Akreditimet një gjuhësore dhe jopraktike nga tani do të jenë leja e vetme e punonjësve të mediave për në Qeveri, nëpër ministri dhe nëpër institucione të tjera të pushtetit qendror në Maqedoni.
Të pyetur se pse këto dokumente legjitimuese nuk janë përkthyer në shqip për gazetarët dhe punonjësit shqiptarë të mediave shqiptare, nga Qeveria vetëm thanë se ky është një proces që do të ndryshojë dhe do të përmirësohet në vazhdimësi.
Sa u takon akreditimeve, ky do të jetë proces që do të vazhdojë. Këto janë të reja por fillestare që do të thotë se që nesër do të fillojë proces për dhënien e vazhdueshme të akreditimeve varësisht se si gazetarët ndryshojnë redaksitë dhe dëshirojnë të kenë të reja.
Qeveria kishte kohë që funksiononte pa kërkuar akreditim për mediat që ndjekin zhvillimet në godinën e saj. Megjithatë, disa vite më herët, gazetarët dhe punonjësit e mediave kanë pasur dokument për legjitimimin e aktiviteteve tyre.
Akreditimet e Qeverisë asnjëherë nuk kanë qenë të përkthyera në shqip për gazetarët shqiptarë. Edhe faqja elektronike e Qeverisë, versioni në shqip, është pothuajse jofunksionale.
Publikimet e fundit të përkthyera në shqip datojnë që prej disa muajsh kurse shumë rrallë komunikatat në adresë të mediave shqiptare mbërrinë edhe në gjuhën shqipe. Ligji për përdorimin e gjuhëve i cili pritet të obligojë ligjërisht institucionet të përdorin edhe gjuhën shqipe në komunikimet e tyre zyrtare dhe publike, akoma nuk është fuqizuar dhe ka mbetur në harresë totale.