MENU
klinika

Fjalimi madhështor

Njeriu sipas Ayn Rand

12.09.2018 - 19:32

Një ndër fjalimet më madhështorë e domethënës të shkruajtur ndonjëherë. Kjo pjesë është marrë nga libri i Ayn Rand, “The Fountainhead” (Burimi i jetës)

“Mijëra vjet më parë, njeriu i parë zbuloi se sit ë bënte zjarrin. Ka shumë mundësi që ai të jetë djegur si pasojë e barrës që mori përsipër duke ia mësuar vëllezërve të vetë sesi të ndiznin zjarrin. Ai u konsiderua një keqbërës që ishte marrë me një demon nga i cili kishte lemeri gjithë njerëzia. Por prej atëherë njerëzit kishin zjarr për t’u ngrohur, për të gatuar ushqimin e tyre, për të ndriçuar shpellat. Ai iu la atyre një dhuratë që ata nuk e kishin konceptuar dot dhe hoqi errësirën nga toka. Shekuj më pas, njeriu i parë zbuloi rrotën. Ka shumë mundësi që ai të jetë shtypur nga rrota që ai iu mësoi vëllezërve të vetë sesi ta ndërtonin. Ai u konsiderua si një kryeneç që kishte guxuar të futej në territor të ndaluar. Por prej atëherë njerëzit mund të udhëtonin përtej çdo horizonti. Ai iu la atyre një dhuratë që ata nuk e kishin konceptuar dot, dhe ai iu hapi atyre rrugët e botës.

“Ai njeri, i panënshtruar dhe i parë, qëndron në kapitullin hapës të çdo legjende që njerëzimi ka regjistruar për fillimin e saj. Prometeu ishte lidhur me zinxhirë në një shkëmb dhe shqyej nga shkabat, sepse ai kishte vjedhur zjarrin e perëndive. Adami u dënua me vuajtje sepse ai kishte ngrënë frutin nga pema e njohjes. Cilado qoftë legjenda, diku në hijet e kujtesës së vetë, njerëzimi e di që lavdia e tij nisi me një, dhe ai një person pagoi shtrenjtë kurajon e tij.

“Gjatë gjithë shekujve ka pasur njerëz që ndërmorën hapat e para nëpër shtigje të pashkelura, të armatosur veçse me vizionin e tyre. Synimet e tyre ndryshonin, por atë gjithë kishin këtë gjë të përbashkët: që hapi ishte i pari, shtegu i pashkelur, vizioni i pahuazuar, dhe reagimi që ata morën-urrejtje. Krijuesit e mëdhenj, mendimtarët, artistët, shkencëtarët, shpikësit, qëndruan të vetmuar përkundrejt njerëzve të kohës. Çdo ide madhështore e re u kundërshtua. Çdo shpikje e re madhështore u denoncua. Motori i parë u konsiderua budallallëk. Aeroplani i parë u konsiderua i pamundur. Tezgjahu mekanik u konsiderua i dëmshëm. Anestezia u konsiderua mëkat. Por kishte njerëz me vizion origjinal që vazhduan më tej. Ata luftuan, vuajtën dhe paguan. Por fituan.

“Asnjë krijues nuk u nxit nga dëshira për t’u shërbyer vëllezërve të vetë, pasi vëllezërit e tij refuzuan dhuratën që ai ofroi dhe ajo dhuratë shkatërroi rutinën e jetës së tyre. E vërteta e tij ishte motivi i tij i vetëm. E vërteta e tij, dhe puna e tij për të arritur motivin e tij. E vërteta e tij dhe puna e tij për ta arritur atë në mënyrën e tij. Një simfoni, një libër, një makineri, një filozofi, një avion, një ndërtesë, ky ishte qëllimi i jetës së tij. Jo ata që dëgjuan, lexuan, vunë në punë, besuan, fluturuan apo banuan gjërat që ai krijoi. Krijimi e jo përdoruesit e tyre. Krijimi dhe jo përfitimet që të tjerët nxirrnin prej saj. Krijimi që i jepte formë të vërtetës së tij. Ai mbante të vërtetën e tij përmbi gjithë gjërat e tjera dhe kundër gjithë njerëzve.
“Vizioni i tij, fuqia e tij, guximi i tij vinte nga shpirti i vetë. Shpirti i një njeriu, është gjithsesi vetvetja. Ajo njësi që përbën ndërgjegjen e tij. Të menduarit, të ndjerit, të gjykuarit, të vepruarit, janë funksione të unit.

“Krijuesit nuk ishin vetëmohues. Ky është gjithë sekreti i fuqisë së tyre, pra ata ishin vetëmjaftueshëm, vetëmotivuar dhe vetëgjeneruar. Një shkak i parë, një burim energjie, një forcë jetike, një Pioner. Krijuesi nuk i shërbente asgjëje dhe askujt. Ai kishte jetuar për veten e vetë.

“Dhe vetëm duke jetuar për veten ai ishte i aftë që të realizonte gjera që janë lavdia e njerëzimit. Kësilloj është natyra e arritjes.

“Njeriu nuk mund të jetojë, përveçse nëpërmjet mendjes së vetë. Ai vjen në tokë i paarmatosur. Truri i tij është arma e vetme. Shtazët sigurojnë ushqimin falë forcës. Njeriu nuk ka kthetra, nuk ka dhembë të mëdhenj, nuk ka brirë, nuk ka muskuj të fuqishëm. Ai duhet ta kultivojë ushqimin e vetë ose ta gjuajë. Për të mbjellë ai ka nevojë për procesin e të menduarit. Për të gjuajtur i duhen armë dhe për të bërë armët, i duhet një proces mendimi. Prej nevojës më të thjeshtë tek abstraksioni më i lartë fetar, prej rrotës tek rrokaqiejt, gjithçka që ne jemi dhe gjithçka që ne kemi vjen nga një dhunti e vetme e njeriut, funksioni arsyetues i mendjes së vetë.

“Por mendja është një dhunti e një individi. Truri kolektiv nuk ekziston. Mendimi kolektiv nuk ekziston. Një marrëveshje e realizuar nga një grup njerëzish është thjesht një kompromis ose një rezultante mesatare e shumë mendimeve individuale, është një pasojë dytësore. Veprimi parësor, procesi i arsyetimit, duhet të ushtrohet nga çdo njeri veçmas. Ne mund të ndajmë një ushqim mes shumë njerëzve. Ne nuk mund ta tretim atë në një stomak kolektiv. Asnjeri nuk mund të përdorë trurin e vetë për të menduar për një tjetër. Të gjitha funksionet e trupit dhe shpirtit janë personale. Nuk mund të ndahen me të tjerët apo të transferohen.

“Ne trashëgojmë produktet e njerëzve të tjerë. Ne trashëgojmë rrotën. Ne bëjmë karrocën. Karroca bëhet automobil. Automobili bëhet aeroplan. Por përgjatë gjithë procesit ajo që ne marrim nga të tjerët është prodhimi që vjen si rezultat i të menduarit të tyre. Forca lëvizëse është aftësia krijuese që e merr këtë produkt si material, e përdor atë dhe sajon hapin tjetër. Kjo aftësi krijuese nuk mund të jepet ose merret, ndahet ose huazohet. Ajo i takon një njeriu të vetëm. Çfarë krijohet është prona e krijuesit. Njerëzit mësojnë nga njeri-tjetri. Por të mësuarit është vetëm një shkëmbim materiali. Asnjë nuk mund t’i japi dikujt tjetër kapacitetin për të menduar. Megjithatë ky kapacitet është mjetin ynë i vetëm i mbijetesës.

“Asgjë nuk i jepet një njeriu në tokë. Gjithçka që ai nevojit duhet të prodhohet. Dhe këtu njeriu ballafaqohet me alternativën themelore: ai m und të mbijetojë nëpërmjet dy rrugëve: nëpërmjet punës së pavarur të mendjes së tij ose si parazit i ushqyer nga mendimet e të tjerëve. Krijuesi gjeneron. Paraziti huazon. Krijuesi e përballon natyrën i vetëm. Paraziti e përballon natyrën nëpërmjet ndërmjetësve.

“Shqetësimi i krijuesit është nënshtrimi i natyrës. Shqetësimi i parazitit është nënshtrimi i njeriut.
“Krijuesi jeton për punën e tij. Ai nuk ka nevojë për njeri tjetër. Synimi i tij parësor është përbrenda vetes. Paraziti jeton si dorë e dytë. Ai ka nevojë për të tjerë. Të tjerët janë motive i tij parësor.

“Nevoja parësore për krijuesin është pavarësia. Mendja arsyetuese nuk mund të punojë nën ndonjë forme shtrëngimi. Nuk mund të përulet, sakrifikohet ose nënshtrohet ndaj ndonjë këndvështrimi sido që të jetë. Kërkon pavarësi të plotë në funksion dhe motiv. Për një krijues të gjitha marrëdhëniet me njerëzit janë dytësore.

“Nevoja parësore e njeriut që është dora e dytë, është që të sigurojë lidhjet me njerëzit në mënyrë që të ushqehet. Ai vendos marrëdhëniet në plan të parë. Ai deklaron se njeriu ekziston për t’u shërbyer të tjerëve. Ai predikon altruizëm.

“Altruizmi është doktrina që kërkon që njerëzit të jetojnë për të tjerët dhe vendosin të tjerët sipër vetes.

“Asnjeri nuk mund të jetojë për një tjetër. Ai nuk mund të ndaj shpirtin e tij më dikë tjetër po ashtu sikurse nuk mund të ndaj trupin e tij. Por njeriu i dorës së dytë ka përdorur altruizmin si armë shfrytëzimi dhe ka përmbushur bazën e parimeve morale të njerëzimit. Njerëzve iu mësohen çdo lloj parimi që shkatërron krijuesit. Njerëzve iu është predikuar varësia si të ishte virtyt.

“Njeriu që përpiqet të jetojë për të tjerët është i varur. Ai është një parazit në motiv dhe bën parazit ata persona të cilëve ai iu shërben. Kjo marrëdhënie nuk prodhon gjë tjetër përveçse korrupsion reciprok. Është e pamundur në koncept. Ngjashmëria më e afërt në realitet e njeriut që jeton për t’u shërbyer të tjerëve, është skllavi. Nëse skllavëria fizike është e neveritshme, sa më shumë është e neveritshme koncepti i shërbimit me shpirt? Skllavi i nënshtruar ka një farë nderi. Ai ka meritë, sepse ka rezistuar dhe sepse e konsideron gjendjen e tij të keqe. Por njeriu që skllavëron veten vullnetarisht në emër të dashurisë është një ndër krijesat më të ulta. Ai degradon dinjitetin e njeriut dhe degradon konceptin e dashurisë. Por ky është thelbi i altruizmit.

“Njerëzit edukohen që virtyti më i lartë nuk është që të arrijnë, por që të japin. Porse një njeri nuk mund të japi diçka që nuk e ka krijuar. Krijimi vjen para shpërndarjes përndryshe nuk do të ketë diçka për të shpërndare. Nevoja për krijuesin vjen para nevojës për ndonjë përfitues të mundshëm. Megjithatë neve na është thënë që të admirojmë njeriun dorë e dytë, që shpërndan dhurata që nuk ka prodhuar duke shpërfillur njeriun që i ka bërë këto dhurata të mundshme. Ne çmojmë aktin e bamirësisë. Ne shpërfillim një akt arritjeje.

“Njerëzve iu është mësuar që qëllimi kryesor duhet të jetë që të zbusin vuajtjen e të tjerëve. Por vuajtja është një sëmundje. Nëse dikush sëmuret, atëherë tjetri duhet të përpiqet që të japë ndihmë dhe përkujdesje. Por që ta quash këtë gjë si testin më të lartë të vyrtytit do të thotë ta bësh vuajtjen si pjesën më të rëndësishme të jetës. Pastaj njerëzit do të dëshirojnë që të shohin të tjerët duke vuajtur në mënyrë që t’u jepet rasti që ta demonstrojnë veten si të virtytshëm. Kjo është natyra e altruizmit. Krijuesi nuk merret me sëmundjen por me jetën. Megjithatë puna e krijuesve ka eliminuar format e ndryshme të sëmundjes një e nga një, sëmundje në trupin dhe shpirtin e njeriut, dhe ka sjellë më shumë përkujdesje për ata që vuajnë sesa çfarëdo altruisti tjetër mund të ketë menduar.

