MENU
klinika

Rrëfimi i ish-gruas së portierit të Napolit

“Mori SIDA-n në dasmën e Maradonës, vdiq i harruar”

20.09.2018 - 12:17

Raffaella Del Rosario, sot 53 vjeçe, dikur prezantuese dhe kërcimtare, modele e viteve 80’, shfaqej në emisionet televizive të rëndësishme të futbollit. Ishte një personazh familjar, një fytyrë e bukur,  jo vetëm për të apasionuarit e futbollit.

Por mbi të gjitha, ishte bashkëshortja e Giuliano Giuliani, portierit që kishte luajtur dhe kishte fituar me Napolin e Maradonës. Ishte viti 1988, kur Napoli e përzgjodhi si zëvendësuesin e Garella.

Është Napoli i “Pibe d’Oro” që kërkon të fitojë në Itali e Europë, por edhe Napoli i veseve dhe i joshjeve, i kokainës, lumenjve me shampanjë dhe i festave me drita të kuqe me eskorta të klasit të lartë.

napoli kampion 88
napoli kampion 88

Giuliani është menjëherë protagonist i fitimit të Kupës UEFA. Në vitin e dytë, skuadra e drejtuar nga Alberto Bigon fiton titullin kampion në Serie A, i dyti në historinë e Napolit.

Portieri është mes simboleve të suksesit të një Napoli që është titulluar për të luajtur në Kupën e Kampioneve, që për fat të keq, nuk e luajti kurrë, sepse në verën e vitit 1990, klubi ndryshon dhe blen nga Milan, Giovanni Galli dhe për Giuliani mbyllen dyert e Napolit, të Europës dhe Kupës së Kampioneve.

Përfundon karriera me tre vite tek Udine. Udhëtime, veshje, jetë e bukur, më pas një thikë në gjoks. Për Raffaella janë kujtime me momente lumturie, kur prekte qiellin me një gisht.

“Kur Giuliano më bënte të ndihesha mirë”. Raffaella dëshiron të tregojë edhe momentet dramatike që i kanë shënjuar jetën për gjithmonë dhe ekzistencën. Giuliano? Një njeri i rezervuar, që kurrsesi nuk jepte përshtypjen e një të përdaluri.

Gjithsesi, pas vetëm tre viteve martesë, më rrëfeu se ishte me SIDA. Në atë moment u ndjeva si e vdekur. Në atë kohë kishim një vajzë dhe nuk arrija të perceptoja se si mund të kishte ndodhur.

“Për atë jeta përfundoi shumë shpejt, por gjithashtu po aq shpejt u harrua dhe kjo nuk m’u duk e drejtë. Sikur të mos kishte ekzistuar kurrë”, rrëfeu ish-bashkëshortja e portierit të ndjerë të Napolit.

I lindur në Romë, por i rritur në Arezzo, Giuliani, i datëlindjes 1958, var këpucët në gozhdë në vitin 1993, pasi festoi shpëtimin e Udineses në Serie A. Portieri u vendos në Bologna, për të jetuar me familjen tre vitet e fundit të ekzistencës së tij të pafat, të kushtëzuar nga episode që me futbollin kanë pak të bëjnë.

Që në 1992 një gazetë doli me titullin “Giuliani ka AIDS”. Bota e futbollit u terrorizua, edhe pse futbollisti ishte ende në aktivitet. Ai as nuk konfirmon dhe as nuk përgënjeshtron.

Por zhduket nga qarkullimi deri më 14 nëntor të vitit 1996 kur agjencitë mediatike njoftuan vdekjen e tij në spitalin e “Sant’Orsola” të Bologna-s,  në repartin e sëmundjeve infektive.

“Giuliano vdiq kur ishte vetëm 38 vjeç, duke lënë pas një vajzë, Gessica, që sot është 28 vjeç. Ishim njohur në një festë në vitin 1987 dhe ramë menjëherë në dashuri. Futbollisti dhe prezantuesja e televizioneve. Më pas martesa që zgjati nga viti 88’ deri në vitin 91’.

Deri kur më rrëfeu për sëmundjen. Ishte më i trishtuar se zakonisht. Më shikonte, por nuk më fliste. Më pas, pa u ndalur më tregoi se kishte bërë analiza dhe se nga përgjigja kishte mësuar se ishte prekur nga virusi i HIV dhe se nuk kishte shpëtim.

Ishte një thikë në gjoks. Nuk arrija të thoja asgjë. Por brenda meje pyesja: pse mua? Por si mundi të ndodhë, ai që nuk ishte droguar kurrë, që ishte sportist, që nuk dashuronte jetën e natës?

Me zë të ulët më regoi se më kishte tradhëtuar një herë. Një herë të vetme. Një tradhëti e një nate, më 7 nëntor 1989, në dasmën e Maradonës në Buenos Aires. Unë nuk shkova, sepse sapo kisha lindur”, – vijon rrëfimi i Raffaellas.

Një dasmë shumë e përfolur, që e raportuan të gjitha kronikat e asaj kohe, sikurse ishte edhe ai Napoli i asaj kohe jashtë fushe: kokainë, festa, orgji, luks, madje edhe përfshirje me Camorran.

“Për mua ishin 6 muaj ferri, sepse u desh të nënshtrohesha ndaj analizave. Gati sa nuk luajta mendsh. Fatmirësisht nuk isha infektuar, por nuk mund të qëndroja më me një burrë që më kishte tradhëtuar. Kështu u ndava.

Por qëndrova si mbështetja e vetme e një jete që po përfundonte. Dhe kur mësova se ishte shumë keq, në spital, shkova me nxitim tek ai. Fatkeqësisht nuk pata kohë as të kuptoja apo të flisja me mjekët.

Po atë natë, Giuliano vdiq për shkak të një krize mushkërish, e shkaktuar nga gjendja e avancuar e sëmundjes. Askush nga shokët e vjetër të futbollit nuk u bë i gjallë, as në vitet e mëvonshme. Askush nuk u kujtua për atë.

I kërkova Maradonës dhe presidentit Ferlaino që të organizonin një ndeshje për ta kujtuar, por as që u përgjigjën. Njëlloj sikur Giuliano të mos kishte ekzistuar kurrë. Kjo është e vërteta dhe zhgënjimi im ndaj botës së futbollit.

Ndonjëherë më duket sikur jetoj në një film fantashkence. Tani jam beqare, me tre fëmijë, dy prej të cilëve jetojnë me mua në një shtëpi me qira në Bologna. Pas Gessica, pata Andran nga një lidhje me një mik, ndërsa më vonë nga një bashkëshort i dytë linda Maria Vittoria, që sot është 18 vjeç.

Jam edhe gjyshe e një mbese, Alessia, 8 vjeç. Më mjafton të gjej një punë, si në kohët e vjetra. Në fund të fundit, besoj se jam ende një femër e pëlqyeshme, me shumë dëshirë për të punuar”, – përfundoi rrëfimi i ish-bashkëshortes së futbollistit të Napolit, Giuliano Giuliani.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Kaiser” është bërë film

Futbollisti-mashtrues më i madh i historisë