MENU
klinika

Duhen lexuar patjetër

Njihuni me botimet më të reja

11.09.2018 - 10:39

Titulli: Nga ana e princeshës së vdekur
Autori: Kenizé Mourad
Përkthyese: Donika Omari
Çmimi: 1500 lekë

Kjo është historia e nënës sime, princeshës Selma, lindur në një pallat të Stambollit…
Ky mund të ishte fillimi i një përralle; por është një histori e vërtetë, që nis më 1918 në oborrin e sulltanit të fundit të Perandorisë otomane. Selma është shtatë vjeçe kur sheh të shembet kjo Perandori që i kishte futur dridhmat Europës. E dënuar me mërgim, familja perandorake vendoset në Liban. Selma, që ka humbur njëkohësisht edhe vendin e vet edhe të atin, do të jetë këtej e tutje “princesha me çorape të arnuara”. Do të rritet në Bejrut dhe atje do të bjerë në dashuri për herë të parë, me një shef druz; një dashuri që merr fund shpejt. Atëherë Selma pranon të martohet me një raxha indian që s’e ka parë kurrë. Në Indi, do të kalojë nga salltanetet e maharaxhave, te ditët e fundit të Perandorisë britanike dhe te lufta për Pavarësi, të udhëhequr prej Gandit.
Por edhe atje, si në Liban, mbetet “e huaja”. E papranuar prej një populli që ajo kishte nisur ta donte, ia mbath për në Paris. Atje do të gjejë më në fund dashurinë e vërtetë. Lufta do ta ndajë nga i dashuri, dhe ajo do të vdesë në mjerim, në moshën njëzet e nëntë vjeçe, pasi lind një vajzë: autoren e këtij rrëfimi.

Për herë të parë, fundi i Perandorisë otomane na tregohet nga brenda pallateve… Ndodh rrallë që një libër të bashkojë në një mënyrë kaq intime zemrën me Historinë.

“Më vonë, shumë më vonë, – shkruan Kenizé Mourad, – desha të kuptoja kush ishte nëna ime. Duke pyetur ata që e kishin njohur, duke konsultuar libra historikë, gazeta të kohës dhe arkivat e shpërndarë të familjes, u përpoqa të rindërtoja kornizat e ndryshme të jetës së saj, të ngatërruara sot në mënyrë të pakthyeshme, dhe të jetoja ç’kishte jetuar ajo. Më në fund, që t’i afrohesha më shumë, që ta gjeja siç ishte vërtet, i besova intuitës dhe imagjinatës sime.”

Titulli: Urrejtja, Gjysma e Hakmarrjes
Autori: Emilios Solomou
Përkthyes: Kristo Pulla
Çmimi: 1000 lekë

Shkrimtari Emilios Solomou rikthehet në vitin 1870-të, për të sjellë përmes letërsisë historinë e vërtetë të Masakrës së Dhilesit.

Romani “Urrejtja, gjysma e hakmarrjes”, trajton një temë të ditëve tona, krizën që preku Greqinë por edhe Qipron, vitet e fundit. Është libri i dytë i të njëjtit shkrimtar , fitues i Çmimit Europian për letërsinë për vitin 2013, që vjen në gjuhën shqipe nga Toena, pas romanit “Ditari i një pabesie”. Ideja sipas autorit lindi gjatë periudhës së krizës, aty nga viti 2011.

Vepra i referohet së sotmes, por mbështetet në një ngjarje reale të vitit 1870, Masakrës së Dhilesit. Në atë periudhë, banda e Arvanitakëve, vrau mizorisht katër udhëtarë të huaj, aristokratë, tre Anglezë dhe një Italian, pasi i mbajti për dhjetë ditë si pengje. Në histori kjo ngjarje njihet edhe si ‘’Masakra e lordëve’’. Ngjarjet në libër lëvizin vazhdimisht para – mbrapa, nga e sotmja tek e djeshmja dhe anasjelltas. Personazhi kryesor është një Qipriot, pasardhës i njërit prej anëtarëve të bandës, i cili ishte larguar prej ishullit të vet i përndjekur dhe luftoi në Kryengritjen e Thesalisë gjatë Luftës së Krimesë të periudhës 1854 – 1856.

Titulli: Vitet e pafajësisë
Autori: Elizabeth Jane Howard
Përkthyes:
Çmimi: 1300 lekë

Kryevepra e radhës, në stilin e Sagës së Forsajtëve, një fenomen dhe sukses mbarëbotëror është romani “Vitet e pafajësisë”

Është një botë tjetër, një kohë tjetër… Është koha e Kazaletëve, kur gjithçka ndodh me rituale precize, ku shërbyesit e shërbejnë çajin në shtrat në mëngjes, por për të darkuar në shtëpi duhet të vishesh me fustan mbrëmjeje… Mirëpo jashtë kuadrit të familjes Kazalet, bota është në prag të një krize epokale. Lufta është vetëm një hap larg Londrës. Teksa Kazaletët përgatiten të kalojnë një verë të qetë në pronën e familjes së Saseks, lexuesi njihet me: Eduardin – i dashuruar, por jo besnik ndaj bashkëshortes së tij, Vilit; Hjunë – i plagosur në Luftën e Madhe, bashkëshort i përkushtuar;

Rupertin – i cili e adhuron trupin, por jo domosdoshmërisht mendjen e gruas së tij Zoit, e cila është shumë më e re sesa ai; dhe Rejçëllin, motrën lëneshë të tre vëllezërve, e cila mban një lidhje të fshehtë dashurie nën çatinë e familjes…

Një parabolë për dhembjen e humbjes së pafajësisë, për të kaluar më pas në botën e mashtrimit të madh. Një prozë që na kujton stilin e pagabueshëm të Tomas Manit dhe Virxhinia Ullfit.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit