MENU
klinika

Tashmë edhe në shqip

Giorgio Bassani dhe fantazmat tragjike të së shkuarës

05.09.2018 - 14:12

Giorgio Bassan një nga shkrimtarët më të mëdhenj italianë, tanimë është në shqip me dy vepra: “Gjyzlyket e arta” e 1958 dhe “Kopshti i Finci–Kontinëve” e 1962. Dy rrëfime që na shpien në kujtime fëmijërie e rinie të një djaloshi me origjinë hebreje, ku ndërthuren tragjeditë personale me ato historike në Italinë e viteve 30-të.

Sa më shumë e çmon një shkrimtar, aq më shumë libra do të doje të përktheje prej tij. Kjo më ndodhi me Giorgio Bassanin, prej të cilit njihja vetëm disa tituj. Unë guxova të përkthej kryeveprën e tij, “Kopshti i Finci-Kontinëve” që modestisht e them, do të ishte sfidë për çdo përkthyes të gjuhës italiane, dhe për këtë i jam mirënjohëse Piro Mishës që më besoi jo një, por bashkë me “Gjyzlyket e arta” dy veprat më të mira të autorit ferrarez.

Vepra e Bassanit rrëfen Italinë në vitet e persekutimeve raciale, komunitetin hebre të një qyteti të vogël si Ferrara përgjatë luftës së dytë botërore, kompleksitetin e individiti, krizën personale e më gjerë, atë të një shoqërie ku lindin e shuhen shpresa të mëdha, shpesh me një fund tragjik, si në rastin e familjes Finci-Kontini apo të doktor Fadigatit tek “Gjyzlyket e arta”.

Bassani shkruan për periudhën e luftës por pa e zënë kurrë gojesh atë. Lufta mbetet në sfond, lexuesi e ndjen zymtësinë, e përfytyron pesimizmin, i afrohet territ të përgjithshëm, pa e cikur asnjeherë, pa gjetur një fije ngushëllimi dhe shprese. Në dy veprat e sipërpërmendura nuk gjejmë gjurmë lufte, përpos asaj lufte të brendshme të individit që vihet në kornizën e ambientit: aty individi sprovohet, fiton ose humbet. Dhe këtë luftë Bassani e ka dhënë mjeshtërisht, me kaq intensitet, me kaq shumë përqëndrim, saqë edhe përshkrimet më të rëndomta fitojnë ngjyra nga mjeshtëria gjuhësore dhe letrare e autorit.

Vetë Bassani, hebre dhe antifashist i orëve të para i vendos ngjarjet në Ferrara, qytetin e tij të origjinës, fëmijërisë dhe adoleshencës, sepse vendlindja e vet, sikundër dihet, qe Bolonja. Shumë studiues i kanë dhënë Ferrarës një rol parësor, thuajse magjik në tërë opusin letrar të shkrimtarit. Personazhi-autor, ai personazh që thotë unë por që në vepër hesht për emrin e tij, është i mbijetuari i katastrofës që preku hebrenjtë anembanë Europës. Në një marrëdhënie shumë të ngushtë me bashkësinë ku jeton, ai e vendos rrëfimtarin përballë dy lloj diskriminimesh atë racial dhe seksual.

Personazhi-autor përjeton izolimin e thellë, hendekun social, një miqësi të kushtëzuar nga rrethanat, një dashuri të brishtë që kurrë s’arrin të konkretizohet dhe në fund fatin e kobshëm të personazheve që përpihen, herë nga holokausti e herë nga vetmia sepse e ardhmja do ta kthejë botën përmbys.

Hyjmë së pari në kopshtin e mrekullueshëm që i jep titullin rrëfimit të “Finci Kontinëve” që shtrihet në periferinë e Ferrarës dhe përfshin parkun, shtëpinë dhe hektarë të tëra tok të mbjellë. Aty, larg syve të botës, banojnë Finci-Kontinët, familje e elitës hebraike që nuk ka thuajse fare dëshirë të krijojë marrëdhënie me izraelitët e tjerë të komunitetit.

Kushedi si dhe përse lind një prirje ndaj vetmisë. Mbetet fakt se i njëjti izolim, e njëjta ndarje me të cilën Finci-Kontinët kishin rrethuar të vdekurit e tyre, në shtëpinë e mbrame e të përjetshme, rrethonte edhe shtëpinë tjetër, atë rrethojë të përkohshme që ata zotëronin në fund të rrugës Ercole Primo d’Este. E përjetësuar nga Xhozue Karduçi dhe Gabriele D’Anuncio, kjo rrugë e Ferrarës është aq e njohur për adhuruesit e artit dhe poezisë së mbarë botës sa çdo përshkrim për të është i tepërt.

Në këtë “kështjellë” jetonin Finci Kontinët, të shkëputur nga bota, duke ruajtur një marrëdhënie të brishtë me ambientin e jashtëm, me gjithçka i rrethonte.Një ditë, gati mrekullisht, rrëfimtari kapërcen murin rrethues të pronës përrallore të quajtur Barchetto del Duca i pritur dhe inkurajuar nga një vogëlushe flokëverdhë e quajtur Mikola; pastaj vitet kalojnë dhe vetëm në raste të rralla ata përshëndeten. Janë paralajmërimet për ligjet e reja raciale ato që do t’i afrojnë përsëri me njëri-tjetrin.

