MENU
klinika

Agjenda e ditës

Ligji për teatrin/ Rama dhe Veliaj takojnë Ruçin

19.09.2018 - 09:29

Dekreti i presidentit Meta, lidhur me Teatrin Kombëtar, ka bërë bashkë në një takim që do të zhvillohet në Kryesinë e Kuvendit, kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Parlamentit, Gramoz Ruçi.

Në këtë takim do të marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si dhe relatori i ligjit për Teatrin, Ilir Beqaj.

Pritet që në takim të flitet lidhur me seancën që do të zhvillohet ditën e nesërme në Kuvend, ku në këtë të fundit mund të bëhet i mundur miratimi i variantit të ri të ligjit për teatrin.

Ligji nuk u aprovua nga presidenti, Meta, herën e parë, dhe sipas vërejtjeve të tij, tashmë janë bërë ndryshime në disa prej pikave.

Ligji u hodh ditën e djeshme në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ku nuk munguan përplasjet e shumta midis mazhorancës dhe opozitës.

Në fund të mbledhjes mazhoranca është detyruar të votojë e vetme ndryshimet në ligj, pasi opozita braktisi mbledhjen duke kërkuar të mos bëhen ndryshime në ligj. Njëkohësisht mazhoranca ka pranuar garën për kompanitë private lidhur me projektin e Teatrit Kombëtar.

Një nga ndryshimet në ligj ka qenë dhe futja e një neni të ri ku specifikohet se çfarë duhet të ndërtojnë kompanitë që do të garojnë.

“Godina e Teatrit përfshin ndërtimin e objektit, mobilimin e brendshëm, instalimet teknologjike të skenave, instalimet audio/ video, si edhe të çdo elementi tjetër të nevojshëm për një teatër bashkëkohor dhe modern dhe ndërtimi i objektit, aksesi dhe shërbimet për publikun, duke garantuar sipërfaqen aktuale funksionale përreth ndërtimit të ri”, thekson amendamenti. Një tjetër pikë që pëson ndryshim është heqja emrit të kompanisë “Fusha” nga ligji aktual.

Në seancën e ditës së nesërme përveç çështjes së Teatrit, parashikohet se do të jetë gjthashtu edhe raportimi i kryeprokurores Arta Marku.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN