MENU
klinika

Iniciativa MEMO

Memorial për fëmijët e vdekur në Kampin e Tepelenës

03.09.2018 - 13:01

Nga Andreas Dushi

Sipas të dhënave historike dhe regjistrave të kohës, kur Kampi i Tepelenës ishte funksional si vendi ku vuanin dënimet familjet e të dënuarve politikë, rreth 300 të mitur kanë ndërruar jetë, kryesisht për shkak të kequshqyerjes apo keqtrajtimit që u është bërë nga përgjegjësit e kampit. Të miturit ishin internuar për të vetmin faj: Ishin fëmijët, nipat apo mbesat e atyre që Pushteti Popullor i cilësonte “armiq të popullit”.

Françesk Gjergji nga Shkodra, i internuar në këtë kamp kur ishte veçse 7 vjeç sepse i vëllai kishte lënë Shqipërinë për Jugosllavinë, sot në moshën 81 vjeçare tregon eksluzivisht për Konica.al një histori që i ka ndodhur në atë kamp:

Kampi ishte i rrethuem nga mina. Mina në te tana anët. E mbaj mend mirë nji djalë. Ishte fierak. Po lujshim bashkë me top. Topi kaloi rrjeten e ra ndër mina. Ai u turr me vrap, hynin nën rrethimin me rrjetë dhe shkoi te topi. Nji minë shpërtheu e bashkë me te, edhe djali.

Iu avita. Gjuhën e kishte jashtë. Ndër sy i rrjedhte nji pikë lot. S’kam me mujt kurr me e harrue ket gja!

Arsyet pse këta njerëz shpalleshin “armiq të popullit” është e thjeshtë. Ose vinin nga familje të pasura të cilave Pushteti u mori gjithçka, një a më shumë anëtarë të familjes kishin dalë publikisht duke shprehur mendime antikomuniste ose  ishte arratisur.

Fëmijët të cilët ishin krejt të papërlyer qoftë edhe prej këtyre akuzave, ishin ata që vuajtën ndoshta më shumë. E për më tepër, nuk patën as të drejtën të kishin një varr. Çdo fëmijë që vdiste varrosej buzë lumit, pasi dihej se kur lumi të ishte më i rrëmbyeshëm, merrte eshtrat dhe zhdukte gjurmët e këtij krimi monstruoz!

“MEMO”, një iniciativë e disa intelektualëve të pavarur e cila synon të bëjë të njohur për publikun shqiptar krimet e komunizmit, ka ndërmarrë një projekt për ta kthyer vendin ku ky kamp ka qenë në një muze dhe vend kujtese.

Kazermat dhe ndërtesat e kampit “rrethojnë” një oborr thuajse katror. Në mesin e këtij katrori me brinjë prej 131 metrash propozohet të vendoset instalacioni në kujtesë të qenieve të pafajshme, që vdiqën në situata çnjerëzore.

Do të mbillen edhe disa qiparisë që do të krijojnë një katror tjetër në qendrën e oborrit me brinjë 54 metra, me një distancë 3 metra larg njëri-tjetrit (masë aksiale në të dy drejtimet). Pemët do të mbillen në rreshta duke ngushtuar katrorin e jashtëm, për t’u ndalur pas gjashtë rreshtave dhe për të krijuar një katror të brendshëm vakumi shpirtëror dhe hapësinor me përmasa 18 x 18 m.

Ky minishesh i brendshëm që do të jetë oazi i qetësisë, i meditimit, i përpunimit të dhimbjes dhe brutalitetit njerëzor, do të jetë i shtruar nga një pllakë graniti ku do të gdhenden emrat e fëmijëve të zhdukur. Platforma e granitit “paloset” në ekstremitetet e saj duke krijuar në mënyrë krejt natyrale dhe të pazhurmshme vende uljeje për vizitorët.

Për të arritur në këtë shesh nuk ka një rrugë të shënuar. E vetmja mundësi aksesibiliteti është kalimi mes këtij “pylli” qiparisësh. Vizitorët duhet të ndiejnë praninë e qiparisave tek shkojnë në shesh, ato duhet të “miqësohen” me përfaqësuesit e viktimave për të arritur në platformën e qetësisë. Në këtë platformë kujtimi dhe meditimi humbet edhe kontakti viziv me kazermat rrethuese të kampit. Vetëm aty qetësia shpirtërore mund të shpaloset e mbrojtur nga ambienti rrethues, nga dielli përvëlues nga pamja e trishtë e makinerisë së shkatërrimit të dinjitetit njerëzor.

Vizitorët mund/duhet të ecin mbi emrat e fëmijëve dhe të ndiejnë efektin që krijon për një qenie njerëzore, qoftë edhe përbaltja dhe shkelja e emrave të gdhendur. Në këtë shesh të rrethuar nga qiparisët ato mund të shohin vetëm emrat e të zhdukurve dhe qiellin, kulisë perfekte për të ndier shpirtërisht dhe përpunuar historinë e dhimbshme të këtij kampi shfarosjeje.

Instalacioni i përmendur më lart do të vendoset në qendrën e sheshit të kampit, duke u distancuar në mënyrë të dukshme e të qëllimshme nga kapanonet rrethuese. Kjo nga njëra anë, sepse “përbuz” dhunën e përdorur në këto struktura diabolike dhe nga ana tjetër, për të mos ndërhyrë në emocionet e vizitorëve që vëzhgojnë artifaktet e ekspozuara në këto kapanone.