“Njerëzve iu është mësuar që egoja është sinonimi i të keqes, dhe se vetëmohimi është virtyti ideal. Por krijuesi është egoist në formën më absolute ndërsa njeriu vetëmohues është një njeri që nuk mendon, ndjen, gjykon apo vepron. Këto janë funksione të vetvetes.

“Këtu përmbysja themelore është vrastare. Çështja është degjeneruar dhe nuk i është lënë alternativë dhe liri. Po ashtu si polet e të mirës dhe të keqes atij i janë ofruar dy koncepte: egoizëm dhe altruizëm. Egoizmi pretendohet se do të thotë që të sakrifikosh të tjerët për veten. Altruizëm të sakrifikosh veten për të tjerët. Kjo lidhte në mënyrë të pakthyeshme njeriun me njerëz të tjerë duke mos i lënë shans tjetër përveç dhimbjes: dhimbje e tij që pësohej kur sakrifikohej për hir të të tjerëve ose dhimbja që iu shkaktohej të tjerëve për hir të vetes. Kur shtohet edhe se njeriu duhet të nxjerrë kënaqësi nga sakrifikimi i vetes, gracka mbyllej. Njeriu detyrohej që të pranonte mazokizmin si një ideal nëpërmjet kërcënimit se sadizmi është alternative e vetme e tij. Ky është mashtrimi më i madh që i është bërë njerëzimit.

“Ky ishte instrumenti nëpërmjet të cilit varësia dhe dhimbja shkaktoheshin si bazat e jetës.

“Zgjedhja nuk është vetësakrifikim apo dominim. Zgjedhja është mes pavarësisë dhe varësisë. Kodi i krijuesit apo kodi i dorës së dytë. Kjo është çështja thelbësore. Qëndron përsipër alternativës së jetës apo vdekjes. Kodi i krijuesit është ndërtuar mbi nevojat e mendjes që arsyeton dhe që lejon njeriun që të mbijetojë. Kodi i dorës së dytë është ndërtuar mbi nevojat e një mendje që nuk mund të mbijetojë. Çfarëdo gjëje që rrjedh nga varësia e njeriut nga njerëzit është e dëmshme.

“Egoisti në asnjë mënyrë nuk është njeriu ë sakrifikon të tjerët. Ai është njeriu që qëndron sipër nevojave për të përdorur të tjerët në çfarëdo mënyre. Ai nuk funksionon nëpërmjet tyre. Ai nuk ka ndonjë shqetësim të madh për ta. As kur bëhet fjalë për qëllimet e tij, as për motivet, as për mendimin, as për dëshirat dhe as kur bëhet fjalë për burimin e energjisë së tij. Ai nuk ekziston për ndonjë njeri tjetër dhe nuk i kërkon ndonjë njeriu tjetër të ekzistojë për të. Kjo është e vetmja formë vëllazërie dhe respekti reciprok që është e mundur midis njerëzve.

”Shkallët e aftësisë janë të ndryshme, por parimi parësor mbetet i njëjti: shkalla e pavarësisë së një njeriu, iniciativa dhe dashuria personale për punën e tij tregon se sa i talentuar si punëtor dhe i vlefshëm si njeri është ky person. Pavarësia është shtegu i vetëm drejt virtytit dhe vlerës njerëzore. Rëndësi ka se çfarë është dhe bën për veten, dhe jo se çfarë ka apo nuk ka bërë për të tjerët. Nuk ka gjë që të zëvendësojë dinjitetin personal. Nuk ka standard tjetër për dinjitetin personal përveç pavarësisë.

Në një marrëdhënie të përshtatshme nuk ka asnjë sakrificë të dikujt për dikë tjetër. Një arkitekt ka nevojë për klientë, por ai nuk nënshtron punën e tij ndaj dëshirave të tyre. Ata kanë nevojë për të por nuk kanë për të porositur një shtëpi thjesht për t’i dhënë punë arkitektit. Njerëzit shkëmbejnë punën e tyre në liri të plotë nëpërmjet miratimit të ndërsjellë për hir të një avantazhi të ndërsjellë, atëherë kur interesat e tyre personal bien dakord dhe që të dy palët e dëshirojnë shkëmbimin. Nëse nuk e dëshirojnë, ata nuk janë të detyruar që të kenë të bëjnë me njeri tjetrin. Ata kërkojnë tjetërkund. Çdo gjë tjetër është një marrëdhënie midis skllavit dhe pronarit, viktimës dhe ekzekutuesit.

“Asnjë punë nuk është bërë në mënyrë kolektive, nëpërmjet një vendimi të shumicës. Çdo punë krijuese është arritur nëpërmjet udhëheqjes së një mendimi të vetëm individual. Një arkitekt ka nevojë për shumë njerëz që të ndërtojë ndërtesën e tij. Por ai nuk u kërkon atyre që të votojnë projektin e tij. Ata punojnë së bashku nëpërmjet një miratimi të bërë në kushte të lira, dhe çdo punëtorë është i lirë në funksionin e vet. Një arkitekt përdor çelik, xham, çimento që prodhohet nga të tjerë. Por materialet ngelen çelik, xham dhe çimento derisa ai i prek ato. Se çfarë bën ai me to është një prodhim individual dhe prona e tij individuale. Ky është rendi i vetëm për një bashkëpunim të përshtatshëm mes njerëzve.

“E drejta e parë në tokë është e drejta për egon. Detyra e parë e njeriut është detyra ndaj vetes. Ligji i tij moral është që të mos zëvendësojë qëllimin e tij parësor me persona të tjerë. Detyrimi i tij moral është që të bëj çfarë të dojë, për sa kohë dëshira e tij nuk varet rrënjësisht nga të tjerët. Kjo përfshin të gjithë sferën e tij të aftësisë krijuese, të menduarit, punën e tij. Por nuk përfshin sferën e gangsterit, altruistit dhe diktatorit.

“Një njeri mendon dhe punon i vetëm. Një njeri nuk mund të grabisë, shfrytëzojë dhe sundojë i vetëm. Grabitja, shfrytëzimi dhe sundimi kanë të bëjnë me viktima. Kjo nënkupton me varësi. Ky është territori i njeriut të dorës së dytë.

“Sunduesit e njerëzve nuk janë egoistë. Ata nuk krijojnë gjë. Ata ekzistojnë vetëm nëpërmjet individëve të tjerë. Nëpërmjet këtij mashtrimi ata përpiqen që të shkatërrojnë egon e vetes dhe të të tjerëve. Qëllimi i gjithë këtij mashtrimi është që ata të shkatërrojnë krijuesit. Ose ti shfrytëzojnë ata, që është sinonim me të parën.

“Prej fillimit të historisë, këta dy antagonistë kanë qëndruar ballë për ballë: krijuesi dhe njeriu i dorës së dytë. Kur krijuesi i parë shpiku rrotën, njeriu i dorës së dytë u përgjigj. Shpiku altruizmin.

“Krijuesi, edhe pse i refuzuar, kundërshtuar, persekutuar, shfrytëzuar, vazhdoi, eci përpara duke mbartur gjithë njerëzimin me energjinë e tij. Njeriu i dorës së dytë nuk kontribuoi fare për procesin përveçse vuri pengesa. Kjo garë ka një emër tjetër: individi kundër kolektives.

“E “mira e përbashkët” e një kolektivit të një race, klase apo shteti, ishte pretendimi dhe justifikimi i çdo tiranie që është vendosur nga njerëzit. Çdo tmerri i madh i historisë është bërë në emër të një motivimi altruist. E ku ka bërë vaki që ndonjë akt egoizmi të ketë kapërcyer llahtaret që janë bërë nga dishepujt e altruizmit? Ku bie faji, tek hipokrizia e njeriut apo tek natyra e parimit? Kasapët më të tmerrshëm kanë qenë më të sinqertët. Ata besonin tek shoqëria e përkryer e arritur nëpërmjet gijotinës dhe skuadrës së pushkatimit. Asnjë nuk e vuri në dyshim të drejtën e tyre për të vrarë përderisa ata ishin duke vrarë për qëllime altruiste. Ishte një fakt i pranuar që njeriu duhet të sakrifikohet për njerëz të tjerë. Aktorët ndryshojnë, por kursi i tragjedisë mbetet i njëjti. Një humanitar që fillon me deklarata dashurie për njerëzimin e që përfundon me një det gjaku. Do të vazhdojë kështu për sa kohë njerëzit të besojnë se një veprim është i mirë nëse është altruist. Kjo i lejon altruistit që të veprojë dhe të detyrojë viktimat e tij që të mbartin kusurin. Liderat e lëvizjeve kolektiviste nuk kërkojnë asgjë për veten. Por shikoni rezultatet.

“E vetmja gjë e mirë që njerëzit mund të bëjnë për të tjerët dhe e vetmja moto për një marrëdhënie të përshtatshme është : Duart Larg!

“Tani shikoni rezultatet e një shoqërie që është ndërtuar në bazën e individualizmit. Ky është vendi ynë. Vendi më fisnik në gjithë historinë e njerëzimit. Vendi me arritjet më madhështore, me begatinë më të madhe dhe me lirinë më të madhe. Ky vend nuk ishte bazuar tek shërbimi pa interes vetjak, sakrifica, vetëmohimi ose ndonjë tjetër formë të altruizmit. Ishte bazuar tek e drejta e njeriut për të ndërtuar lumturinë. Lumturinë e tij. Jo të dikujt tjetër. Një motiv privat, personal egoist. Shikoni rezultatet. Shikojini në ndërgjegjen tuaj.

“Ky është një konflikt i vjetër. Njerëzit i janë afruar së vërtetës por ajo u shkatërrua çdo herë dhe qytetërimet ranë njëri pas tjetrit. Qytetërim është progresi drejt një shoqërie individualiste. Ekzistenca e të egrës mbështetet tek publikja, sundimi nga ligjet e fisit. Qytetërimi është procesi i çlirimi të njeriut nga njeriu.

“Tani, në epokën tonë, kolektivizmi, sundimi i njeriut të dorës së dytë të klasës së dytë, përbindëshit të përhershëm, ka dalë nga zgjedha dhe është duke u vërsulur. i ka çuar njerëzit tek një nivel i ulët intelektual që është i paparë në tokë. Ka vajtur në një shkallë horrori të pashoq në histori. Ka helmuar çdo mendje. Ka gëlltitur shumicën e Evropës. Është duke rrethuar edhe vendin tonë.
“Unë jam një arkitekt. Unë e di sesi do të ndërtohet diçka duke parë parimet me të cilat është duke u ndërtuar. Jemi duke iu afruar një bote ku unë nuk mund të jetoj dot.

“Tani e dini pse e hodha në erë Cortlandt-in.

“Unë e projektova ndërtesën cortlandt. Unë ua dhashë juve. Unë e shkatërrova.

“E shkatërrova pasi vendosa që nuk do ta lija të ekzistonte. Ishte një përbindësh i dyfishtë. Në formë dhe në kuptim. Duhej t’i shpërtheja që të dyja. Forma ishte përçudnuar nga dy njerëz të dorës së dytë që i dhanë vetes të drejtën për të përmirësuar diçka që ata nuk e kishin bërë vet dhe që po të donin nuk e bënin dot. Ata ia lejuan vetes duke hamendësuar se qëllimi altruist i ndërtesës kapërcente të gjitha të drejtat e tjera, dhe unë nuk kisha të drejtë që të pretendoja dhe të kundërvihesha.

“Unë rashë dakord që të projektoja Cortlandt-in vetëm për ta parë të ngritur sipas dizenjos sime dhe për asnjë arsye tjetër. Ky ishte çmimi që unë vura për punën time. Unë nuk u pagova.

