MENU
klinika

Një femër çdo pasdite

Në shtrat me Mussolini-n

15.09.2018 - 09:29

Benito Musolini dashuroi më shumë se të gjithë politikanët italianë të shekullit të fundit. Nuk dihet (as ai vetë nuk e dinte) sesa gra ka pasur. Sidoqoftë, pati shumë më tepër nga sa arsyeshëm mund të ketë një Don Zhuan modern. Kuinto Navarra, shërbyesi i tij i pallatit Venecia, nisi të shkruajë një katalog përmbledhës njësoj si ai i Leporelos: një dashnore në ditë, për çdo pasdite, të cilën e bënte të tijën në Sallën e Hartës së Botës. “Frekuentueseve të rregullta iu rezervonte qilimin e gjerë që dilte poshtë tryezës së punës, – tregon ai, – ndërsa të rejave, sediljen e gurtë, të mbuluar nga një jastëk i gjatë i qëndisur, i nxjerrë në çeltinën e dritareve.” Kohëzgjatja e aktit seksual, pesëmbëdhjetë minuta, meqenëse koha e krejt vizitës zgjaste thuajse dyfishin. Për hir të së vërtetës, më shumë se për dashnore, bëhej fjalë për “vizitore fashiste”, që i afroheshin Benitos sikur po i vinin një kurorë dafine në këmbët e Altarit të Atdheut, monumentit aty pranë. Dashnoreve të vërteta, siç do ta shohim më pas, Duçja u rezervonte një trajtim jo kaq të ngutshëm në një vend më romantik, në Sallën e Zodiakut, nën një tavan me yje dhe planetë.

Por kur Navarra nisi shërbimin, Musolini tanimë kishte pas krahëve një karrierë mbresëlënëse si dashnor. Nëse është e vërtetë se pushteti i tërheq gratë njësoj si mjalti (edhe burrat, qëkurse ekzistojnë gratë me pushtet), duhet ama të pohojmë se Duçja kish qenë një pushtues qëkurse ishte një socialist i ri xhepshpuar dhe pakëz i krisur. Siç e dimë, nuk ishte tamam një Adon, por në moshën e djalërisë, nuk duhet të ketë qenë dhe aq keq. Ja përshkrimi që prefektura e Forlisë ua shpërndau krerëve të alarmuar të një kolegji katolik të Onelias, të cilit mësuesi njëzetë e katër vjeçar i fillores i kish mbirë në derë në 1907-ën: “Gjatësia : 1.67. Trupi: shpatullan. Flokët: ngjyrë gështenjë e çelët. Fytyra: në ngjyrë të zbehtë dhe përmasa: e gjatë. Balli: në formën e duhur. Sytë: në ngjyrë të errët. Hunda: në formë shkabe. Mjekra: ngjyrë gështenjë. Goja: e gjerë. Shprehia fizionomike: simpatike”.

Ishin kohëra fjalësh që të merrnin në qafë, në politikë ashtu sikurse në dashuri. Për Musolinin mund të thuhet gjithçka, por jo se qe një orator joshës. Çdo grua e bënte të besonte se ishte ajo që Fati – me F të madhe – e kishte caktuar për ta shoqëruar në shtegtimin e tij të ndritur. Thuajse të gjitha e besonin, edhe për faktin se i riu Benito – dhe pastaj burri –shpesh i besonte edhe vetë ato që thoshte. Ose sidoqoftë, tregonte se i besonte me një entuziazëm ngashëryes.

Musolini e zbuloi trupin femëror në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, kur u fut tinëzisht në një bordello. E pagoi kënaqësinë seksuale me një gonorre, por që nga ai hop e përndoqi joshja e lakuriqësisë. “I zhvishja me sy vajzat që takoja dhe, i lakmoja dhunshëm me mendje.” Thuri edhe poezi që u muzikuan me sukses në sallat e vallëzimit të Predapios: “Vogëlushe mos më vështro/ mbase me dashuri të vërtetë ti më do/ por kjo zemër që përvëlohesh duke ëndërruar/ është helmplot”.

U bë mësues si e ëma, por mësimdhënia nuk i pëlqente. Ndaj, të atit farkëtar, iu sos durimi. Antonio Spinoza (te libri: Musolini. Joshja e një diktatori) tregon për një shfryrje me të birin (të cilit, në rrethana solemne, i drejtohej me ju) çka, nëse nuk është e vërtetë, – do të shkruante Indro Montaneli, – për nga tonet profetike duket sikur ishte bërë me porosi: “Pra nuk doni të jeni mësues, – i thoshte burri i shkretë, – nuk doni të jeni sekretar komunal! Çfarë doni? Postin e Kryeministrit?”.

I riu ishte grindavec dhe mburrej me këtë. Edhe me femrat, shpesh nuk tregohej i kujdesshëm. Ja rrëfimi për joshjen e Virxhinisë, “një vajzë të mençur dhe bujare, me lëkurë të freskët e të bardhë”. Një ditë të bukur, e zura përgjatë shkallëve, e plasa në një qoshe pas një dere dhe e bëra timen. U ngrit duke qarë dhe mes lotëve e turpëruar më shante. Thoshte se i kisha vjedhur nderin. Nuk them se jo! Po për çfarë nderi është fjala?” Me ta hedhur pas krahëve tronditjen, vajzës filloi t’i shijonte, aq sa joshësi mund të shënonte: “Ma shpërbleu pak me shpirt, së tepërmi me mish”.

Musolini bënte politikë me të njëjtin rrëmbim që kryente marrëdhëniet seksuale.

“Musolini priste një grua në ditë, çdo pasdite. Kjo zgjati deri më 24 korrrik”, shënon në kujtimet e tij besniku Navarra. “Takimi që ai caktonte me zonjën S nga Ferrara për datën 25, qe i vetmi që u shty, sine die nga vetë Duçe.” Kryeportieri i pallatit Venecia pohon se Musolini nuk i kishte qejf historitë e gjata, veç përjashtimeve që sapo shtjelluam dhe asaj të fundit që do të shohim pas pak: Klaretës. Një mori grash i dorëzoheshin me një takim të vetëm të konsumuar mbi tapetin e Sallës së Hartës së Botës, të tjerat kishin privilegjin e ndonjë replike në parvazin e dritares. Shumë prej tyre protestonin për karakterin njëditor të marrëdhënies dhe disa kërkonin ndihma ekonomike: Duçja merrte masa për t’i rënë shkurt duke futur një shumë të hollash mes faqeve të një libri që Navarra ua dorëzonte në shtëpi.

“Sa për gratë, – i rrëfeu Benito Nino d’Aromës (Musolini i fshehtë), – kam eksperiencën personale të njëjtë me atë të të gjithë burrave të shëndetshëm, që në jetën e tyre bëjnë as më shumë e as më pak se të tjerët, sepse, nëse unë Musolini do të duhej të mbaja mbi supe tërë gratë që më atribuohen, të thënë të drejtën do të duhej të isha shumë më tepër se një burrë, duhej të isha një hamshor”.

E megjithatë, “vizitoret fashiste” vinin nga e gjithë Italia, si shkollare në vizita mësimore, që të bëheshin të tijat. Jo të gjitha ishin të bukura, jo të gjitha ishin të reja: përkundrazi, para se të dashurohej me Klaretën, Duçja parapëlqente gratë e sapopjekura. Bionde, brune, të kuqe: që të gjitha, sidoqoftë të kolme. Mes frekuentueseve të zakonshme të pallatit Venecia, rezultojnë një “zonja Belini” (brune, e gjatë, e këndshme tërheqëse dhe jo e dobët) dhe një “zonja Tanci”, që i shkroi çdo ditë rresht për tri muaj. Një herë, para se ta priste, Musolini pyeti nëse kishte mbërritur gjë prej saj. Atëherë Navarra i dorëzoi letrën e fundit që gruaja i kishte nisur dhe e pyeti nëse donte edhe nëntëdhjetë letrat paraardhëse. “Letrat e vjetra nuk kanë rëndësi”, iu përgjigj thatë Duçja.

Navarra kujton mes më të zellshmeve një zonjë C. nga Milano (“brune, e bëshme, e gjatë, as shumë fine dhe as shumë vulgare”) dhe, mbi të gjitha, konteshën R. nga Rovigo, bukuroshe, bionde dhe provokuese. Sapo vinte në Romë, i dorëzonte një pusullë në pallatin Venecia dhe Duçja e priste pa u tharë mirë boja. Për të seleksionuar letërkëmbimin e pafund sentimental u krijua një zyrë që qëmtonte mijëra letra që mbërrinin dhe i çonte Musolinit vetëm ato që gjykoheshin si më “interesantet”.

Gratë e Duçes ishin thuajse të gjitha të përzgjedhura nga borgjezia: Musolini nuk i kishte qejf aristokratet dhe frekuentoi gra të zakonshme që vinin nga familje modeste. Bëri përjashtim për një grua të bukur milaneze, Anxhela Kuri, bijë e një tipografi socialist. E njohu në 1921-in, në Milano dhe, pas “marshimit të Romës”, i kërkoi që të vinte e ta takonte herë pas herë në pallatin Venecia. Anxhela nuk i hapte probleme të asnjë lloji, dhe këtë Benito ia dinte për nder. “Ti je qetësia ime” i përsëriste. Në shenjë dashurie dhe respekti, hapte për të sallën e Zodiakut, ku dy dashnorët qëndronin për një kohë shumë më të gjatë se mesatarja.

Mes një morie femrash që u ra në kokë hiri i Duçes që në takimin e parë (ose madje edhe pa e takuar fare), ishte edhe një gazetare franceze, Magda de Fontagnes. E pritur në pallatin Venecia me një grup korrespondentësh, gruaja flokëverdhë, por shëmtarake, arriti ta takojë në intimitet Musolinin që atë pasdite, dhe u dashurua kokë e këmbë me të. Për Duçen, që e merrte me vete edhe në rastet zyrtare, shkroi reportazhe të admirueshme: “Sytë e tij kanë një shkëlqim të pakrahasueshëm, magjepsës, dhe unë sfidoj këdo që ta takojë ballazi për herë të parë dhe të mos mbetet thellësisht i trazuar”.

Zelli i takimeve të tyre duhet ta ketë bezdisur Margerita Sarfatin, e cila iu lut mikut të saj kontit Charles de Chambrun, ambasador francez në Romë, që ta kthente në Paris gazetaren. Gjë që u krye me motivimin zyrtar se Magda dyshohej se punonte për ata që sot do ta quajmë kundërspiunazhi francez. Dhe, kjo ishte mbase e vërtetë. Por gruaja, që largqoftë të hiqte dorë nga Duçja, reagoi me tri nisma spektakolare. Së pari: tentoi vetëvrasjen. Së dyti: i zbuloi revistës amerikane Liberty detajet e takimeve të saj dashurore me Musolinin (ai i binte violinës nën këmbët e saj). Së fundi, për t’u hakmarrë ndaj Chambrun-it, ajo e priti në dalje të stacionit parizian Quai d’Orsay dhe e qëlloi me një goditje pistolete “në pjesët e poshtme”, siç vuri në dukje konti Çano në ditarin e tij me një fije ligësie. Kur policia hyri me dhunë në apartamentin e gazetares, gjeti atje treqind foto të Duçes.

Dhe Klareta bërtiti: Është Duçja!

“Me kalimin e moshës, një ndryshim i vetëm ndodhi në ndjenjat dhe zakonet dashurore të Duçes: kaloi nga shumë gra, te një grua e vetme, Petaçi, e dashura tashmë e njohur, me karabinierë roje te dera e shtëpisë, nderim dhe mbikëqyrje njëkohësisht.” Me fjalë të kursyera, Xhuzepe Botai në librin e tij Ditar nuk do të kish mundur ta përkufizonte më mirë hierarkun. Klareta në të vërtetë, nuk qe kurrë gruaja e vetme për Musolinin, i cili sikundër do ta shohim, e tradhtoi me një mori “vizitoresh fashiste”. Por sigurisht në zemrën e tij, në jetën e tij dhe në fundin e tij tragjik zuri një vend me epërsi absolute.

