MENU
klinika

Nga Alban Daci

Lezha ka nevojë emergjente për një gjeneratë tjetër!

07.09.2018 - 21:59

Se di a do bëjnë ndonjëherë analizë këta të Qarkut të Lezhës për të përjashtuarit e radhës dhe për nivelin e përfaqësimi të Lezhës?!

Unë, kam filluar të qesh me këta të përjashtuarit e Lezhës! Qesh me historikun e tyre dhe me bëmat e tyre.

Lezha është një histori përjashtimesh! Kjo histori është historia e PS-së në Lezhë! Ndërsa PD-ja nuk përjashton, por nuk i konfirmon me! Mbetet emergjente nevoja për një gjeneratë tjetër!

Lezha është ndër ata qarqe që ka nevojë urgjente për Vettingun në Drejtësi dhe Politik. Nëse bëhet ky Vetting, Lezha gjen qetësi, paqe dhe rikthehet djepi i intelektualëve dhe artistëve siç ka qenë gjithmonë!

Heshtja, frika dhe servilizmi janë antivlerat që kanë mbërthyer Qarkun Lezhë! Është gatuar një çorbë e tillë politike në Lezhë që zor se ka aromë apo shije të mirë! Për një gjë jam i sigurt se imazhi i vërtetë i Lezhës nuk është ai i politikës.

Lezha ka qytetarë të mrekullueshëm dhe është një qytetet me plotë talente, artistë e po ashtu shkrimtarë apo studiues. Ata, thjeshtë janë të izoluat nga e “keqja” që për fat të mire nuk bën shumicën, por për fat të keq simbolizon forcën!

Lezha ka biznesmenët më të rëndësishëm e më të pasur të Shqipërisë. Lezha ka po ashtu intelektualet me të varfër ekonomikisht të Shqipërisë. Një këshillë për biznesmenët; mos bashkëpunoni e mos i shërbeni politikës apo pushtetit, por ktheni sytë nga vlerat, dija e intelektualet e bashkohuni bashkë për një qytet me vlera dhe për një zhvillim shumë dimensional të qytetit.

Lezha ka një rini të mrekullueshme me potenciale të jashtëzakonshme. Një këshillë për ta, mos u rreshtoni si ushtarë përballe pushtetit për t’i shërbyer atij, por merrni pjesë në jetën politike të qytetit për të bërë reformizëm, për të sjellë vlera e krijuar vizione. Kam parë një faqe “Reago për Lezhën” e nuk e di kush e ka, por më duket se e kanë disa të rinj e kjo më gëzon shumë e më jep shpresë se gjërat do të ndryshojnë.

Lezha pa politikën do të ishte një ndër qytetet më fantastike të Shqipërisë. Ka gjithçka që duhet të ketë. Në qytetet nuk mërzitesh kurrë, ka bare shumë shik e qytetarë me shumë humor e dashamirësi. Ka humor dibran, humor mirditor, malësor! Por nëse mërzitesh në qytet, del në kodër mbi qytet e çlirohesh nga Kalaja me pamje fantastike, ku dielli perëndon mbi detin duke afruar spektaklin e pasqyrës gold.

Pas Kalasë është afër Mirdita me malet e saj kreshnike, me kishat e saj legjendare. Në Mirditë me një gote raki e me prodhime bio kalon gjithë historinë e vendit. Pastaj është Shëngjini me perlën e saj dhe ne fund ëmbëlsira e ëmbëlsirave, Mrizi i Zanave!