Një herë e një kohë konsiderohej “Koreja e Veriut në Europë, por sot Shqipëria ka të ardura sa 25% të Gjermanisë, rritje eksportesh dhe një monedhë që forcohet dita-ditës. Kjo tregon që ekonomistët dhe institucionet multilaterale, që fajësohen për çdo zhgënjim lidhur me të ardhurat, nuk janë krejtësisht të padobishëm.
Pesë vjet më parë, Shqipëria ndodhej në një situatë vërtet të keqe. Me Greqinë dhe Italinë që vuanin krizën e Euros, remitancat dhe prurjet e kapitalit ishin në rënie dhe ekonomia po pësonte rënie. Defçiti fiskal kishte arritur në 7% të GDP-së, financuar në një pjesë të madhe nga borxhet, ndërkohë që aksesi në tregjet e jashtme ishte mbyllur dhe normat e brendshme të interesit ishin në stratosferë.
Përveç kësaj, kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike ndodhej në një krizë operacionale dhe financiare, e paaftë të paguante për energjinë elektrike, që supozohej se duhej të blinte prej kompanive të prodhimit. Borxhet e qeverisë dhe të kompanisë elektro-energjetike po nxisnin një rritje të huave në sistemin bankar. Ishin të gjithë përbërës të një rezultati katastrofik.
Shkojmë në të tashmen: ekonomia po rritet me një ritëm prej 4.2%, e nxitur nga rritja e eksporteve në bujqësi, miniera, prodhim, energji, turizëm dhe shërbimet e biznesit. Në një kohë kur ekonomitë e vendeve në zhvillim, në rajone të ndryshme, si Argjentina, Turqia, Nigeria dhe Afrika e Jugut përballen me rënie të monedhës dhe rritje të normave të interesit, Shqipëria ka normat më të ulëta të interesit në historinë e vet dhe një monedhë që forcohet. Sot, ajo ka riskun më të ulët të bonove në klasën e shteteve të ngjashme me të.
Një herë e një kohë konsiderohej “Koreja e Veriut e Evropës” nën udhëheqjen e diktatorit komunist Enver Hoxha, por sot të ardhurat për frymë të Shqipërisë janë sa 25% e atyre të Gjermanisë. Nëse ajo do mund të ruajë këtë ritëm të rritjes ekonomike, do të arrijë të ardhurat e sotme të Gjermanisë, për 32 vjet.
Cili ishte sekreti i kthesës së Shqipërisë?
Së pari, ndryshe nga shumë vende që vonojnë të veprojnë, deri kur është shumë vonë, Kryeministri Edi Rama e thirri FMN sapo erdhi në pushtet në shtator 2013. Më pas, qeveria e tij negocioi një program që i mundësoi Shqipërisë të siguronte mbështetje financiare.
Programi 3-vjeçar përfundoi me sukses pothuaj dy vjet më parë, dhe raporti i borxhit me GDP-në mbetet në një trend zbritës. Këtë vit, ai po bie me 2.5% të GDP-së, ndërkohë që vendi po e zgjeron në mënyrë domethënëse, buxhetin e tij të investimeve publike.
Që të jetë në gjendje të rritet në mesin e një konsolidimi fiskal, duhet diçka tjetër që ta nxisë ekonominë të ecë përpara, zakonisht eksportet. Dhe eksportet po rriten në Shqipëri, ku unë kam udhëhequr një program kërkimor të Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar të Harvardit prej vitit 2013.
Në ndërkohë, Shqipëria iu shmang tundimit për t’u fokusuar në indikatorët e përgjithshëm të Doing Business, që supozojnë se të ndjekësh në mënyrë rastësore praktikat më të mira ndërkombëtare, mund të sjellë ndonjë të mirë.
