Ekipi i femrave të Skënderbeut nuk ekziston më. Pas 3 vjetëve, skuadra është shkrirë. Në fillim ekipi premtonte shumë, madje disa lojtare të tij u grumbulluan edhe me ekipin kombëtar. Por këtë sezon, me një vendim të çuditshëm, ekipi i futbollit Skënderbeu për femra nuk ekziston më.
Askush nuk jep një përgjigje për këtë. Edhe trajneri Stavrion Lako nuk shprehet qartë, por mjaftohet vetëm me një fjalë: “Më urdhëruan”. Ekipi mbahej në përqindje të madhe me të ardhurat që siguroheshin nga federata, por duket se kjo nuk ka mjaftuar, të paktën në këto momente.
Ndaj ekipi është shpërbërë dhe futbollistet janë shpërndarë në ekipe të tjera. Një pjesë e tyre kanë shkuar te skuadra e Maliqit, të tjerat te Pogradeci. Për rastin në fjalë, në faqen zyrtare në facebook “FK Skënderbeu Femra Korçë”, ka pasur një reagim:
“Ky sezon i ri futbollistik filloi pa ne, pa Skënderbeun për femra. Turp, vërtet turp! Me keqardhje ju njoftojmë se klubi dhe bashkia kanë vendosur që Skënderbeu të mos marrë pjesë, pasi gjithë ky qytet nuk ka disa qindarka. Faleminderit të gjitha vajzave që kanë kontribuar për Skënderbeun, turp për klubin dhe bashkinë”.