“Unë nuk ia vura fajin Peter Keating. Ai është i pashpresë. Kishte një kontratë me punëdhënësit e tij. Nuk iu vu veshi. Ai kishte një premtim që struktura që ai ofroi të ndërtohej ashtu siç ishte projektuar. Ky premtim u thye. Dashuria e njeriut për integritetin e punës së tij dhe e drejta e tij për të ruajtur autenticitetin e punës tani konsiderohet si e papërfillshme dhe jothelbësore. Ju dëgjuat vetë prokurorin tek e tha këtë gjë. Pse u shpërfytyrua ndërtesa? Për asnjë arsye. Këto veprime asnjëherë nuk kanë një arsye, përveçse kur ka të bëjë me fudullëkun e ndonjë njeriu të dorës së dytë që mendon se ka të drejta tek prona e dikujt tjetër, qoftë kjo pronë shpirtërore apo materiale. Asnjë nuk e vrau mendjen t’i jepte leje apo ta ndalonte. Asnjë nuk kishte mbante përgjegjësi. Asnjë nuk jepte llogari. Kjo është natyra e veprimit kolektiv.

“Unë nuk mora pagesën që kërkova. Por pronarët e Cortlandt-it morën atë që kishin nevojë nga unë, ata donin një skemë për të ndërtuar një strukturë sa më lirë që të ishte e mundur. Ata nuk gjetën dot ndonjë që ta bënte atë siç iu pëlqente. Unë mund ta ndërtoja dhe e ndërtova. Ata përfituan nga puna ime dhe më detyruan që ta jepja si dhuratë. Por unë nuk jam altruist. Unë nuk dhuroj dhurata të këtij lloji.

“Thonë se unë kam shkatërruar shtëpinë e të varfrit. Harrojnë që po mos të ishte për mua, i varfri nuk do të kishte ndonjë shtëpi të veçantë. Ata që ishin të shqetësuar për të varfrit erdhën tek unë, që asnjëherë nuk kam qenë i shqetësuar për të varfrit. Disa besojnë se varfëria e banorëve të ardhshëm iu dha atyre të drejtën mbi punën time, që nevoja e këtyre të varfërve i jepte të drejtën të kishin pretendime për jetën time. Që ishte detyra ime të kontribuoja për gjithçka që ata më kërkonin mua. Mirëpo kjo është deviza e një njeriu të dorës së dytë që tani po përpin gjithë botën.

“Unë erdha këtu që të them se unë nuk i njoh askujt të drejtën për të marrë qoftë edhe një minutë nga jeta ime. As që të marrë ndonjë pjesë të energjisë sime, as të ndonjë arritjeje time. S’ka rëndësi se kush e bën këtë pretendim, sa i madh është numri i tyre apo sa e madhe është nevoja.

“Unë doja të vija këtu për të thënë se unë nuk jam një njeri që ekzistoj për të tjerët.

“Duhet thënë. Bota po shkatërrohet nga një orgji vetësakrifikimi.

“Unë doja të vija këtu për të thënë se integriteti i punës krijuese është shumë herë më e rëndësishme se një përpjekje bamirësie. Ata prej jush që nuk e kuptojnë këtë gjë janë njerëzit që po shkatërrojnë botën.

“Unë erdha këtu që të paraqisja rregullat e mia. Mua as që më vete mendja që të ekzistoj për të tjerët.

“Unë nuk njoh ndonjë detyrim ndaj njerëzve përveç njërës: të respektoj lirinë e tyre dhe të mors marr pjesë në një shoqëri skllavërie. Vendit tim do të doja t’i jepja dhjetë vitet që do të kaloj në burg nëse vendi im nuk ekziston më. Do t’i kaloj këto dhjetë vite shenjë përkujtimi dhe mirënjohjeje për vendin tim të dikurshëm. Do të jetë një akt besnikërie, refuzim për të jetuar dhe punuar në vendin e ri që i ka zënë vendin vendit tim.

“Një shenjë besnikërie ndaj çdo krijuesi që ka jetuar ndonjëherë dhe që janë detyruar të vuajnë nga forca që është përgjegjëse për Cortlandt-in që unë hodha në erë. Për çdo orë torturuese të vetmisë, mohimit, vuajtjes dhe abuzimit që krijuesi është detyruar të kaluar, dhe për betejat që ai ka fituar. Për çdo krijues të cilit i kanë shkatërruar trupin dhe shpirtin. Për Henri Cameron. Për Steven Mallory. Për atë njeri që nuk do që t’i përmendet emri por ë është ulur në këtë sallë gjyqi dhe e di që unë e kam fjalë për të.”

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit