Dekreti i presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Metës, i cili rikthente në Parlament për shqyrtim ligjin për tatimi për të ardhura, është rrëzuar ditën e sotme nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat.
Përfaqësuesit e Presidencës, asnjëri prej tyre, nuk ishte i pranishëm në seancën e zhvilluar nga Komisioni.
Përkatësisht, presidenti Meta e kishte rikthyer këtë ligj për rishqyrtim, pasi neni 6, lehtëson barrën fiskale të bizneseve lidhur me fushat e lojërave të fatit.
Lidhur me rrëzimin e rikthimit të ligjit të lartpërmendur, ka folur zëdhënësi i kreut të shtetit, Ted Blushi, i cili thotë se lidhur me shqyrtimin, institucioni i Presidentit nuk ka patur asnjë njoftim.
Ndërkohë nga ana tjetër, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili ishte i pranishëm në mbledhjen e komisionit, ka thënë se lidhur me këtë ligj nuk do të ketë asnjë ndryshim, veç faktit se ato do të taksohen me 15%.
Më tej Ahmetaj, ka thënë:
“Qëndrimi i mazhorancës është i prerë përsa i përket lojërave të fatit. Ne unifikuam standardin, për të sqaruar gjithologët, mënyra se si definohet baza e taksimit në këto lojëra fatit ka pasur një përjashtim Lotaria Kombëtare që taksohej ndryshe, të gjitha kompanitë e tjera taksoheshin me 15% dhe ajo 10%.
E vërteta është se z. Nano e ka lënë taksën mbi lojërat e fatit 20%, ndërsa z. Berisha e bëri 10%. Në 2013 mbidheshin 3.7 miliardë lekë, 37 miliona dollar nga lojërat e fatit, sot mblidhen 54 milion dollarë dhe janë më pak kompani, dhe mblidhen 45% më shumë. Pra, 18 milionë dollarë më shumë”.
Përveç ministrit Ahmetaj, edhe kryetari i komisionit ka folur mbi pretendimin e presidentit mbi ligjin dhe e ka konsideruar si të pavërtetë, duke vijuar më tej me rrëzimin e Dekretit të Presidentit Meta.