Teatër i ngjarjeve është kopshti imrekullueshëm i familjes, një vend i veçuar, intim, larg zhurmave të qytetit, larg njerëzve, simbol dhe element qëndror i krej historisë. Përkundër hebrenjve që jetonin përgjithësisht në geto, kemi familjen e Mikolës dhe Albertos të borgjezisë së lartë ferrareze, që jeton e veçuar brenda mureve që me aq kujdes ka ngritur dhe e mbron.

Jemi në 1938, vitin kur qeveria fashiste vendos ligjet raciale të cilat përjashtojnë nga jeta publike hebrenjtë. Për këtë arsye Mikol dhe Alberto Finci-Kontini, dy të rinj nga borgjezia e kamur hebraike e Ferrarës, hapin dyert e kopshtit të tyre ku ndodhet edhe një fushë tenisi, për bashkëmoshatarët.

Kopshti i mahnitshëm përkohësisht shërben si mburojë e mirë që të rinjtë të largojnë vëmendjen nga ajo që ndodh përreth. Lind aty idili mes narratorit dhe Mikolës, një dashuri e shpresuar, mallëngjyese në dëlirësinë dhe shpirtin poetik, që venitet muaj pas muaji.

Kopshti i Finci Kontinëve, ky klasik i letërsisë italiane mbështillet me një tis trishtimi të vazhdueshëm. Lexuesi paralajmërohet që në fillim se Mikola dhe famlja e saj do të deportohen në kampet gjermane të përqëndrimit ku dhe do të shfarosen, se Alberto do të vdesë fare I ri nga një sëmundje ndërsa rrëfimtari do të kalojë vite të tëra i burgosur.

Në një “kështjellë” të ngjashme me atë të Finci Kontinëve, të ndërtuar pa mure e kopsht, jeton edhe doktor Fadigati I “Gjyzlykeve te arta”, mbi të cilin nuk rëndojnë ligjet raciale ndaj hebrenjve por kësaj here diskriminimi për shkak të prirjeve homoseksuale. Në diversitetin e saj, drama e tij është e ngjashme me atë të narratorit shkrimtar. Është ky refuzim e përçmim i shoqërisë ferrareze që i çon personazhet në vetëizolim e mandej, në fundin dramatik për shkak të mospërputhjes mes individit që kërkon të jetojnë lirinë individuale dhe shoqërisë e cila në një moment të caktuar ka një sistem tjetër vlerash që nuk përputhet me to.

Tek gjyzlyket e arta” romani i parë i Bassanit ku gjejmë edhe gjurmë autobiografike, kemi një tjetër mur që ngrihet dhe shembet sipas rastit, ndaj doktor Fadigatit, homoseksualit të tij, të pakuptuar nga borgjezia ferrareze. Atos Fadigati një mjek otorinolaringolog i nderuar ditën dhe një homoseksual i përbuzur natën, në vezullimin e gjyzlykëve të arta të të cilit fshihet joshja e njeriut të kamur, që në errësirën e radhëve të fundit të kinemasë shtie në dorë, varfanjakë, ushtarë, njerëz që kalonjë netët duke parë filma bardhëezi. Karakteri i tij i rezervuar nuk e pengon të njohë studentët e rinj që udhëtojnë me tren nga Ferrara në Bolonja, e as të dashurohet me njërin prej tyre, Deliliersin, që do ta shfrytëzojë e mandej do ta flake tej si më të pavlerën e gjërave.

Epilogu i trishtë, është vetvrasja e Atos Fadigatit, muret e të cilit janë tejet të brishta për të mposhtur paragjykimet, homofobinë e për të duruar barrën e vetmisë e përjashtimit. Ndryshe nga doktori, rrëfimtari, mik i tij, një student letërsie që me sa duket është i vetmi që arrin ta kuptojë, përballet me antisemitizmin. Në këtë rrugëtim të përbashkët mënjanimi e veçimi, rrëfimtari është pasiv, thuajse i nënshtruar duke zgjedhur fillimisht heshtjen, e më pas arratinë.

Të dy veprat e Bassanit që sot kemi në shqip janë dy lexime komplekse, të nevojshme për kujtesën njerëzore dhe pikë referimi për letërsinë italiane të shekullit të kaluar Në fund dua ta mbyll me atë që shkroi tek “Corriere della Sera” më 28 shkurt të 1962, Eugenio Montale dhe që u vendos si parathënie e romanit “Il giardino dei Finzi-Contini” në botimin e vitit 1980-të.

“Ne lexuesit supozonim, se kishim domosdo ndër duar një libër, një objekt krejt të denjë për nevojat e “tregut”, por përkundrazi, vumë re se orendia ishte disi e pangjashme dhe më shqetësuese se ç’parashikonim; dhe se madje nuk ishte as edhe një objekt. A mendoni përnjëmend se në kohërat që jetojmë, një takim i ngjashëm është i zakonshëm?”