Nga Maxhun Peka
Mediat në Francë vlerësohen për seriozitetin e tyre, gazetarët për nivelin e lartë të profesionalizmit, korrektësisë. Shtypi njihej si një nga më të pavarurit, aq sa mund të jetë i pavarur shtypi në një vend serioz ku interesat kombëtare janë mbi gjithçka, aq sa mund të jetë i pavarur shtypi i një vendi me një sistem politik të caktuar ku mbijetesa e sistemit kërkon patjetër mbështetjen e tij, prandaj ai nuk mund të mos ishte i paanshëm.
Shqipëria, vendi i vetëm socialist, siç e quanim ne veten në ato vite, herë pas here ishte objekt i mediave franceze. Ato që shkruheshin në gazeta apo jepeshin në kanalet televizive për vendin tonë kishin plot të vërteta, por me pak dashamirësi mediat mund të ishin më pak fyese, më pak denigruese. Gjithçka është në hije-dritë, por për vendin tonë shikoheshin vetëm gjërat krejt në hije, errësirë. Në fotografitë që botoheshin, shikoje kryesisht karroca, gomarë, varfëri, njerëz pa shpresë dhe asnjëherë një copë plazh, bregdet, njerëz që pushojnë, natyrë të bukur etj. Prandaj dhe një ndër çështjet kryesore në marrëdhëniet me Francën, që trajtohej herë pas here në bisedat zyrtare, ishte “qëndrimi armiqësor i shtypit francez ndaj vendit tonë”. Për të zbutur sadopak këtë qëndrim të shtypit francez, ne ishim të porositur të punonim me gazetarët, t’i mbanim afër, të bisedonim me ta dhe t’i ftonim të vinin në Shqipëri për vizitë, nëse bindeshim se gazetari që propozonim ishte serioz e mund të shkruante “objektivisht” për vendin tonë.
Në ato vite kur politika jonë ishte shumë e prerë ndaj superfuqive, kur ne mbështeteshim vetëm në forcat tona, që ç’është e vërteta e çonim vendin drejt varfërisë ekstreme, interesi i mediave për të marrë kontakte me drejtuesit tanë kryesorë, për t’i intervistuar ata, ishte ekstrem.
Në nëntor të vitit 1983, në pritjen që jepte ambasadori i Jugosllavisë për festën kombëtare, u mblodhën rreth meje një grup gazetarësh të mediave të ndryshme. Secili prej tyre kërkonte të vinte në Shqipëri për të intervistuar Enver Hoxhën. Problemi për intervistimin e Hoxhës ishte i vjetër dhe Ministria e Jashtme na kishte vënë në dijeni se asnjë gazetar nuk mund të vinte për të intervistuar numrin një të shtetit. Për të tjerët mund të bëhej ndonjë përjashtim.
Kisha muaj që kisha filluar punën në Francë, kisha bërë shumë takime kortezie, ndër to dhe me gazetarë me emër, si drejtorin e gazetës “Le Monde”, kryeredaktorin e gazetës “Le Figaro”, drejtorin e së përmuajshmes “Le Monde Diplomatique” etj., por kishte gazetarë të të përditshmeve, drejtuesve të të cilave u kisha kërkuar takim dhe nuk kisha marrë përgjigje. Mbasi dëgjova gazetarët që më rrethonin, u thashë: “Çuditem me kërkesën tuaj, a nuk pretendoni shumë? Ju jeni gazetarë të gazetave jo pak të rëndësishme, ndërsa unë jam përfaqësuesi i një vendi të vogël, me problemet e veta, por megjithatë, jam ambasador. Kam kërkuar takime kortezie me drejtuesit e organeve tuaja e deri sot nuk kam marrë përgjigje. Është e drejta juaj, nuk kërkoj asgjë, nuk kam asnjë interes të veçantë, por mirësjellja kërkon mirësjellje. Ju insistoni për të intervistuar numrin një të shtetit që përfaqësoj, insistoni që intervista të bëhet në kohën që ju përshtatet juve, dhe kur nuk merrni përgjigje nga pala jonë, shprehni pakënaqësi, e konsideroni refuzimin tonë si mungesë lirie shtypi etj. Si mund ta konsideroj unë qëndrimin e drejtuesve të mediave që ju përfaqësoni?” Gazetarët më përgjigjen në kor, kur doni të vini për vizitë, takimet do t’i organizojmë ne etj. Kjo qe vetëm një mënyrë për t’ju thënë atyre se të jesh dikush në një shtet të madh e me influencë nuk do të thotë se ke të drejta të pakufizuara ndaj vendeve më të vogla, tendencë tepër e përhapur tek ata për të gjitha nivelet e marrëdhënieve midis Francës e Shqipërisë.
Kërkesa për të intervistuar Enver Hoxhën kishte histori të gjatë.
Ishte drejtori i gazetës “Le Monde” Andre Fontaine që qysh nga fundi i viteve ’70 kishte insistuar dhe nga ana e ambasadës sonë në Paris kishte pasur fillimisht një përgjigje premtuese, që më vonë kishte marrë formën e plotë të miratimit. Në vitin 1979 ai bashkë me zonjën u përgatitën për të vizituar Shqipërinë. Nga ana jonë i ishin prerë biletat e avionit Paris-Tiranë e kthim. Pala jonë kishte dhënë miratimin për vizitën si dhe për intervistën, por siç duket, kishte qenë përgjigje pa marrë më parë miratimin e të zotit të punës. Mbasi ishin bërë të gjitha përgatitjet, programi i vizitës, duket se në çastet e fundit vjen udhëzimi nga Tirana se intervista nuk mund të jepej. Ambasadori takon kryeredaktorin e gazetës, i flet për vizitën në Shqipëri, programin e saj, por e vë në dijeni se ai nuk mund të intervistonte Enver Hoxhën gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri. A. Fontaine hoqi dorë nga vizita, dorëzoi biletat e udhëtimit. Nga ana jonë iu tha se kurdo që do dëshironte të vizitonte Shqipërinë, por pa kushte, ai mund të njoftonte dhe biletat e udhëtimit i kishte nga ana jonë.
Kaluan vite. Me Andre Fontaine kisha vendosur kontakte të rregullta. Takoheshim, kishim kaluar dhe dreka e darka bashkë. Ishte një miqësi e këndshme me një personalitet të atyre niveleve të gazetarisë. Në një rast më thotë se presidenti Mitterrand i kishte kërkuar mendimin për ta emëruar ambasador të Francës në Pekin. “E mendova ofertën, – më thotë. – “Në fund refuzova. Mund të bëhesha ambasador në Kinë, por nuk do të isha më Andre Fontaine. Preferova të fundit dhe ja ku jam”.