MENU
klinika

Festivali i Teatrit

“Medea”, tragjedia ku urrejtja dhe hakmarrja fitojnë

27.09.2018 - 15:25

Tragjedia greke “Medea” e autorit Euripidi, do të ngjitet në sallën “Moliere” të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me fillim nga ora 18:00 në kuadër të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit.

Dimitris Mylonas është regjisori grek, i cili do të sjellë këtë tragjedi për publikun shqiptar në një bashkëpunim me aktorësh të mrekullueshëm të teatrit si: Luiza Xhuvan në rolin e Medeas, Anagnosti, Ahmet Pasha, Viktor Zhusti, Alfred Trebicka, Adriana Tolka, Kristian Koroveshi, etj.

Tragjedia e lashtë greke “Medea” bazohet në mitin e Jasonit dhe Medeas. Subjekti përqëndrohet mbi veprimet e Medeas, dikur princeshë e mbretërisë “barbare” të Kolkias dhe bashkëshorte e Jasonit. Ajo sheh se pozita e saj në botën greke është e kërcënuar, kur Jasoni e braktis për t’u martuar me një princeshë greke të Korintit. Medea merr hak mbi Jasonin, duke vrarë bashkëshorten e tij të re, po ashtu edhe dy bijtë e vet, për t’u arratisur më pas në Athinë për një jetë të re.

Fuqishëm është ravijëzuar gruaja me joshje të jashtëzakonshme, e cila është njëkohësisht e dobët. Notat e butësisë mëmësore janë patetike në shkallën më të lartë. Lufta e emocioneve, gjeneruar nga pasioni, rrëfehet në mënyrë të admirueshme dhe mes gjithë stresit nga konflikti i tyre, dhe mes gjithçkaje të sofistikuar dhe iluzive, që gërryen shpirtin, urrejtja dhe hakmarrja fitojnë betejën.

Kujtojmë se mbrëmjen e sotme me fillim nga ora 21.00 do të shfaqet “Nana”, produksion i Teatrit “Teuta” të Ulqinit, me autore Arlinda Morina dhe regji të Munib Abazoviq në skenën “arTurbina”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN