MENU
klinika

E disata herë

Këshilltarët e Shkodrës braktisin sërish këshillin

21.09.2018 - 17:12

Është kthyer në praktikë të dështojë dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe këtë muaj. Këshilli bashkiak i Shkodrës arriti të miratojë vetëm ndihmën ekonomike dhe atë të paaftësisë për invalidët, me minimumin ekuorumit të votave, ndërsa më pas largimi i këshilltarëve dështoi mbledhjen.

Megjithëse minutat e pritjes nuk u kursen nga kreu i këshillit bashkiak Xhemal Bushati, rezultati mungoi dhe mbledhja u shty për një datë tjetër, ende të pacaktuar.

Edhe një hërë tjetër, këshilltarët e zgjedhur nga votat direkte të qytetarëve shkodranë nuk denjuan të ishin për pak minuta të pranishëm në këshillin bashkiak.

Gjatë këtij viti, kanë qënë të shumta rastet kur të zgjedhurit për të ngritur problematikat e qytetarëve kanë munguar, madje duke mosmiratuar edhe ndihmën ekonomike për qindra familje të varfra. Dështimi i miratimit të 11 pikave të tjera të rendit të ditës, nuk frenoi këshilltarë të caktuar të ngrinin problematika që lidhen me qytetin.

Mark Rupa këshilltari i Partisë Demokratike, foli për mobilitetin dhe mungesën e strategjisë për të ruajtur traditën e bukur të biçikletave në Shkodër. Mungesa e korsive të dedikuara për to, apo zaptimi i tyre ku ato mungojnë janë dy shqetësime serioze sipas tij.

“Shkodra është një qytet biçikletash. Kështu është njohur në historinë shqiptare dhe madje krahasohet edhe me Amsterdamin, por ne duam ta zhdukim këtë traditë. Në Shkoder nuk kemi rrugë për biçikleta. Duhet që qytetarët të ecin bashkë më makinat. Në Tiranë, aty ku ka kaos e trafik pafund, u krijuan korsitë e biçikletave ndërsa në Shkodër jo. Bashkia të marrë masa”.

Në këtë mbledhje ishte parashikuar të kalonte në votim edhe një nga pikat më të nxehta siç ishte ajo për shfrytëzimin e mineralit gëlqeror të mermerizuar në zonën Domën të Postribës, për të cilën banorët e fshatit janë kundër.

K.Zh