MENU
klinika

Sjell 80% të PBB-së

Jemi një ekonomi konsumi

08.09.2018 - 16:00

Rritja ekonomike e Shqipërisë ka një varësi të lartë nga konsumi privat. Sipas të shifrave nga Instituti i Statistikave, shpenzimet për konsum të familjeve në ekonominë shqiptare zënë rreth 80% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

 

Këto të dhëna i takojnë vitit 2016, viti më i fundit kur janë të disponueshme të dhënat e PBB sipas metodës së shpenzimeve. Shifrat dëshmojnë qartë se konsumi është nxitësi kryesor i rritjes së ekonomisë së vendit. Formimi i kapitalit fiks apo investimet private janë zëri i dytë më i madh në ekonominë shqiptare, me rreth 25% të vlerës së prodhimit kombëtar. Megjithë rritjen e investimeve në ekonomi pas vitit 2014, sërish pesha e tyre ndaj rritjes totale është e ulët krahasuar me vendet më të zhvilluara. Një kontribut të konsiderueshme në rritjen ekonomike, me 12% të PBB-së, e japin shpenzimet publike. Për shkak të deficitit të llogarisë korrente, sektori i jashtëm i ekonomisë jep një kontribut negativ me rreth 17% në PBB.

Kjo strukturë e kërkesës agregate është reflektimi i një ekonomie më pak konkurrese dhe relativisht të brishtë. Në vendet e zhvilluara, konsumi zë një peshë më të ulët në prodhimin kombëtar, deri në 60%. Rritja ekonomike e këtyre vendeve mbështetet më shumë te prodhimi dhe te bilanci pozitiv i tregtisë së jashtme.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ky duhet të jetë në thelb modeli i ri ekonomik drejt të cilit të shohë Shqipëria, një model që të bazohet më pak te konsumi i mallrave të importit dhe më shumë te prodhimi vendas eksportet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN