Izraeli është fituesi në fuqi i Eurovisionit, pas triumfit të këngëtares Netta Barzilai me këngën “Toy”, e cila fitoi të drejtën që vitin tjetër Eurovisioni të mbahej në vendin e saj.
Por edhe pse në fillim ishte folur se Festivali europian i muzikës do të mbahej në Jeruzalem, kjo u shoqërua me reagime nga ambasada e SHBA, e cila kërkoi ndryshim e qytetit. E këtë të enjte, qeveria izraelite mori vendimin për ndryshimin e qytetit, duke vendosur që Eurovisioni të zhvillohet në Tel Aviv.
Por drejtuesit e këtij eventi janë duke u përballur me një tjetër shqetësim. Vetëm pak ditë më parë 140 artistë, muzikantë, shkrimtarë, aktorë, regjisorë, novelistë dhe poetë, kanë kërkuar që edicioni vitit që vjen të bojkotohet nëse Izraeli, vend ku do të mbahet edhe festivali, vazhdon shkeljet e rënda te të drejtave të palestinezëve.
Ajo që bie në sy është se kjo letër është nënshkruar edhe nga 6 artistë nga Izraeli, Aviad Albert, Michal Sapir, Ohal Grietzer, Yonatan Shapira, Danielle Ravitzki dhe David Opp.
“Ne, artistët nga Evropa dhe më gjerë, mbështesim thirrjen e përzemërt të artistëve palestinezë për të bojkotuar Eurovision Song Contest 2019 të organizuar nga Izraeli. Më 14 maj, ditë pas fitimit të Eurovizionit të Izraelit, ushtria izraelite vrau 62 protestues palestinezë të paarmatosur në Gaza, përfshirë gjashtë fëmijë dhe plagosën qindra, shumica me municione të gjalla. Amnesty International ka dënuar politikën e Izraelit për të vrarë dhe Human Rights Watch i përshkroi vrasjet si “të paligjshme”, thuhet ndër të tjera në letrën e publikuar nga “The Guardian”.