Kompanitë e sigurimeve këtë vit po paguajnë më pak dëme. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në tetë muajt e parë të këtij viti dëmet kishin vlerën e 3.06 miliardë lekëve ose 11% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vlera e dëmeve është në rënie, pavarësisht se kompanitë e sigurimeve vazhdojnë të kenë detyrime në vlera të mëdha ndaj Fondit të Kompensimit, për dëmet e shkaktuara nga mjetet e pasiguruara. Pavarësisht presionit të shumtë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në dy vitet e fundit, pagesa e këtyre detyrimeve ende po zvarritet. Tregu shqiptar i sigurimeve ka raportin mes dëmeve dhe primeve më të ulët në Europë, me 27.5%. Sipas linjave të guidës rregullatore të tregjeve të sigurimeve, ky raport duhet të jetë të paktën 50%, shumë më i lartë se vlerat që regjistrohen në Shqipëri. Tipike për tregun shqiptar është raporti tepër i lartë i shpenzimeve administrative me dëmet, që shkon mbi 50%. Kjo tregon se siguruesit shqiptarë shqiptarë shpenzojnë më shumë për komisionet e shitësve dhe për stafet e tyre, sesa për të kompensuar të dëmtuarit.
Për këtë vit, kompanitë e sigurimit të jo-jetës kanë arkëtuar prime në vlerën e 10.3 miliardë lekëve ose 81 milionë eurove. Të gjitha kompanitë e sigurimeve e mbyllën vitin e kaluar me fitim, për një total prej afërsisht 7.5 milionë eurosh.