MENU
klinika

Vrasja në Shkodër

Ndryshon versioni, biznesmeni është qëlluar duke kalëruar

01.09.2018 - 18:04

Arjan Ferracaku ka qenë duke shëtitur me kalë tek “Bregu i Ranës” në Shkodër, kur është qëlluar me armë zjarri.

Policia e Shkodrës ka rishikuar kështu versionin e saj të parë mbi vrasjen e regjistruar rreth orës 13:50 në periferi të qytetit, tek hidrovori i fshatit Dobraç.

Policia pati njoftuar më herët se trupi i pajetë i 30-vjeçarit ishte gjetur në një makinë të parkuar në këtë zonë, por pas kqyrjes së vendit të krimit dhe marrjes në pyetje të dy miqve të Arjanit duket se dinamika e ngjarjes ka ndryshuar.

Sipas të dhënave të para nga vendngjarja rezulton se Arjan Ferracaku është qëlluar me dy plumba në kokë teksa ka qenë duke shëtitur me kalë. Ajo çka mbetet ende e paqartë është sesi trupi i tij ka përfunduar pranë një makine të braktisur në këtë zonë, makinë e cila u përjashtua më pas nga policia se kishte të bënte me ngjarjen.

Arjan Ferracaku banonte në lagjen “Guerile” dhe njihej në Shkodër si biznesmen.

Familja e të ndjerit rezulton të jetë pronare e dy lokaleve, një në Zus të Shkodrës dhe tjetri në Velipojë. Edhe pse ende asgjë nuk është bërë publike në lidhje me identitetin e autorëve, policia ka marrë masa duke ngirutr pika kontrolli në akset rrugore rurale pranë perimetrit në të cilën dyshohet se ka ndodhur ngjarja.

Ngjarja është e gjitha një mister, edhe për vetë policinë, pasi 30 vjeçari nuk kishte asnjë precedent të mëparshëm dhe të gjithë në Shkodër e njihnin për një person të qetë, ndërkohë që mësohet se Drejtori i Pergjithshem i Policisë së Shtetit ka mbërritur në Shkodër.