Arendti krahason vlerësimin e një fakti politik-për të cilin duhet të jetë i aftë një subjekt politik i lirë –me ‘’gjykimin estetik’’ të Emanuel Kantit: ajo që është politikisht e drejtë ose e rreme, nuk rrjedh nga çfarëdo e vërtetë e siguruar; asgjë nuk është e provueshme me saktësi, por çdo gjë është e komunikueshme, përderisa mbështetet mbi kuptimin e përbashkët të individit.

Ky i bën thirrje shembujve, kërkon aleatë, provon të imponojë atë që i duket universalisht e vlefshme: shkurt, individi merr përsipër përgjegjësi.

Me këtë kthim tek Kanti, Arendti tregonte se filozfia politike moderne punon ‘’duke rrezikuar shumë’’ dhe ‘’pa parmakë’’, larguar sigurive metafizike. Por hapësira ku vendoset kjo filozofi nuk është pa ajër dhe, sidomos, nuk është pa histori.

(Shkëputur nga, ‘’Filozofët më të mëdhenj të kohërave’’ Edmund Jacoby)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit