MENU
klinika

104 mln euro për korrikun

Kredia në euroizim

08.09.2018 - 11:48

Kredia në euro është rritur ndjeshëm në muajin korrik. Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, gjatë korrikut u dhanë 104 milionë euro kredi të reja, në rritje me 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për gjithë shtatëmujorin e parë, kredia e re ka prekur vlerën e 441 milionë eurove, në rritje me afro 4% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Këto shifra tregojnë se, për momentin, sinjalet e deeuroizimit të dhëna nga Banka e Shqipërisë nuk po e ndikojnë shumë sistemin bankar. Vetë Banka e Shqipërisë, në raportin periodik tremujor mbi ecurinë e treguesve që monitorohen në kuadër të strategjisë së deeuroizimit, vëren se pesha e monedhës europiane në bilancet e bankave ka vazhduar të rritet. Në mesin e këtij viti, pesha e depozitave në valutë në sistemin bankar është rritur në 53.2%, nga 52.3% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kredinë në valutë, që në fund të qershorit zinte 57.2% të portofolit të sistemit bankar, nga 56.4% që kishte qenë në fund të vitit 2017.

Masat e Bankës së Shqipërisë për uljen e euroizimit të sistemit financiar hynë në fuqi vetëm në mesin e këtij viti dhe, gjithsesi, nuk pritej të kishin ndikime të mëdha në afatin e shkurtër. Deri në fund të korrikut, shifrat tregojnë se kjo strategji nuk ka sjellë ndonjë shmangie nga ato që ishin tendencat e tregut para shpalljes së saj.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN