Pas vizitës së Presidentit Bush në Tiranë, shqiptarët pritën më kot që Kosova të zgjidhej në takimin me Vladimir Putinin
Shqiptarët, ashtu si e gjithë bota e kanë ndjekur me kuriozitet takimin Trump-Putin, në kuadrin e G-20, po ata nuk kishin ndonjë interes të veçantë e të drejtpërdrejtë që prekej nga ky takim.
Ndryshe ishte situata, plot 10 vjet më parë, kur presidentët e Amerikës dhe Rusisë u takuan në Maine. Presidenti W Bush kishte deklauar në Tiranë se “mjaft ishte mjaft” për çështjen e Kosovës, por kundërshtimi i Rusisë kishte stepur disa nga europianët dhe kishte forcuar kundërshtimin e Serbisë.
Shpresohej se Bush do të hapte bisedën gjatë vizitës së Presidentit Putin, kur të bisedonin kokë më kokë. Për një ndikim më të madh të mundshëm, në fermën e familjes në Walker’s Point të Kennebunkport, kishte zbarkuar edhe “artileria e rëndë”, mjeshtri i marrëdhënieve ndërkombëtare, George Herbert Walker Bush, i njohur ndryshe si Bushi i Vjetër.
Dy presidentët babë e bir kishin arsye që të angazhoheshin. Marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA-së nuk kishin qenë kaq të këqia që nga koha kur Bushi tjetër kishte qenë në Shtëpinë e Bardhë, kurse vetë Putini një agjent i KGB-së. SHBA po bënte gati të vendoste raketa antiballistike në Çeki dhe Poloni. Ndonëse ato kishin natyrë mbrojtjeje dhe jo sulmuese si dhe po vendoseshin për të ndalur ndonjë sulm nga Irani, Rusia i pa si kërcënim për të. Putin deklaroi se po rikthehej Lufta e Ftohtë dhe se armë bërthamore ruse mund të vendoseshin në anën tjetër të kufirit.
Në këtë situatë, Kosova nuk ishte më temë e parë e takimit, mirëpo, një bisedë frytdhënëse për punën e mbrojtjes anti-raketore, mund të hapte rrugën për tema të tjera.
W Bush e përmend këtë takim kokë më kokë, në Maine, në librin e fundit kushtuar babait të tij. Ai tregon se si i ati ishte gëzuar kur e kishte ftuar të përballeshin bashkë me Putinin.
Pritja kishte qenë e ngrohtë dhe të tre kishin dalë për peshkim, bashkë me përkthyesin rus. Putin ishte stepur pak, kur kishte mësuar se skafit me të cilin do të dilnin për peshkim, do t’i jepte me shpejtësi të madhe Bushi 83-vjeçar po pastaj ishte kënaqur nga përvoja. Vetëm përkthyesi ishte zbardhur në fytyrë dhe dukej sikur donte të kërcente nga varka, përshkruan W Bush, në kujtimet e tij.
Mirëpo, në fund, atmosfera intime, e krijuar nga peshkimi, nuk solli asnjë fryt. Putini mund të jetë inkurajuar nga mbështetja e ulët për Presidentin Bush në SHBA.
Kosova mund të ishte përdorur si kartë. A do të tërhiqej Bush nga pavarësimi i Kosovës nëse Putini do të kishte pranuar kompleksin antibërthamor në kufi? Ose meqë nuk ranë dakord për të, a mund të pranonte Putini pavarësinë e Kosovës nëse Bushët i premtonin se do të hiqnin dorë nga instalimi ushtarak?
Kosova nuk ishte kaq e rëndësishme si temë dhe nëse skenaret e mësipërme kanë qenë të mundshme, atëhere, për ironi, ajo mund të ketë përfituar nga dështimi i takimit mes dy udhëheqësve, në Maine 2007.
Në fund, vetëm Putini arriti të kapte një peshk, kujton Bush nga ajo ditë (ndoshta edhe në mënyrë simbolike). Shqiptarët u mërzitën që Kosova nuk u përmend si temë. Po nganjëherë “asnjë lajm është lajm i mirë”.
Disa tema, përfshi edhe ajo e Kosovës, u la që të debatohej në nivel ministrash të jashtëm. Pra, mes Sergei Lavrovit dhe Condoleezza Rice.
Mund të debatohet gjatë, nëse ishte më mirë që Kosova u la në nivel diplomatik dhe jo presidencial. Kjo la hapësirë që një ditë Rusia të ndryshonte pozicion nëse do të ishte e nevojshme. Po ashtu, kundërshtimi i saj ndaj Kosovës, sabotimi i njohjeve mbeti në nivel institucional. Rusia nuk kërcënoi me luftë, apo ndërhyrje ushtarake. Ndryshe nga shpresat serbe për kundërshtim parimor, Rusia u përpoq në fakt që ta shfrytëzonte Kosovën si precedent dhe vazhdon ta bëjë edhe sot e kësaj dite.
Ajo që mund të mos ishte e qartë 10 vjet më parë, po që ka kuptim sot është se Rusia, si rregull, nuk ka interes në marrëveshje që zgjidhin problemet, por në mbetjen e tyre të hapura për një kohë të gjatë. Pranaj Rusia nuk do as që Serbia ta marrë mbrapsh Kosovën. Ajo ka nevojë që konflikti të vazhdojë. Sa kohë që ka konflikt në Ballkan, do të ketë një rol për Rusinë në rajon. Moska nuk është edhe aq armike e Kosovës dhe aleate e Serbisë sesa është armike e paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
Pa një projekt të madh politik alternativ ndaj BE-së e NATO-s, me shumë mjete ushtarake po pak mjete financiare, e etur që BE dhe SHBA të kenë problem diku tjetër për të mos u marrë me Ukrainën etj, Rusia nuk ka çfarë të ofrojë shumë tani për rajonin. Do ta përdorë pra për të trazuar e përçarë Perëndimin, për të mbetur faktor e për të pasur karta për të luajtur në negociatat e të ardhmes.
Pak kush mund ta imagjinonte qartë këtë punë në 2007. Aq më pak nga bordi i skafit me dy presidentët e të njëjtës familje.
Dy Bushët shpresonin të peshkonin një marrëveshje. Mirëpo vetëm Putini u kthye me diçka nga biseda intime në skafin e lundrimit të shpejtë.