Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri bashkë me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati dhe drejtorin e Autoritetit Rrugor Afrim Qendro inspektuan kantierin e hapur në aksin rrugor Shkodër-Murriqan. Që prej fillimit të javës, në këtë aks rrugor kanë nisur punimet për rehabilitimin e plotë të 12 kilometrave me një vlerë financimi prej rreth 1.5 milionë euro në kuadër të programit të përbashkët me Bankën Botërore për mirëmbajtjen e rrugëve.
Ministri Gjiknuri tha se fokusi i përmirësimit të infrastrukturës është në dy fronte, së pari tek ndërtimi i rrugëve të reja dhe përfundimi i atyre të zvarritura prej vitesh dhe së dyti tek mirëmbajtja. Më tej, ai kërkoi nga Bashkia e Shkodrës që të bashkëpunojë dhe zhbllokojë investimin e qeverisë për bypass-in e qytetit.
“Ne në Shkodër kemi investime tjera të rëndësishme siç është përfundimi i unazës së Shkodrës. Unë i bëj thirrje Bashkisë së Shkodrës që ti japë përfundimisht dritën jeshile të zgjidhjes dhe vazhdimit të atij projekti, në bazë të projektit të rishikuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Gjetëm dakordësinë dhe tanimë shpresojmë në dhënien e dritës jeshile nga bashkia për të vazhduar me punimet për bypass-in duke eleminuar futjen e kamionëve dhe rëndesën e trafikut brenda qytetit. Kryetarja e Bashkisë duhet ta japë këtë zgjidhje që ARRSH të vazhdojë zbatimin e kontratës”, nënvizoi Gjiknuri.
Ndërhyrja parashikon prishjen e shtresave ekzistuese asfaltike, zëvendësimin e nënshtresave në çakëll dhe stabilizant, realizimin e të gjitha shtresave të reja asfaltike në të gjithë gjatësinë e rrugës dhe vendosjen e sinjalistikës rrugore e masave të sigurisë.
Aktualisht, në drejtorinë verilindore të Autoritetit Rrugor është duke u ndërhyrë edhe në segmentet Melgushë-Mjedë 7 kilometra, Ura e Kirit-Mjedë me gjatësi 17.2 kilometra dhe Lezhë –Shengjin (Knalle). Vlera totale e investimit në këto akse shkon në 3.56 milionë euro ndërsa shumë shpejt pritet të fillojë rehabilitimi edhe në aksin Qafë Çelë-Fushë Arrëz me investim 9 milionë euro.