MENU
klinika

Shtëpia e Abat Doçit

Historia shtëpisë së etërve të alfabetit shqiptar

06.09.2018 - 13:25

Nga Andreas Dushi

Kur identiteti shiptar cënohej gjithnjë e më shumë nga njerëz që nuk e donin Shiqipërinë, duke kërkuar të asimilonin popullin në mënyra nga më të ndryshmet, në Shkodër krijohet Shoqëria “Bashkimi” e cila diçka mund të bënte: Të ndalte asimilimin me anë të gjuhës. Synimi i saj ishte i qartë: Të mos lejonte gjuhën shqipe t’i nënshtrohej shkronjave arabe.

Kjo shoqëri u krijua nga Abati i Mirditës, shkrimtari e studiuesi, misionari i palodhur që shkoi gjer në Amerikë e Indi, Preng Doçi. Kjo figurë me influencë të padiskutueshme në politikën e kohës dhe në historinë që studiojmë sot, në një shtëpi në qendër të qytetit, intelektualët më në zë laik dhe klerikë i bashkoi rrotull dëshirës për të dhënë kontribut me sa më shumë peshë në të mirë të atdheut.

Një ndër anëtarët më të rëndësishëm të “Bashkimit” ishte dom Ndre Mjeda i cili qe edhe përfaqësuesi i shoqatës në Kongresin e Manastirit ku u sanksionua alfabeti i sotshëm me grafema latine dhe jo ai me grafema arabe, ndonëse mbrohej nga një pjesë e kongresmenëve.

Ky alfabet, sikurse shkruhet në  revistat “Leka”, nr. 3, viti 1937, fq. 112 “Dom Ndreu [Mjeda] në Kongres të Monastirit në vj. 1908 qet të qujtunin “alfabet i monastirit” që s’asht tjeter veç se ky qi na përdorim sod pa kurrnji ndryshim.” dhe “Kumbona e së diellës” viti 1942, nr. 20, fq. 234 “Sikurse asht dishmue prej pjestarëvet të kongresit, alfabeti i sodshëm asht vepër e D. Ndre Mjedës…”  ishte propozim i Shoqërisë “Bashkimi”.

Pra në shtëpinë e Doçit u mblodhën hartuesit e alfabetit që bëri edhe shkëptujen më të rëndësishme të kulturës sonë nga ajo turke. Kështu kjo shtëpi mbart mbi tjegullat e mbetura, pasi një pjesë e mirë kanë rënë, një peshë historike që nuk mund të zëvëndësohet.

Me një arkitekturë të rrallë, ndikuar nga ndërtesa që anëtarët e saj kanë parë në vendet evropiane ku kanë studiuar, kësaj ndërtese “nuk mund t’i gjendet shoqja në Shkodër”. Përpjekje të shumta janë bërë nga historianë si dom Nikë Ukgjini për t’i kthyer kësaj shtëpie lavdinë e dikurshme duke ndërtuar në të një muze, të ngjashëm me atë që është në Shtëpinë e Alfabetit në Manastir. Por deri më tash, asgjë konkrete.

Në Shkodër, Ministria e Kulturës gjithë ç’bën është vendosja e pllakave që tregojnë kush ka jetuar aty dhe, herë pas here, ndonjë fjalë çfarë ai person ka bërë a ndonjë kontribut që ka dhënë. Kaq. Asgjë më tepër. Kështu ka ndodhur me “Kafen e Madhe”, shtëpinë e Kolë Idromenos, shtëpinë e Kolë Gurashit e sa e sa të tjera.

Pak kohë më parë, Ministria e Kulturës pati marrë në mbrojtje shtëpinë e Abatit duke lëshuar një shkresë. Matanë shkresës, asgja e re!

Nëpërmjet një statusi, Minisria njoftoi se:

Në Shkodër i thonë ‘Shtëpia e Abatit’ ose selia e shoqërisë ‘Bashkimi’, falë së cilës kemi alfabetin e shqipes. Fjalori i ‘Bashkimit’, sikundër u quajt në motet më pas, sipas alfabetit latin, u miratua në Kongresin e Manastirit (1908)

Ministria e Kulturës vë në mbrojtje shtëpinë e Abat Doçit, jo vetëm si një vend i rëndësishëm historik por edhe si një objekt arktiektonik interesant. Më tej çdo bashkëpunim është i rëndësishëm për ta restauruar atë.

Në atë shtëpi nuk ka ndryshuar asgjë. Herë pas here, ndizet një poç. Se nga kush, nuk dihet. Çfarë dihet është se ajo shtëpi nuk banohet nga askush në pjesën më të madhe të vitit dhe kushdo që e banon në atë pjesë kur poçi ndizet, nuk ka asnjë lidhje me Abatin.

Nëse edhe kjo shtëpi do të rrënohet, çfarë do i mbesë Shkodrës? Shtëpia e Kolë Idromenos është lokal. Shtëpia e Luigj Gurakuqit nuk është më. Shtëpia e Migjenit nuk ka as pllakë. Shtëpitë e tjera, pas ’90 u gjendën “TOK E XAN” nga ato që zunë edhe qytetin. Prandaj kjo shtëpi nuk duhet lënë të dergjet deri sa të harrohet se dikur aty qe hartuar alfabeti!