MENU
klinika

Gjuha rome në shkolla

Çudia e vendimit të ministres Nikolla…

19.09.2018 - 09:43

Paraditen e djeshme, Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Lindita Nikolla, gjatë një forumi ku u diskutua për arsimin gjithëpërfshirës, deklaroi se së shpejti në shkollat e vendit do të futet edhe gjuha rome. Nikolla nuk ka dhënë më tej shpjegime lidhur me formën sesi gjuha rome do të mësohet në institucionet e arsimit në vend, por tha se kjo nismë do të përfshijë edhe universitetet.

Në pikëpyetje mbetet fakti se përse MASR ka ndërmarrë këtë nismë e cila mesa duket vetëm është trumbetuar dy ditë pas nisjes së vitit të ri shkollor. Çudia e radhës u lëshua për konsum mediatik pa u shpjeguar si dhe pse gjuha rome do të integrohet në kurrikulat mësimore të arsimit para dhe pas universitar.

Në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në artikullin nr.26 të saj: “E drejta e Edukimit” shterohet se të drejtën për edukim duhet ta kenë të gjithë, pa dallim feje apo nënshtetësie. Thënë kjo, ne si shtet na lind detyrimi që t’u ofrojmë minoriteteve dhe cdo grupimi etnik arsimim të përhershëm. Arsimimi për komunitetin rom është mundësuar dhe ka qenë i paparagjykuar nga askush. Por a është e justifikuar nisma e MASR për të integruar në kurrikula gjuhën rome?

 

Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit duhet ta bazojë nevojën e integrimit të gjuhës rome mbi studime dhe fakte. Përse duhet që gjuha rome të futet në kurrikul? A është kryer një studim i mirëfilltë që mbështet këtë nismë? Sa është numri i fëmijëve të komunitetit rom për cdo shkollë që të justifikojë këtë lajthitje të Ministreshës pas së cilës, çdo komuniteti tjetër të njohur në Shqipëri grek, maqedonas, malazez apo arumun i lind e drejta të kërkojë futjen e gjuhës amtare në shkollat tona.

Në këtë logjikë, duhet të ketë një reflektim nga pikëpamja gjithëpërfshirëse. Në qoftë se MASR vendos të integrojë gjuhën rome në kurrikulë, do të duhet ta bëjë këtë gjë për cdo grupim etnik që jeton në Shqipëri, përndryshe do të ishte diskriminuese. Nuk mund të fusësh në kurrikul gjuhën e një komuniteti duke lenë në harresë gjuhën e komunitetit tjetër.

Edhe sikur gjuha rome të futej në kurrikulat shkollore, kush do ta bënte të mundur mësimdhënien në këtë gjuhë? A kemi mjaftueshëm burime njerëzore? Cili do të ishte rezultati i ndërmarrjes së kësaj nisme?

Gjithashtu, në qoftë se marrim në shqyrtim eksperiencat e vendeve evropiane mund të vëmë re qartë se cdo grupim etnik trajtohet në mënyrë të barabartë me nënshtetasit e tjerë, por asnjë vend evropian nuk integron gjuhët e komuniteteve në kurrikula.

Nga pikëpamja praktike, zgjedhja e një vendi për të jetuar e punuar vjen së bashku me detyrimin ndaj vendit që të pret, sic është në këtë rast gjuha. Shqiptarët që largohen për të punuar në Gjermani duhet që para së gjithash të jenë njohës të mirë të gjermanishtes, sepse ata do të punojnë dhe jetojnë me gjermanë. Krahina e Baskëve që është në territorin e Spanjës, ka gjuhën e saj e cila është trashëguar ndër vite pa kurrëfarë pengese, por nuk është bërë pjesë e kurrikulave të shkollave në Spanjë.

Integrimi i gjuhës së komuniteteve të caktuara në kurrikula do të krijonte një kaos kulturor dhe social, sepse natyrshëm cdo komunitet do ta ketë më të lehtë të mësojë gjuhën e vet se sa një gjuhë tjetër. Bashkëjetesa mes grupimesh ku secili flet gjuhën e vet do të ishte i pakonceptueshëm dhe i gabuar. Për më tepër, mungesa e komunikimit do të sillte uljen e rendimentit në cdo sektor ekonomik.

 

Arli Minga