Historia ka dëshmuar se bota ka patur gjithmonë nevojë për armiq. Mbi këtë bazë formohen politikat e jashtme të fuqive botërore. Mungesa e një kundërshtari ekzistencial rrezikon të falimentojë gjithë strategjtë e ndërtuara për dhjetëvjeçarë të tërë.
Për shumë kjo situatë është e rrezikshme, por për jo pak të tjerë, veçanërisht për aparatet e mëdha politiko-ushtarake-industriale të kesh një armik, mbi të gjitha në qoftë se është edhe tradicional, është një garanci e madhe dhe shërben për krijimin e politikave të aleancave.
Të kesh një armik të përbashkët ndihmon më shumë se të kesh interesa të përbashkëta .
Kjo shërben për të gjetur fonde buxhetore kolosale, segmente politike dhe të mbrojtjes të interesuar për të krijuar fronte të caktuara. Por armiku i përbashkët shërben edhe si një garanci që gjithçka të ngelet e pandryshuar.
Çdo shtet ka armikun e tij. Për shumë dhjetvjeçarë fuqitë botërore kanë krijuar sisteme ndërkombëtare të bazuara në aleanca solide por edhe mbi armiqësi historike që nxisin konflikte të ftohta apo të nxehta që nuk mbarojnë kurrë. Armiqtë eksistencialë kanë bërë të pamundur shkëputjet e politikave të jashtme të shteteve nga kundërshtarët gjeostrategjikë.
Krizat e mëdha ndërkombëtare të epokës sonë bazohen mbi rivalitete strategjike që janë prej vitesh dhe që kanë tejkaluar ndryshimet e qeverive dhe të lëvizjeve të ndryshme poltike. Biles edhe në qoftë se vullnetet politike kanë tentuar ndryshimet e aleancave, janë aparatet që rrotullohen rreth tyre që bllokojnë ato. Sepse në fund të fundit të kesh një armik ndihmon të legjitimosh vetveten, pushtetin, privilegjet.
Prova më e qartë ishte takimi Trump- Putin në Helsinki ku shumë u shqetësuan nga mendësitë që të dy liderat që po takoheshin mund të vendosnin ndryshimin e armiqve. Për shumë grupe të caktuara shtrohej pyetja po sikur Washingtoni dhe Moska të eleminojnë divergjencat dhe të nisin një epokë të re bashkëpunimi?
Gjatë takimit Putin deklaroi se duhet të lëmë pas krahëve klimën e Luftës së Ftohtë dhe strukturat e të shkuarës. Por pikërisht ky është motivi se përse ekzistojnë aparatet gjigande ushtarake të krijuara që nga shekulli i shkuar me gjithë strategjitë e hartuara nga ata. Janë këto struktura që me çdo kusht kërkojnë ruajtjen e statukuosë.
Në fakt Trump, më shumë se Putini, për shumë arsye po prezanton fundin e një epoke .
Është një president ndryshe, me metoda aspak ortodokse, që po realizon një politikë të jashtme shumë të ndryshme se ajo e zakonshmja.
Trump nuk është një revolucionar, por produkt i një teorie politike amerikane që prej vitesh teorizon një Amerikë ndryshe. Një Amerikë më pak interveniste, më shumë e impenjuar në problemet e brendshme, më pak përkujdesje për Europën dhe një lloj zbutje me Rusinë .
Dhe pikërisht kjo lloj politike solli takimin e Singaporit me Kim Jong -un për të ndaluar një konflikt që i ka rrënjët e tij në strategjitë e shkuara mbi armikun. Por ndryshimi i armikut (Koreja e Veriut) mund të sjellë denuklearizimin e gadishullit dhe pashmangshmërisht mund të çojë në ribashkimin e tij. Kjo do të vështirësonte justifikimin e pranisë së bazave dhe 30 mijë ushtarëve amerikane dhe për rrjedhojë do të ndryshonte ekuilibrat strategjiko-ushtarake në Paqësor. Dhe kjo gjë nuk iu pëlqen hartuesve të strategjive 70-vjeçare të armikut koreanoverior.
Kjo nuk do të thotë që Trump është një pacifist. Sulmet në Siri e dëshmuan këtë. Por presidenti i SHBA po tenton të ndryshojë armiqtë. Rusia nuk i intereson për momentin sepse armiku kryesor i këtij shekulli sipas tij do të jetë Kina, dhe me një vëmendje të veçantë ndaj Iranit. Dhe ky ridizejnim i armiqve për shumë nënkupton fundin e një epoke.
Janë koncepte të ndryshme me ato aktuale që shtojnë pyetje të rëndësishme. Në qoftë se në këtë shekull armiku kryesor do të jetë Kina atëherë pse duhet të jetë NATO në Europë kur ajo duhet krijuar me konceptimin aktual në Paqësor? Nëse armiku nuk është më Rusia dhe marrëdhëniet me të i zbusin, atëherë përse duhen trupat në Europë kur ajo është një nga rivalet ekonomike më të fuqishme të SHBA dhe nuk shpenzon sa duhet për mbrojtjen e saj?
Natyrisht politika e jashtme e Trump rikoncepton gjithçka, armiqtë, miqtë, aleancat, strategjitë ushtarake etj.
Dhe kjo shpie në ndryshime radikale dhe për këtë janë të shumtë ata që nuk i pranojnë këto ndryshime dhe që i kundërvihen me të gjitha forcat dhe mjetet për ta bllokuar .
Dhe në këtë front bllokimi bashkohen për ideologji, për bindje, për pragmatizëm, për luftë politike, për nostalgji apo dhe thjesht për kalkulime edhe hakmarrje personale politike.
Natyrisht që ka segmente të ndryshme pushteti si në Washington por edhe në Moskë dhe BE që nuk i duan këto koncepte të Trump .
Sot shumë struktura të aparateve gjigande të mbrojtjes dhe sigurisë nuk mund të konceptohen dhe funksionojnë pa një armik, biles ai duhet edhe paraqitet jashtëzakonisht i rrezikshëm edhe kur nuk është i tillë. Duket paradoksale por shumë struktura mbahen në këmbë vetëm nga ekzistenca e armikut .
Trump rrezikon seriozisht të modifikojë të gjithë parametrat që për dhjetëvjeçare kanë determinuar politikën e jashtme amerikane dhe për këtë është presidenti që për dy vjet sulmohet me çdo lloj mjeti. Nuk ka patur ndonjë president amerikan që që prej ditës së parë që të jetë sulmuar frontalisht. Nuk ja kanë falur kurrë faktin që një figurë e tillë ardhur nga jashtë establishmentit arriti jo vetëm t’i mundë, por edhe të tentojë rikonceptimin e gjithë politikës amerikane ashtu siç amerikanët nuk e kishin parë të paktën 70 vitet e fundit.
Sidoqoftë nuk ka patur periudha të zhvillimit ku armiku nuk ka ekzistuar. Edhe kur ai ka munguar e kanë sajuar pasi ai në radhë të parë ndikon në zhvillimet e brendshme të çdo shteti dhe për pasojë të gjithë kanë nevojë për të .
Problemi ështe se ndryshimi i tyre sjell ndryshime të ekuilibrave strategjikë dhe si rrjedhojë rreziqe të paparashikuara deri në konflikte të armatosura.