MENU
klinika

Mësoje!

O mos! E zuri korenti! Si ta shpëtoj?

27.09.2018 - 18:37

Rënia në kontakt me rrymën elektrike nuk është një ngjarje e rrallë si për elektriçistët dhe për njerëzit e zakonshëm. Po jo në të gjitha rastet kjo është fatale pasi ka disa faktorë fizikë që kushtëzojnë dëmtimet nga rryma elektrike.

Intesiteti i rrymës mund të shkaktojë dëmtime të rënda të muskujve, indeve dhe qelizave. Kohëzgjatja e qarkut dhe rezistenca e trupit të njeriut lidhet me rrobat, llojet e këpucëve që ka individi, si dhe lagështia e trupit të tij.

Kur lëkura është e thatë, dëmtimet janë më të vogla, ndërsa kur lëkura është e lagësht, dëmtimet janë të rënda. Sa më e trashë sholla e këpucëve/veshja, aq më i plotë është izolimi nga toka.

Tipi i rrymës (direkte, rrymë alternative, goditje nga vetëtima, etj), shkakton dëmtime të çdo lloji, nga dridhja më e lehtë deri te djegiet e rënda.

Po çfarë përjeton njeriu kur bie në kontakt me rrymën elektrike?

Humbja e vetëdijes, nga disa sekonda në disa minuta, kjo varet nga intesiteti dhe kushtet që përmendëm më lart;

-Konvulsionet, kur intesiteti i rrymës është i lartë, ka një dëmtim të qelizave me ndryshimin e elektrolitëve.

Mekanizmi i konvulsioneve në fillim është apnoe e përhapur ose çrregullim i elektrolitëve që rezultojnë në edema cerebrale;

-Arrest kardiak ose aritmi;

-Apnoe ose ndalim të frymëmarrjes, si rezultat i spazmës së fortë të laringut dhe të traktit respirator;

-Çrregullime neurologjike të shprehura me halucinacione vizuale dhe dëgjimi;

-Dëmtime lokale, djegie të lëkurës dhe indeve yndore të nënlëkurës, që çon në nekrozë totale.

Po pasojat cilat janë?

Shoku Traumatik është një prej komplikacioneve më serioze që ndodh si pasojë e pamjaftueshmërisë akute të qarkullimit të gjakut.

Në këtë rast ka një pamjaftueshmëri të marrjes së substancave ushqyese, sidomos O2, si dhe të nxjerrjes së produkteve të konsumuara nga indet.

Hemorragji të jashtme (veçanërisht hemorragji arteriale), frakturat e hapura, frakturat e mbyllura, hemorragjitë e brendshme si për shembull rupturë e shpretkës, që zakonisht ndodhin si pasojë e përplasjeve me objekte, që mund të shkaktojë goditja elektrike. Të djegurat me sipërfaqe të mëdha (që rezulton në humbje të plazmës). Aritmia, infarkti miokardi (atak zemre).

A mund të japim ndihmë derisa të vijë urgjenca?

-Ndihma e parë duhet të zbatohet brenda 10 minutave të para dhe në mënyrën përkatëse;

-Në mënyrë të menjëhershme duhet shkëputur kontakti direkt me rrymën elektrike;

-Duhen ulur çelesat elektrikë dhe të hiqen siguresat;

-Përdorimi i mjeteve plastike ose dru i thatë për tërheqjen dhe shkëputjen e viktimës prej telave me rrymë elektrike;

-Pasi shkëputet prej kontaktit elektrik, krijon kontakt me viktimën për të rivënë në punë funksionet jetike;

-Shtrihet pacienti në tokë;

-I hapet goja dhe nxirret gjuha;

-Fillohet frymëmarrje gojë me gojë dhe masazh kardiak.

Ndihma e parë është një veprim kompleks me qëllim të mënjanimit të drejpërdrejtë të shkaktarëve të rrezikut që e keqësojnë gjendjen shëndetësore të të lënduarit.