MENU
klinika

Projekti i kadastrës fiskale

Odiseja për një taksim të drejtë prone  

28.09.2018 - 09:40

Një sistem i drejtë fiskal ku do të jenë të identifikuara apo të shënuara të gjitha pronat e shqiptareve. Kjo është ajo që do të përmbledhë  në një regjistër të vetëm, i gjithi online, Kadastrën Fiskale dhe që do të ketë të regjistruar të gjitha pronat e paluajtshme.

Gjithë procedura bëhet për një regjistrim të plotë të pronave të paluajtshme, jo vetëm si hapësirë, por edhe si vlerë tregu. Ministria e Financave  ka thuajse 3 vjet që punon për realizimin e këtij projekti, që nga Fondi Monetar Ndërkombëtar është kërkuar si një zgjidhje për mbledhjen e taksës së pronës.

Sipas ekspertëve të Financave që aktualisht po punojnë për këtë, regjistrimet në kadastrën fiskale, do të bëhen me emër të zotëruesit, numrit rendor që i përket objektit, sqarimi i detajuar se për çfarë përdoren hapësirat e objektit, sipërfaqja totale si dhe vlera monetare që ai objekt ka. Vlerësimi monetar do të bëhet në bazën e çmimeve të tregut.

Sipas Ministrisë së Financave, FMN-ja ka kërkuar në bazë të praktikës botërore, që regjistrimi i pronave të jetë një proces i detyruar për të gjithë pronarët.

Sipas projektit të parashikuar, pronat e patundshme të qytetarëve do të regjistrohen të gjitha në një sistem online, së bashku me çmimet e zonave përkatëse, në mënyrë që të përllogariten taksat që duhet të paguajë secili për banesën, dyqanin apo truallin që ka në pronësi.

Informaliteti i lartë në ndërtime gjatë viteve të fundit ka bërë që në vendin tonë të  mos ketë një bazë të dhënash të sakta. Kështu, ka mjaft objekte të cilat kanë nisur si banesa, janë trasformuar në njësi tregtare apo shërbimesh. Ky projekt  pritet të finalizohet në vitin 2020, çka do të të thotë se dy vitet 2018 dhe 2019, do të shërbejnë si vite tranzicioni për ndërtimin e kësaj kadastre, por edhe për edukimin e qytetarëve me formulën e re të taksimit të pasurive të paluajtshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN