MENU
klinika

Histori njerëzore

Përndjekja e mbiemrit “Meshkallë”

04.09.2018 - 16:32

Familja e priftit Pjetër Meshkalla është një ndër më të përndjekurat në Shkodrën e regjimit komunist, duke nisur që nga vuajtjet në kampin famëkeq të Tepelenës e deri tek internimet dhe largimin nga jeta e qytetit. Gjithçka nisi me largimin e dajës tonë, jashtë vendit, tregon për Konica.al mbesa e familjes Albina Meshkalla.

“Pa mbushuar akoma 18 vjeç, daja u arratis nga Shqipëria. Ai njihej si një me parime të tjera, krejt ndryshe nga ato që propagandoheshin në komunizëm. Daja gjeti mënyrën, duke rrezikuar jetën u arratis dhe këtu nisi lufta ndaj nesh. Menjëherë sigurimi na arrestoi gjithë familjen e nënës, babain dhe nënën e saj si dhe dy motrat e dy vëllezërit. Ndalesa e parë ishte në kampin e Porto Palermos, ku për shumë vite u detyruan të bënin punë të rënda”.

Më pas, e gjithë familja Meshkalla u internua në kampin e Tepelenës aty ku vuajten prej torturave çnjerëzore.

“Ishte një fushë përqëndrimi e pune të detyruar, një kamp, i populluar nga dymijë qenie njerëzore të ardhur, pothuajse të gjithë nga Veriu i Shqipërisë: pleq, gra, fëmijë, të grumbulluar në pesë kazerma. Për rreth nuk shiheshin veç male, një erë e akullt gjatë dimrit na e bënte jetën të pamundur, tela me gjëmba kudo, ndalim i rreptë për të ndezur zjarr. Zgjimi bëhej në mëngjes herët. Katërqind vetë në çdo kazermë, shtrënguar njëri me tjetrin në dy kate shtretërish. Nuk ishin lejuar më shumë se gjashtëdhjetë centimetra për secilin prej nesh. Bëhej thirrja e emrave, me ngut, pastaj nisja për në punë.”

“Të gjithë të rinjtë në mal: nuk mjaftonin dy orë ecje për të arritur, për t’u kacavjerrur më pas nëpër një shteg shumë të ngushtë e të pjerrët deri atje lart ku ishte pylli ku punonim. Duhet të kishe krahë e muskuj të fuqishëm, për të prerë drunjtë me sëpatë, për t’i vënë në kurriz e për t’i ulur deri tek vendi i caktuar në fushë, për t’u kthyer përsëri sipër e për të zbritur disa herë i ngarkuar deri sa të plotësohej sasia e kërkuar nga ata që na shoqëronin, rojet e kampit”. -tregon Albina.

Këto copëza historie të treguara nga nëna e saj e bëjnë Albinën të përlotet. Për shkak të përsekutimit të familjës së nënës, edhe vete Albina asnjëherë nuk mundi të ecë përpara.

“Në shkollë, kur isha në 8-vjeçare, mësuesi i edukimit fizik më përzgjodhi për atletike pasi isha shumë e shpejtë. Në garat e para isha rekordmene. Pastaj për një moment u rrënua çdo gjë. Sapo u mësua fakti se unë jam një “Meshkallë”, nuk u lejova më të vazhdoj sportin. Profesori më shprehte keqardhjen pasi isha shumë e talentuar por nuk munda ta vazhdoj më. Kështu ndodhi edhe me shkollën. Gjithë jeten më ka shoqëruar kjo njollë, dhe nuk e kuptoja përse-në…”.

Me daten 25 Gusht, Albina mori pjesë në ceremoninë që u zhvillua në kampin e Tepelenës në nderim të njërëzve që humben jeten aty. Ajo shprehet shume e lumtur që çoi deri në fund amanetin e nënës së saj:

“Nëna është gjallë sot 91 vjeçe dhe çdo ditë kam jetuar me frikë. Pavarësisht së është gjallë më kishtë lënë një amanet që një ditë të vizitoj kampin e Tepelenës dhe dhomën ku ka vuajtur ajo. Unë isha aty. E kam përjetuar shume keq por realizova amanetin. Tashmë edhe nëna është e qetë pasi unë do të tregoj historinë e saj tek brezi i ri”.

Përgatiti: K.Zh.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Bilanci tragjik nga masakra në Shkodër thellohet në 4 viktima

Ndërron jetë në spital Bashkim Basha

Kryeson Lezha, ja qyteti që mbetet në fund

Cili qark është më kursimtari këtë vit?