Në vend të kësaj, autoritetet ndoqën një qasje diagnostikuese për të prioritizuar politikat e tyre. Të këshilluar nga Matt Andrews i Harvard Kennedy School of Government, politikëbërësit përdorën një strategji implementuese bazuar në një proces përsëritës të orientuar nga problemet, që fillon duke e pikasur problemin, identifikuar shkaqet e tij, dhe hartuar një mënyrë për ta rregulluar.
Kjo gjë çoi drejt shumë ideve që rezultuan me sukses. Në bujqësi, zhvillimi i grumbulluesve ndihmoi fermerët të lidhen me teknologji më të mira dhe tregje më fitimprurëse, duke krijuar kështu një bum në eksportet e perimeve. Në sektorin energjetik, qeveria adoptoi një strategji për të ndryshuar sjelljen e qytetarëve në lidhje me vjedhjen e energjisë elektrike dhe mospagimin, gjë që solli në vitin 2015, një ndryshim rrënjësor prej pothuaj 2% të GDP-së, në të ardhurat cash të kompanisë së shpërndarjes.
Po kështu, grupet këshillimore në prodhim dhe turizëm identifikuan fushat ku kishte mundësi për t’u përmirësuar. Shqipëria ka investuar në rimëkëmbjen e qyteteve të veta historike dhe tani po investon në 100 fshatra me potencial të madh për agroturizëm. Nuk është çudi që turizmi po rritet pothuajse dy herë më shumë.
Veç kësaj, ambasadorët e vendit po shfrytëzohen për të nxitur investimet e huaja përmes angazhimit të drejtpërdrejtë me kompanitë.
Dhe politikëbërësit tani po angazhojnë diasporën e Shqipërisë, e cila është një burim i rëndësishëm talentesh, investimesh, mundësish të tregut dhe idesh të biznesit, për të shtuar ndikimin.
Risitë nuk kanë qenë vetëm në nivel kombëtar. Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, ka trefishuar të ardhurat e Bashkisë që kur erdhi në krye të saj në vitin 2015, dhe i ka përdorur të ardhurat në mënyra, që e kanë bërë Tiranën një prej qyteteve më të këndshme në rajon. Kryeqyteti i Shqipërisë ka fituar çmime ndërkombëtare për zhvillimin e hapësirave urbane me cilësi të lartë, dhe për zgjidhjen e problemeve të lëvizjes dhe problemeve mjedisore, në mënyra inovative.
Mësimet për vendet e tjera janë të qarta. Suksesi ndaj vështirësive ndodh kur qeveritë janë të vetëdijshme për gjendjen e vështirë dhe për dobësitë e tyre, munden të përcaktojnë objektivat, dhe të kërkojnë pa u ndalur mënyra drejt arritjes së qëllimeve të tyre. Në këtë proces, vendet nuk janë vetëm.
Sistemi i asistencës financiare ndërkombëtare udhëhequr nga FMN dhe institucionet e zhvillimit financiar mund të vijë në ndihmë. Por shtetet duhet të dijnë se kur dhe si t’i shfrytëzojnë më së miri. Ata mund të shtojnë kapacitetet e qeverisë, por nuk mund të zëvendësojnë përkushtimin e qeverisë.
Edhe mësimi për Bashkimin Evropian është i qartë: kur mendojnë për vendet që aspirojnë anëtarësimin si Shqipëria dhe pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor, është e rëndësishme të shikojnë jo vetëm çfarë janë dhe çfarë kanë qenë këta vende, por edhe zellin e vullnetin me të cilin ata veprojnë në mënyrë që bëhen ashtu siç synojnë.
Për pjesën më të madhe të historisë, Shqipëria dukej e pashpresë. Por i pashpresë është ai që bën të pashpresin. Tani, kthesa e Shqipërisë është një burim shprese për gjithë ne të tjerët.
Ricardo Hausmann (lindur në 1956) është Drejtor i Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar dhe Profesor i Praktikës së Zhvillimit Ekonomik në “John F. Kennedy School of Government” në Universitetin e Harvardit.