Kur është n’pyetje shteti dhe shpresa për shtet, nuk duhet diskutuar ngjyrat e protestës, as simbolet dhe madje as fytyrat e rreshtit të parë.
Duhet të kuptohet arsyeja dhe të mbështetet qëllimi i revoltes popullore. I një populli të asfiksuar nga klikat që s’ditën ngopje.
– Arsyeja e 29 shtatorit është pra dhunimi i ëndrrave dhe zhbërja e Kosovës,
– Qëllimi është ndërprerja e zhbërjes dhe kthimi i shpresës.
Duket syrrealiste por u bënë 20 vite që populli i Kosovës jeton përballë shtetit të Kosovës. Shteti janë disa, populli janë të gjithë të tjerët. Këta disa kanë 20 vite që nëpërkëmbin deri edhe dinjitetin njerëzor të një populli të përvuajtur.
Aq larg kanë shkuar në pangopje saqë sot, 20 vite pas luftës, këtij populli ia morren edhe gjënë e fundit që i kishte mbetë, shpresën. Ia dhunuan edhe ëndrrat që me dekada motivuan mendje e zemra.
Sot Kosova rrezikohet më shumë nga brenda sesa nga jashtë. Politika dhe bandat janë bërë bashkë dhe janë barrikaduar diku në mes injorancës dhe frikës. Tash, shpëtim të vetëm e shohin zhbërjen e asaj për të cilën t’përgjakur u endem rrugëve të historisë. Sepse, në llogaritë e tyre, çthurja e proceseve të Kosovës është, nëse jo ndalje, të paktën shtyerje e rënjës së tyre. Këta rënja i tmerron. E kanë kuptuar edhe ekuacionin e ambasadave dhe të Brukselit: sa kohë je faktor me potencial destabilizues në Balkan, askush me dorë s’të prek. Madje as Specialja.
Prandaj nuk mund të rrimë shikues të shtypur përballë kësaj maskarade se këta edhe aleatet që do na shpëtonin na i larguan një nga një. Nuk mund të lejojmë që edhe ky shekull të na shkojë huq.
Miq, qytetarë të dashur, askush s’do na ndihmojë më. Sot shpresa e vetme e Kosovës është populli i saj i pashpresë. Prandaj revolta duhet të dëgjohet, duhet të shihet dhe duhet të shumëzohet.
Prandaj duhet të protestohet me 29 shtator që populli t’ia kthejë shpresën vetit e Kosovës shtetin.