Sikurse kujton Renzo de Feliçe (Udhëheqësi Musolini) Musolini dëgjoi të flitet për Klaretën në 1926-ën, kur ajo ishte 14 vjeç. Violet Albina Gibson, një aristokrate angleze, disi e ekzaltuar, e kishte pritur Musolinin në dalje të Kampidolios, ku kishte nisur punimet e një kongresi kirurgjie, dhe e kishte qëlluar me një të shtënë revolveri duke e plagosur lehtazi në hundë. Në rrebeshin e mesazheve të përgëzimit për rrezikun të cilit i shpëtoi (mes të cilëve, edhe një tejet e përzemërt e Papa Pios XI ) ra në sy edhe letra e Petaçit, plotpërplot “devocion të zjarrtë dhe konfidencë foshnjarake” siç nënvizoi në përgjigjen e saj sekretarja e pallatit Venecia: “Duçe, i madhërishmi im Duçe, jeta jonë, shpresa jonë, lavdia jonë, si mund të ekzistojë një shpirt kaq i paudhë që të cenojë të ardhmen shkëlqimtare të Italisë sonë të bukur? Oh Duçe, përse nuk u gjenda aty! Përse nuk pata mundësi ta mbysja atë grua vrasëse, që të plagosi ty, qenien hyjnore?”. Premisat për dashurinë e pashmangshme ishin të gjitha aty!

Ata u takuan në një rrethanë të papritur gjashtë vjet më pas, më 24 prill të 1932-it. Klareta po shkonte drejt Ostias mbi një makinë Lança, të drejtuar nga shoferi i familjes, bashkë me të ëmën, motrën Miriam dhe të fejuarin, nëntenentin e aeronautikës Rikardo Federiçi. U parakaluan me shpejtësi të paparë nga një Alfa Romeo e kuqe, e drejtuar nga një burrë që mbante beretë, doreza drejtimi dhe syze të errëta të mëdha, e ndjekur nga një veturë e zezë e eskortës presidenciale. “Është Duçja!”, thirri Klareta duke e urdhëruar shoferin ta ndiqte. Ndjekja qe e kotë, por kur më vonë e pa sërish Musolinin të ndalur në sheshin e Ostias, vajza deshi t’i prezantohet e shoqëruar nga i fejuari i saj i pavetëdijshëm.

“Jam Klareta Petaçi.”
“Jeni e afërme e mjekut të Vatikanit”, e pyeti Duçja.
“Është im atë.”
“Ju me se merreni?”

“Shkruaj, i bie violinës”, u përgjigj vajza, sikur të donte të shkonte pas gjurmëve të Rodolfos që te Bohema e Puçinit i përgjigjet Mimisë: “Kush jam? Jam një poet. Çfarë bëj? Shkruaj. E si jetoj? Jetoj”.

Ai ishte 49 vjeç dhe mbeti i befasuar nga bukuria e vajzës, që sapo kish mbushur të njëzetat. De Feliçe kujton se për katër vite mes tyre pati vetëm një miqësi të përzemërt (në kuptimin më të mirëfilltë të shprehjes). Musolini e ndihmoi familjen Petaçi (i ati i Klaretës ishte një mjek me influencë në Vatikan, por jo kryemjek i papës), rekomandoi vëllanë e saj të paskrupullt Marçelo (që diti si përfitojë me të dyja duart nga kjo marrëdhënie), u mor aktivisht me vajzën duke e ndihmuar të kultivonte ambiciet e saj si piktore dhe duke favorizuar në 1934-ën martesën me nëntenentin e ri Federiçi që nuk kishte moshën e lejuar për t’u martuar.

Dy vite më pas, Klareta ndahet nga i shoqi për t’u bërë dashnorja e përhershme e Duçes. Dëshmia më e besueshme për lindjen e marrëdhënies së tyre, është ajo e një mikut të gruas, Paskuale Donadios, që mes shtatorit dhe nëntorit të 1962-it rrëfeu shumë prapaskena në një sërë numrash të gazetës Tempo (Një histori tragjike dashurie).