MENU
klinika

Festivali i Teatrit

“Gomari i Babatasit”, satira që fshikullon politikën

29.09.2018 - 11:15

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit do të vazhdojë sot në ditën e parafundit me fillim nga ora 18:00 në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë, me shfaqjen “Gomari I Babatasit”, të sjellë në skenë nga trupa e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës.

“Gomari i Babatasit” e shkruar nga At Gjergj Fishta do të ngjitet në skenë nën regjinë e regjisorit të mirënjohur Altin Basha dhe me muzikë të kompozuar nga Endri Sina. Përshtatja dramaturgjike është bërë nga Stefan Çapaliku. Aktorët e mrekullueshëm të Teatrit “Migjeni” të Shkodrës të cilët do të sjellin të gjallë mesazhin e veprës së At Gjergj Fishtës janë: Zyliha Miloti e Besnik Çinari, Rita Gjeka, Pjerin Vlashi, Jozef Shiroka, Merita Smaja, Simon Shkreli, Rajmonda Markon, Nensi Bakalli, Fric Selmani, Eder Boshnjaku, Divni Gushta.

Në dramën satirë ngjarja ndodh në parlamentin shqiptar. Vepra e Fishtës edhe pse e shkruar në 1923 është aktuale edhe sot për klasën politike shqiptare. Fatkeqësisht edhe pse Fishta e ka shkruar para gati 100 vitesh këtë vepër, ne jetojmë në të njëjtën mënyrë, kemi të njëjtët politikanë. Në këtë satirë vihet në lojë politika shqiptare gjatë gjithë këtyre viteve. Fishta e botoi “Gomari i Babatasit” në një situatë që përkonte me beteja të ashpra politike rreth formës që do të merrte organizimi i ardhshëm shtetëror. Kritika fishtjane me ashpërsinë e saj, që nuk fal askënd, lëshoi mbi kokat e deputetëve, ministrave, gjithfarë zyrtarëve të kohës, talljen, fyerjen, sharjen, nëmën e mallkimin, ironinë, sarkazmën, satirën. Për këto dhe shumë arsye të tjera, vlerat e kësaj vepre janë të shumëfishuara edhe në ditët tona, për më tepër satira e ngjitur në skenë me finesën artistike të regjisorit do të jetë fshikulluese

Kujtojmë se po ditën e shtunë, me fillim nga ora 21:00, në skenën e “arTurbinës” do të ngjitet shfaqja “Babaii” e sjellë në skenë nga Teatri “Skampa” I Elbasanit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN