MENU
klinika

Almanak

Histori/ Çfarë ka ndodhur më 12 shtator?

12.09.2018 - 08:08

490- Në vitin 490 para Lindjes së Krishtit, qytetarët grekë u përballën me pushtuesit persianë të dërguar nga Mbreti Darius I.Persët sollën 20 mijë këmbësorë së bashku me anijet dhe kalorësinë në Maratonë për të ndëshkuar grekët e lashtë. Pavarësisht se të paktë në numër, grekët udhëhoqën një sulm që i shkaktoi ushtrisë Persiane panik dhe bëri që të ktheheshin bashkë me anijet e tyre.

1683 – Ushtri të vendeve evropiane (Francë, Gjermani, Austri) bashkojnë forcat dhe mposhtin ushtrinë osmane në betejën e Vienës. Trupat osmane komandoheshin nga veziri Mustafa Pasha, pjesëtar i familjes së njohur shqiptare të Qyprilinjëve, e cila qeverisi Perandorinë Osmane për dekada.

Kjo fitore i dha fund ankthit te Evropës Perëndimore ndaj rrezikut të pushtimit nga Perandoria e Lindjes. Por rezultati i betejës ndikoi edhe në diçka tjetër. Sipas një gojëdhëne, trupat osmane (rreth 140 mijë) u tërhoqën duke lënë pas qindra thasë me kafe të papjekur që e kishin sjellë për nevojat e veta – ose si paraqitje të kësaj pije lindore në perëndim, nëse do të kishin fituar. Megjithatë, efekti ishte thuajse i njëjtë, sepse sasia e kafesë së lënë pas u përdor si bazë për fillimin e tregtisë austriake të kafesë dhe për famën që do të fitonte “kafeja vieneze”, një lloj ekspreso me shumë ajkë.

1848 – Zvicra bëhet shtet federal.

1919 – Adolf Hitleri anëtarësohet në Partinë e Punëtorëve gjermanë (PPGJ).

1940 – Piktura shpelle zbulohen në Lascaux, Francë. Faqet e shpellës përmbajnë rreth 2 mijë piktura ose vizatime që janë vlerësuar se i përkasin një periudhe prej para 17-mijë vjetësh. Ato tregojnë imazhe kafshësh të mëdha, për të cilat është provuar nga fosilet se kanë ekzistuar në atë zonë. Në vitin 1979, Lascaux u shtua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s.

1943 – Benito Musolini, diktatori i Italisë, shpëtohet nga arresti shtëpiak në Gran Sasso në Abruzzi, nga forcat komando gjermane të udhëhequra nga Otto Skorzeny.

1953 – Ligjvënësi amerikan John Fitzgerald Kennedy martohet me Jacqueline Lee Bouvier në kishën e Shën Marisë në Newport, Rhode Island. Kennedy u zgjodh president me 1961, vdiq i vrarë me atentat në vitin 1963.

1959 – Bashkimi Sovjetik nis drejt Hënës raketën Lunik II.

1968 – Kryeministri Mehmet Shehu i kërkon Kuvendit Popullor të miratojë daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshaves, pasi Bashkimi Sovjetik pushtoi Çekosllovakinë. Kërkesa e tij miratohet të nesërmen. Në fakt, Shqipëria ishte përjashtuar nga ky traktat që në vitin 1961 kur Moska ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Tiranën.

1977 – Aktivisti anti-aparteid i Afrikës së Jugut, Steve Biko vritet në paraburgim. Aktori Denzel Washington luan rolin e Bikos në filmin “Cry Freedom”. Steve Biko është i njohur edhe për slloganin “Black is Beatiful”, kuptuar si: njeriu është ai që është dhe duhet të tregojë më të mirën e vetes.

1990 – Dy shtetet gjermane dhe katër Fuqitë e mëdha nënshkruajnë në Moskë Traktatin mbi zgjidhjen përfundimtare të çështjes gjermane, duke hapur rrugën për ri-bashkimin e dy Gjermanive.

1998 – Vritet në Tiranë deputeti 35-vjeçar Azem Hajdari – ish udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, që çoi në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e pluralizmit politik.

Azem Hajdari ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike, partia e parë opozitare në vend pas periudhës së diktaturës. Hajdari është nderuar me një sërë medaljesh presidenciale. Për vrasjen e tij janë hamendësuar motive nga më të ndryshëm; politike, hakmarrje, rivalitete, grindje etj.