Regjimi komunist në Shqipëri ishte një prej periudhave më të errëta pas asaj të Viteve të Mesme. Për rreth 41 vite politika e grushtit të hekurt, internimet dhe vrasjet qenë territori i ndaluar , e tashmja e zeruar dhe e kaluara e fshirë.
E nëse të gjithën e përktheja në terma oruellianë, do të thoja, fshirje graduale e kujtesës. Nëse ti mendoje, shpërblimi ishte burgu, e nëse flisje, do të kishe një fund jo të ndryshëm nga ai i Maria Antoinette-s. Në një kompozicion kushtesh sociale e politike të tilla, aleatët ishin armiq, iluministët sikundër inkuizitorët, për një vend që kishte vendosur të zgjidhte obskurantizmin. Mes qindra listave emërore të shënjuara me ngjyrë të kuqe, nuk mungonin asesi emra korçarësh të mirënjohur, arsimimi dhe prirjet e të cilëve konsideroheshin kërcënim serioz për regjimin diktatorial.
Emra si ; Abaz Korçari , Ali Gega, Demir Sehitllari , Hajredin Orgocka , e qindra të tjerë u ekzekutuan , shpesh edhe pa gjyq.
Shumë u internuan e disa u arratisën duke krijuar grupin që njihej si “Diversantët”. Në këtë rreth të arratisurish historia dhe dilema enigmatike ende e pazgjidhur na çon në zmër të Korçës , në lagjen 10 të këtij qyteti.
Aty pasardhësit e Irfan Goskovës , paraqesin dëshmitë që kthejnë historinë rreth 57 vite pas në dimrin e vitit 1961 , ku tre linja të ndryshme nuk gjejnë asnjë pikë konvergjence.
U vra , u kap në kufi apo u arratis nga Korça drejt veriu të Greqisë ?
I lindur në Qershor të 1930 , në një familje korçare aristokratësh, Irfan Rustem Goskova ushqehet me frymen oksidentale dhe merr një formim të mirë kulturor nga prindërit e të afërm.
Me mbushjen e moshës 14 vjeç dërgohet në Moskë ku kryen akademinë ushtarake dhe gradohet oficer. Njohes i mirë i gjashtë gjuhëve të huaja, kthehet në Korçë në pranverën e vitit 53’.
Menjëherë bëhët pre e sulmeve politike të hapura për shkak të frymes demokratike që përhapte. Shpejt përfshihet në kryengritje të armatosura pas të cilave rrënjët çonin në emrin e tij. Po atë vit qëllon me armë mbi dymbedhjetë oficerë të sigurimit të shtetit, nga të cilët mbijetojnë vetëm dy. I detyruar nga rrethanat largohet në Gjirokastër e prej andej në Greqi. Pas do të linte familjen, bashkëshorten dhe vajzën në qytetin e gurtë dhe motrën e ve në Korçën e kalldrëmeve.
Pas largimit të tij , kur gjurmët ende nuk kishin humbur , familja e Gjylehanit (motrës së tij ) hynnë listën e familjeve të përndjekura , shtëpia u bastiset , e çdo gjë tjetër në pronësi të tyre u sekuestrohet. Betimi nga ana e policisë komuniste ishte se nuk do t’i linin të qetë derisa Irfan Goskova të kapej e vritej. Edhe pse larg Korçës, në kufirin shqiptaro-grek, aftësitë e fituara gajtë viteve të shkollimit bënë që ai shpesh të hynte në Korçë e të krijonte baza të reja liridashëse. Shpesh qëllonte edhe mbi forcat ushtarake, ndihmesë kjo që më pas ta etiketonin si “Krimineli i shumëkërkuar”.
Në dimrin 1961 do të niste rulota e treskenarëve që ende dhe sot janë enigmë. Në këtë vit ai hyn siç do herë brenda territorit korçar dhe qëllon mbi disa prej oficerëve. Sipas deklaratës së një ish oficeri ,Nako Jovanaj, ai kishte hyrë si diversant , kishte vrarë edhe praktikisht duhet të sulmohej e vritej. Ai hedh pretendimin se atë funddimër diversanti që vrau I gjendur ballë përballë me të , ishte Irfan Goskova .
Po atë ditë , motrës së tij i mbërrin një fletënjoftin që sinjalizon vdekjen e të vëllait. Por historia në këtë pikë fillon të marrë trajtë tjetër. Pa kaluar as një muaj një tjetër letër njofton kapjen e tij në kufi dhe dënimin me vdekje nga forcat policore. Datat? Komplet ndryshe.
Nipa të Irfanit rrëfejnë se kur të motrës i sollën kufomën, ishte e shpërfytyruar , gjatësia e njëjtë e çdo tipar fizik tjetër po njësoj. Asaj i kërkuan të provonte nësë ai që shihte ishte i vëllai apo jo.
Vigjilente ajo iu kërkoi ta linin vetëm dhe më pas në shpatulla e djathtë kërkoi për një nishan dallues të tij. Shenja mungonte. Për të shmangur një sulm tjetër ndaj familjes tashmë të lënë në varfëri ekstreme, ajo pohoi çka policët kërkuan.
Por … A ishte vërtët ai Irfan Goskova?
Të kuriozuar fëmijët, në vitet e fundit të jetës e pyetën nësë ai që atë fund-dimër kishte parë ishte a jo i vëllai, ajo pohoi pas gati 30 vitesh heshtje se ai mund të kishte qenë kushdo veç atij që mendohej se ishte. Me kalimin e viteve dhe lënien në harresë , në vitet e para të demokracisë , nga shteti grek mbërritën disa vajza në qytetin e Korçës të çilat paraqitën fotografi e dokumenta që vërtetonin se edhe pas shpalljes i vdekur, Irfan Goskova kishte kaluar kufirin grek e kishte ngritur atje familjen e tij . Tani pas më tepër se një gjysmëshekulli e vërteta mbi të qëndron ende në gjysmëhije .
Dy dokumenta shtetërorë që vërtetojnë të kundërtën. Një gabim i arkivave ? Mbase. Dëshmi e prova jete që vërtetojnë arratisjen nga njerëz që e njohën e të afërm. Po cila është e vërteta ?
A u vra vërtet Irfan Goskova në dimrin e 61’ apo thjesht një tjetër ëmër i arratisur larg vendit mëmë? Kalldrëmet e Korçës nuk mund të flasin, e as historia të dëshmojë, e për të vërtetën do të duhet të presim, mbase edhe vite !
L.S