MENU
klinika

Opinion

Mos e hani sapunin për djathë!

27.09.2018 - 09:51

Nga Alion Çaçi/ 

Ishte njëherë një fshatar i cili, si çdo fshatar, dilte nëpër fusha e livadhe të kulloste dhentë. Nga mërzia, një ditë bërtiti me të madhe “Ujkuuu!”. Gjithë fshati i erdhi në ndihmë, të armatosur sa me hushta e sa me drurë të kalbur.

Mirëpo, fshatari i dhenve u tha se ujk nuk kishte dhe se ai bëri shaka. E përsëri këtë shaka edhe dy a tre herë të tjera. Fshati u betua se nuk do i shkonte më në ndihmë. Mirëpo, dimri tashmë kish afruar dhe, një ditë prej ditëve, ujku zbriti nga mali dhe po i afrohej kopesë. “Ujkuuu! Ujkuuu!” bërtiste fshatari, por askush nuk iu afrua për ndihmë. Ia përlau nja 7 a 8 krerë dhensh ndërsa bariu iku me të katra.

Edhe Rama, mbasi përqeshi dhe varfëroi popullin për 5 vjet rresht, tani thërret “Ujku! Ujku!” nëpërmjet ndihmës së re ekonomike që u ofron prindërve të rinj. Asnjë nuk e beson më.

Për lexuesin e painformuar ende: për fëmijën e parë jepen 40.000 lekë, për të dytin 80.000 lekë dhe për të tretin, 120.000 lekë.

Unë nuk kam fëmijë vetë, por kam në familje njerëz me fëmijë të vegjël dhe kjo më ka ndihmuar të formuloj një llogjikë modeste prindërore.

Në radhë të parë, shifrat e shpërblimit duhet të ishin në kah të kundërt. Fëmija i parë duhet të marrë 120.000 lekë sepse shpenzimet janë më të mëdha herën e parë. Karroca, krevati, ndenjësja e makinës, rroba, biberonë, etj, blihen që herën e parë dhe pastaj përdor të njëjtat edhe për fëmijët pasardhës.

Por, ata zbatojnë këtë kah shpërblimesh sepse duan të vrasin dy zogj me një gur. Duke të të dhënë shpërblim më të lartë te fëmija e tretë, ai pretendon se familja jote tashmë është e madhe dhe ka nevojë për shumë gjëra. Pra, ai të fut në shpërblim edhe asistencën sociale që duhet të marrësh nëse nuk përballon dot rritjen e fëmijëve, të cilën tashmë s’ke për ta marrë më kurrë.

Të më thotë dikush nga ju se nuk njeh të paktën një njeri apo çift që ka ikur nga Shqipëria dhe unë do heq dorë nga gjithë këto shkrime, për gjithë jetën. Të më thotë dikush tjetër se nuk njeh të paktën pesë njerëz që, thuajse çdo ditë, thonë se duan të ikin nga Shqipëria dhe unë do bëj çdo gjë që më kërkojnë.

Nuk mund të pretendohet se po nxit rritjen e popullsisë duke dhënë shpërblime të turpshme për fëmijët e rinj, pasi është bërë i mundur largimi i shumë njerëze, mes të cilëve njerëz me potencial intelektual të lartë që mund të të ishin kontribut shumë i vyer për vendin apo pasi janë rritur çmimet e shkollave, pagesat e rrugëve, çmimi i karburantit, qiratë e shtëpive, janë rralluar ofertat e punës.

Ky nuk shpërblim. Është hì që na hidhet syve për të na gënjyer sadopak. Prindërit e rinj kanë nevojë, në radhë të parë, për leje lindjeje të gjatë dhe të paguar që të kalojnë sa më shumë kohë me fëmijën e tyrë të porsalindur dhe, ndërkohë, të kenë edhe të ardhurat e tyre.

Kujtojmë Hollandën e cila u jep nënave të reja 12 muaj leje lindje të paguar plotësisht. Kemi Norvegjinë e cila, ofron 10 muaj leje të paguar plotësisht ose 12 muaj të paguar 80%. Gjithashtu kemi Suedinë e cila i jep babait 3 muaj leje, sigurisht të paguar. Kjo është vërtet ta ndihmosh fëmijën; të bësh të mundur që prindi të ketë mundësinë të rrijë sa më shumë kohë me të.

Më e rëndësishme se shpërblimi në lindje, do të ishte lehtësimi i të ardhmës së atij fëmije. Të sigurohej shëndetësia falas dhe cilësore për të. Të sigurohej shkolla.
Sigurisht, pjesa më e madhe e shqiptarëve janë të varfër. Një pjesë e mirë e njerëzve që kanë kushtet të lexojnë këtë shkrim, nuk klasifikohen fare te njerëzit për të cilët po flas.

Ka njerëz që as do e marrin dot as atë shpërblim qesharak sepse nuk do jenë të informuar dhe do bredhin dyerve të shtetit me fëmijën e sapolindur në krahë, duke mbajtur radhën për të marrë ato dy lekë mëshire. Dhe fëmija, përpara fjalës “mami” do mësojë fjalët “hajde pastaj se nuk ka njeri tani”.
Flas për ata fëmijë që lindin në kartona sepse ambulanca as nuk i përfill t’u shkojë për t’i marrë në rast urgjence. Flas për ato familje të cilave, në kuptimin e parë, po u bie çatia mbi kokë.

Andaj, një lëmoshë si kjo e kryeminstrit, nuk shpëton askënd. Ky vend ka nevojë për një ndihmë sociale të mirëfilltë. Dhe ndihma nuk është vetëm të japësh lekë. Por, të bësh të mundur që, gjithkush, të marrë shërbimet që meriton, edhe nëse është i varfër.

Ndërkohë që po bëjnë krejt të kundërtën. Klani i tyre me pjesëtarë të shtetit dhe me disa privatë, po sundon bindshëm pa mëshirë dhe tani përpiqet të na shesë sapunin për djathë me ca deklarata propaganduese mbi shpërblimet për fëmijët e lindur.

Kështu që, i bëj thirrje bashkëvuajtësve të mi të Shqipërisë, të mos verbohen nga këto fasada. Të drejtat tona janë shumë më të mëdha se kaq. Nuk duhet ta lëvdojmë këtë reformë. Duhet të ruajmë në kokë se ç’meritojmë vërtet. Duhet të kujtojmë fort dhe jo vagët, imazhet e fytyrave të trishtuara të shumicës së Shqipërisë që, në kuptimin e parë, nuk kanë bukë të hanë dhe përsëri nuk do të kenë edhe pas lëmoshës së shtetit.

Janar 2019 – Prindërit në radhë për të marrë shpërblimet për fëmijët që sapo kanë lindur.

Janar 2039 – Po të njëjtët prindër, në trafik duke vajtur në Rinas që të hipin fëmijët e tyre në avion, për të shkuar në vendet ku jetojnë.