MENU
klinika

Serie A, java 7

Milan rikthehet bindshëm me 4 supergola

30.09.2018 - 22:26

Pas tre barazimeve radhazi, Milan është rikthyer bindshëm në Serie A, me një fitore 4-1 në fushën e Sassuolos, ku golat ishin njëri më i bukur se tjetri, por edhe duke mos e vënë në dyshim fitoren. Një sukses që ringjall kuqezinjtë dhe shpëton edhe trajnerin Gattusso.

Golin e parë për miqtë e shënoi Franck Kessie, pas një aksioni personal, pesë minuta para fundit të pjesës së parë. Ndërkohë, në minutën e pestë të pjesës së dytë, me një goditje të bukur nga jashtë zone, spanjolli Suso i çoi shifrat në 0-2 për Milan.

Suso, në ndeshjen e tij numër 100 në Serie A, u kthye te goli pas 1728 minutash “agjërim”. Kur u mbush një orë lojë, një tjetër spanjoll, Samu Castillejo, realizoi golin e tretë për miqtë. Për 23-vjeçarin, që luajti si qendërsulmues, ky ishte goli i parë në Serie A.

Sassuolo u përpoq të futej në lojë me golin e serbit Filip Djuricic, i cili kishte vetëm dhjetë minuta në fushën e lojës, por vetëm kaq, sepse ekipi që kishte qene surpriza e këtij fillim kampionati në Itali, nuk mundi të prishë festën e Milan.

Në minutën e tretë shtesë, Susso kompletoi “pokerin” e Milan duke realizuar golin e katërt. Skuadra e Gattuso, që ka luajtur një ndeshje më pak se të tjerat, është në vendin e dhjetë me nëntë pikë. Sassuolo, që ka tre pikë më shumë renditet e pesta.

Suksesi ndaj Sassuolo shërben si frymëmarrje edhe për trajnerin e kuqezinjve Gennaro Gattuso pasi po shfaqej gjithmonë e më shumë “fantazma” e Antonio Conte si pasardhësi i tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN